Sfidat e vaksinimit për COVID-19 në Shqipëri

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Sfidat e vaksinimit për COVID-19 në Shqipëri

Procesi i vaksinimit po shtrihet në zona të ndryshme në Shqipëri duke përfshirë në fillim moshat e treta. Specialistët e Shëndetit Publik thonë se nevojitet organizim më i mirë i vaksinimeve ndonëse ato janë në një numër të ulët. Vaksinimi po kryhet aktualisht në qendra të përqëndruara në qytetet kryesore, por më pas pritet të shtrihet në qendrat shëndetësore.

 

Të moshuarit kanë nisur të vaksionohen në Shqipëri kundër “Covid 19” në qendra të përqëndruara, të hapura posacërisht nga autoritetet shëndetësore, në disa prej qyteteve kryesore . Në një qendër të tillë në Gjirokastër vihet re një interesim i lartë që herët në mëngjes, ku është krijuar edhe radhë për t`u vaksinuar. Procesi për sejcilin që merr vaksinën zgjat pak, por autoritetet thonë se duhet bërë kujdes për të shmangur grumbullimet pasi banorët janë thirrur për t`u mbrojtur dhe jo infektuar. Specialistja e Shëndetit publik Sivla Bino thotë se procesi më pas do të vijojë në qendrat shëndetësore duke shmangur këto pika të përqëndruara.

 

Advertisement

“Deri tani nuk kemi pasur vaksinim në pika të grumbulluara, pra vaksinimet janë kryer në qendra shëndetësore. Ky është vaksinim në një qendër të grumbulluar ndaj është shumë i rëndësishëm organizimi. Nëse do të jetë në një qendër shëndetësore duhet orari i caktuar që të ketë mirëkuptim me popullatën pasi askush nuk do ngelet pa vaksinuar”, thotë ajo.

 

Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Gjirokastër Shpëtim Novi thotë se organizimi i vaksinimit bëhet nga mjekët e lagjeve që përpilojnë listat mbi bazë të regjistrit elektronik dhe në pikat e përqëndruara vijnë personat e njoftuar. Sipas tij skema funksionon pa probleme ndonëse në fillim ka një përqëndrim, në të njëjtën kohë, të personave të njoftuar, tek qendra e vaksinimit.

 

Advertisement

“Aplikimi i vaksinës antikovid bëhet mbi bazë të një planifikimi që qendrat shëndetësore bëjnë mbi bazë të personave të kësaj grupmoshe. I gjithë problemi i këtij procesi është që cdo banor të kontaktohet nga mjeku familjes lidhur me vaksinën. Ka edhe persona që mund të mos aplikojnë vaksinë si ata që mund të jenë të infektuar për momentin apo kanë pasoja që vlerësohen nga mjeku”, thotë ai.

 

Pranë pikave të vaksinimit qëndrojnë ekipet e urgjencës shëndetësore, por deri tani sipas përgjegjësit të shërbimit epidemiologjik në Gjirokastër Arenc Brahimi nuk ka pasur asnjë rast të reaksionit apo përkeqësimit shëndetësor pas kryerjes së vaksinës.

 

Advertisement

Specialistja e Institutit të Shëndeti Publik Sivla Bino thotë se Shqipëria ka kapacitete për ta zhvilluar procesin që do të varet nga ardhja e dozave të vaksinës dhe koha. Sipas zonjës Bino përparësi tani i është dhënë personelit shëndetësor i cili është vaksinuar në pika të përqëndruara dhe më pas pjesëtarëve në shtëpitë e të moshuarve dhe moshave të treta në zonat urbane dhe rurale.

 

“Mendoj se vaksinimi do shkojë pa probleme pasi nga pikat e përnbashkëta do kalojmë në vaksinimet në qendrat shëndetësore. Shqipëria ka një rrjet shumë të mirë të qendrave shëndetesore dhe të vaksinimit, pra rrjet vaksinatoresh dhe infermieresh që janë mësuar me vaksinimin gjatë gripit, kështu që do jetë e volitshme ecuria në varësi të dozave të vaksinës dhe kohës”, thotë ajo.

 

Advertisement

Në Shqipëri, që nga mesi i janarit të këtij viti kur nisi procesi, janë vaksinuar rreth 18 mijë persona, ndërkohë që në vend për këtë periudhe kanë ardhur 32 mijë e 562 vaksina, prodhim i kompanisë Pfizer. Shqipëria e pret sasinë më të madhe të vaksinave nga mekanizmi ndërkombëtar “COVAX “ me te cilin ka nënshkruar një marrëveshje për 1.114.000 doza vaksinash, të parapaguara me rreth 3,9 milionë dollarë. Mekanizimi “COVAX “ njoftoi se deri në Maj Shqipëria do të marrë mbi 140 mijë doza vaksina të kompanisë AstraZeneca. Sipas autoriteteve një sasi prej më shumë se 14 mijë dozash të kësaj vaksine pritet të mbërrijë brenda 15 marsit. Ekspertët e shëndetit kanë kërkuar përshpejtimin e procesit të vaksinës nisur edhe nga përkeqësimi i infektimeve dhe pasojave për jetën. Vetëm gjatë muajit shkurt në Shqipëri humbën jetën 423 persona dhe ritmi i lartë i infektimeve me koronavirus që po vijon po shoqërohet me numër të lartë humbjesh jete edhe gjatë ditëve të para të marsit./ VOA

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy