
Prokuroria e Posaçme iu përgjigj pretendimit të ish- kryeministrit Sali Berisha se nuk ka marrë fletëthirrje për tu paraqitur në SPAK për 21- janarin.
SPAK thotë se Berishës i janë dërguar dy urdhër- thirrje, në datën 3 dhe 7 nëntor.
Fletëthirrja e parë është nisur në adresën e shtëpisë së tij dhe është kthyer mbrapsht me përgjigjen: “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.”
Ndërsa fletëthirrjen e 7 nëntorit, SPAK e ka dërguar në tri adresa: në shtëpi, në selinë e PD dhe në Kuvend.
Por në parlament, departamenti i burimeve njerëzore dhe trajtimit të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka njoftuar se “marrja në dorëzim e njoftimit është refuzuar nga stafi politik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike,”-sqaron SPAK publikisht. Po ashtu ish- kryeministri është njoftuar edhe përmes postës elektronike.
Sipas ligjit, i takon bindjes së prokurorit ta vendosë nëse do të thërrasë forcërisht një person apo jo. Pra, nëse i krijohet bindja se personi i thirrur nuk i përgjigjet urdhrit pa patur motiv të ligjshëm, atëherë prokurori vihet në lëvizje dhe i lind e drejta që ta shoqërojë atë në mënyrë të detyrueshme.
Mirëpo në rastin e Sali Berishës, do duhet që për të kryer shoqërim me forcë, SPAK t’i drejtohet Kuvendit, pasi mbrohet nga imuniteti i deputetit.