
Këtë të enjtë prurjet në lumin Vjosë kanë arritur në nivelin maksimal në zonën e urës së Mifolit.
Sipas Kreut të Emergjencave Civile Haki Çako, ka një tendencë në rritje të prurjeve teksa rreziku është i madh që tokat bujqësore të përmbyten.
Në rast të daljes nga shtrati të lumit, do të ketë evakuime të banorëve dhe për këtë janë marrë të gjitha masat, tha Çako.
“Apeli është i qartë për të gjithë banorët përgjatë rrjedhës së lumit, përpara gjithçkaje është jeta e qytetarëve”, tha Çako.
Ndërkohë, në njësinë administrative Novoselë, pranë bregut të lumit Vjosë, vijon puna për përforcimin e argjinaturës së lumit me dhe e gurë për të parandaluar daljen e lumit nga shtrati.
Po ashtu forcat e Armatosura dhe strukturat vendore po punojnë për evakuimin e familjeve të prekura nga dalja e lumit Kalasë një ditë më parë dhe për zhbllokimin e rrugëve ndërmjet fshatrave.
Në Finiq gjithahstu po ndërhyhet për largimin e ujërave dhe mbështetjen e familjeve të zhvendosura, ndërsa në Selenicë po pastrohen rrëshqitjet në aksin Brataj–Kuç.