
Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme në rrugën Shkodër–Hani i Hotit, ku u qëllua me armë drejt një makine.
Edison Tirana 42 vjeç përfundoi në spital me dëmtime në kokë dhe trup, dyshohet të shkaktuara me sende të forta
“Rreth orës 19:30, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër është paraqitur shtetasi E. T., 42 vjeç, banues në Bericë, me dëmtime në kokë dhe trup, dyshohet të shkaktuara me sende të forta”, njoftoi policia.
Sipas informacionit paraprak, 42-vjeçari është përfshirë në një konflikt për motive të dobëta, i cili ka nisur në Han të Hotit dhe ka vijuar gjatë rrugës drejt Koplikut.
Gjatë incidentit, drejtuesi i automjetit është goditur me sende të forta nga disa persona, të cilët gjatë konfliktit kanë qëlluar dhe me armë zjarri.
Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për parakalimin me makinë, ku nga Dogana e Hanit të Hotit dhe deri në Koplik dy personat kanë qenë në një “garë” në rrugë, e cila ka përfunduar me plumba.
Në vendngjarje janë angazhuar Shqiponjat dhe forca të shumta policie, të cilët po punojnë për kapjen e autorëve dhe për sqarimin e plotë të rrethanave./vizionplus.tv