
Kryebashkiaku aktual i Korçës Sotiraq Filo, do të garojë në 14 maj për të kërkuar mandatin e tretë.
Në një intervistë për Vizion Plus, Filo tha se në këto zgjedhje vjen me një bilanc pozitiv, teksa renditi disa nga investimet e bëra gjatë kësaj kohe.
“Është hera e tretë që unë kandidoj për kryebashkiak. Vijmë me një bilanc pozitiv duke nisur nga infrastruktura, nga qendra në periferi, ndërtimi i muzemumeve, rikonstruksioni i teatrit por dhe shumë projekte në disa zona”.
Filo më tej shpalosi edhe disa nga projektet madhore, që sipas tij do marrin jetë në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar.
“Në këtë fushatë vijmë para banorëve me bilanc pozitiv por edhe me projekte madhore, duke filluar me gazifikimin e qytetit të korcës për të përballuar ngrohjen në dimër, termoizolimin e të gjitha pallateve, ndërtimin e stadiumit. Ndërtimin e një hapësire të madhe mes disa fshatrave drenovë, Boboshticë dhe Qatrom ku do ndërtojmë një qendër evetesh dhe jete nate dhe lidhjen e kësaj hapësire me Korçën dhe fshatrat turistikë. . Do fillojmë punën për ndërtimin e aeroportit turistik. Jemi në hapat e para të masterplanit. Kemi projekt ndërtimin e një piste skish”.
Akuzave se në Korçë, kryebashkiaku qeveris bashkë me ministrin Niko Peleshi, Filo iu përgjigj se është i hapur për bashkëpunim me këdo që mbështet zhvillimin e qytetit.
“Qytetin e qeveris me Nikon, kryeministrin dhe shumë qytetarë që japin ide dhe kërkesa. Jam i hapur të bashkëpunoj me këdo që ka vullnet të vendos një gur për një qytet që të ecë përpara”.