
Kjo e dielë do të jetë ditë zie kombëtare, në nder të ish kryeministrit dhe liderit të ps Fatos Nano, i cili ndërroi jetë këtë të premte. Të gjithë flamujt në institucionet shtetërore do të ulen në gjysmë shtizë dhe në orën 12:00 do të ndalojë çdo aktivitet për të mbajtur një minutë heshtje.
Në nderim të liderit historik të PS Fatos Nano do të zhvillohen në Pallatin e Kongreseve homazhe publike të cilat do të nisin në orën 08:30. Më pas nga ora 11:15-11:45 do të zhvillohen homazhet e personaliteteve shtetërore dhe të trupit diplomatik. Një pjesëtar i familjes së Nanos do të mbajë një fjalim, gjithashtu dhe kryeministri i Republikës, Edi Rama, i cili është dhe pasuesi i Fatos Nanos në këtë parti. Në ceremoni do të marrin pjesë edhe personalitete politike nga Kosova.
Në fund, me nderime, trupi i Nanos do të niset në orën 12:05 nga Pallati i Kongreseve për në banesën e fundit, që do të jetë në Sharrë.
Fatos Nano ndërroi jetë të premten e 31 tetorit në një prej spitaleve private në kryeqytet ku po qëndronte prej 24 ditësh. Gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ndjeshëm pas problemeve kronike kronike respiratorë. Së fundmi ai pësoi arrest kardiak e më pas vdekje klinike të trurit.
4 herë kryeministër i Shqipërisë, Fatos Nano do të mbahet mend si një lider historik i të majtës, vizionar për Shqipërinë dhe një prej figurave më të rëndësishme të politikës gjatë periudhës së tranzicionit./vizionplus.tv