Sokol Mëngjesi në Athinë për mjekim të specializuar, Dhoma e Avokatisë paralajmëron bojkot të seancave për 3 ditë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Sokol Mëngjesi në Athinë për mjekim të specializuar, Dhoma e Avokatisë paralajmëron bojkot të seancave për 3 ditë

Dhoma Kombëtare e Avokatisë mbajti sot një mbledhje urgjente lidhur me situatën e avokatit Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua brutalisht nga disa persona javën e kaluar.

Burime për Vizion Plus bëjnë me dije se në mbledhje është propozuar që të bojkotohen seancat gjyqësore për tre ditë, sakaq në këto tre ditë do të zhvillohen seancat emergjente.

Gjatë fjalës së tij në mbledhje kryetari i Dhomës Kombëtare, Maksim Haxhia tha se është e patolerueshme dhuna ndaj çdo avokati.

“Dje kolegu ynë është çuar me një avion ambulancë në Greqi dhe parametrat shëndetësorë i ka në kuotat e mira. Trajtimi do të vazhdojë, pasi duhen ditë që të bëhet për t’u zgjuar nga koma artificiale për shkak të dëmtimeve që ka në sistemin nervor….Ne kemi përcjellë me shqetësim qëndrimet denigruese Dhomës së Avokatisë, avokatëve dhe profesionit tonë. Një qëndrim i tillë është mbajtur me kolegët në Durrës që i kanë lënë në ambiente të papërshtatshme. Përgëzoj Dhomën e Durrësit për qëndrimin unison. Kryetari i Gjykatës Durrës pranoi se situata me urdhrin që ka dhënë nuk ishte i përshtatshëm dhe urdhrin e revokoi për kushte optimale për avokatët. Këtë situatë e prisnim, por jo deri në këtë shkallë se reforma në drejtësi ka krijuar shumë probleme pasi u krijua një drejtësi diskriminuese sidomos ndaj avokatëve”, tha mes të tjerash Haxhia.

Advertisement

Avokati Sokol Mëngjesi u transportua me një avion sanitar drejt Athinës. Këtë gjë e konfirmoi për Vizion Plus gazetari Esido Barkaj. Transportimi i tij për mjekim më të specializuar në shtetin fqinj u kërkua nga familjarët e tij.

Mëngjesi prej 6 ditësh qëndroi në koma në spitalin e Traumës, ndërsa në skanerin që iu bë dje u vu re një zvogëlim i endemës në kokë, çka do të thotë se gjendja e tij po shkon drejt përmirësimit.

Kujtojmë se avokati u godit pasi la djalin e tij në kopsht nga katër persona. Dritan Nano, që dyshohet si organizator i sulmit dhe një tjetër nga dhunuesit e vetëdorëzuar u lanë një ditë më parë në burg nga gjykata.

Ata përballen me akuzën e plagosjes së rëndë me dashje të avokatit Sokol Mëngjesi. Në kërkim mbeten Drivald Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku./vizionplus.tv

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy