“SPAK ilaçi i hidhur që ose e pi ose vdes”, Rama: Po treteni te rrugica e “Shpresës” (FJALA E PLOTË)

Pinterest LinkedIn Tumblr +
“SPAK ilaçi i hidhur që ose e pi ose vdes”, Rama: Po treteni te rrugica e “Shpresës” (FJALA E PLOTË)

Sot në Kuvend po diskutohet projekt rezoluta anti korrupsion e propozuar nga mazhoranca. I pranishëm në seancën plenare ishte edhe kreu i qeverisë Edi Rama, i cili tha se kjo rezolutë është ajo që i duhet vendit dhe qytetarëve shqiptarë për të mbështetur anëtarësimin në Bashkimin Europian, në 2030.

Ai ka hedhur poshtë akuzat se rezoluta ka qëllime të fshehta për të vënë nën kontroll SPAK-un.

Fjala e plotë e Edi Ramës: 

Kjo draft rezolutë është çfarë i duhet nga ky Parlament sot, Republikës së Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë për të mbështetur anëtarësimin e shtetit shqiptar në Bashkimin Europian, në 2030.

Advertisement

Kjo nismë që merr jetë me këtë rezolutë nuk ka të bëjë asgjëkund me komentet që janë bërë nga burime te ndryshme.

Janë fantazuar qëllime të fshehta si vënia në kontroll e SPAK-ut apo është propaganduar se ne qenkemi kujtuar pas 10 vjetësh të luftojmë korrupsionin. Jo!

Ne jemi në luftë me korrupsionin që prej 10 vjetësh!

Prandaj ka ndodhur dhe reforma në drejtësi bashkë me lindjen e vetë SPAK-ut, i cili ka pasur, ka dhe do të ketë, të paktën deri sa të jem unë këtu, mbështetjen pa kushte të kësaj shumice.

Advertisement

SPAK-u është ilaçi i hidhur, që o e pi, o vdes dhe që kush e pi një herë po, e një herë jo, siç bëni ju të tjerët, jo nuk ka shans të vetëpastrohet dhe të vazhdojë vetëm përpara, por vetëm zgjat agoninë e vet dhe tretet siç po treteni ju tek “rrugica e shpresës”.

Pikërisht pse ne jemi futur në luftë me korrupsionin prej 10 vjetësh, kanë ndodhur edhe transformimi rrënjësor i shërbimeve publike, përmes digjitalizimit, bashkë me fundin e radhëve të pafundme dhe të bakshisheve të përhershme deri dhe për një certifikatë lindjeje.

Edhe reforma e prokurimeve publike, bashkë me 1 miliardë euro të kursyera nga tenderët dhe ngjitja e Shqipërisë nga vendi i fundit në të parin, në pikëzimin rajonal për këtë fushë, prandaj ka ndodhur edhe çelja e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Edhe proceset penale për zyrtarët e të gjitha niveleve, me hetimet, akuzat, dënimet e tyre po ndodhin pikërisht sepse lufta e nisur seriozisht 10 vjet më parë, kundër korrupsionit, është e vërtetë, është serioze dhe është pa kthim.

Advertisement

Prandaj kush rri dhe numëron, “u thirr ky e u thirr ai, u arrestua ky, u arrestua ai, u dënua ky, e u dënua ai”, duke e kthyer opozitën politike dhe mediatike në një llogore baltosjeje me iluzionin se do të na kthejë ne, popullin kundër, thjesht do të zhytet vetë përditë e përditë në atë baltë, do të zvogëlohet nga pafuqia dhe do të nxihet nga mëria.

Ata që nuk e kuptojnë se pa vizionin dhe vullnetin tonë shtetbërës, asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur dhe sot nuk do të kishte asnjë zyrtar të lidhur me pushtetin para drejtësisë, siç nuk pati kurrë asnjë, nga viti 1912 dhe deri para pak vitesh, ose nuk duan fare ta pranojnë se është kthyer rrota e historisë këtij vendi, ose nuk kanë forcë ta besojnë se Shqipëria, që s’u bë dot nga ata, po bëhet nga ne, ose pastaj nuk kanë asgjë me vlerë për të thënë dhe flasin pa pushim, duke provuar tamam këtë, shoqëruar edhe me shpullat sipër tavolinës.

Ndërsa ata që kujtojnë se lufta me korrupsionin në një shtet të ri demokratik, i cili deri para 10 vitesh kishte zgjedhje gjysmë të lira, çdo 4 vjet dhe liri vjedhjeje nga të katër anët 23 vjet, është një luftë që bëhet duke i rënë kazanit, “të iki Lena se do vijë Prena”, nuk e kanë idenë fare se sa larg realitetit të kësaj lufte janë.

Kjo nuk është një luftë vulgare për pushtet, por është një luftë për shtetbërjen demokratike, për institucione funksionale, për mekanizma shtetërorë, institucionalë, shoqërorë që shkojnë përtej “Lena-Prenave” dhe që ulin hap pas hapi, ndikimin e lartë të subjektivitetit njerëzor mbi çdo pjesë të makinerisë kushtetuese dhe ligjore, në funksionimin e Republikës, duke forcuar sundimin e ligjit mbi subjektet që veprojnë dhe ndërveprojnë mes veti apo me shtetin dhe mirëqeverisjen e tyre.

Advertisement

Nisma që merr jetë me këtë rezolutë, buron nga nevoja e thellimit të kësaj lufte dhe reflekton nivelin rritur të sfidës së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian me të gjitha detyrimet që burojnë  prej saj.

Kolegët dhe koleget e grupit parlamentar dhe të qeverisë me siguri do të japin plot detaje mbi këtë plan të ri reformimi, prandaj unë do ta mbyll me dy nënvizime kyçe.

I pari është për të gjithë shqiptarët. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se korrupsioni në Shqipëri është një kancer i trashëguar qysh nga shoqëria transaksionale otomane dhe deri tek kapitalizmi gjysmagjel i shtetit gjysmak të tranzicionit, të cilin kundërvënia jonë me vizion me reforma dhe me heqjen dorë nga kontrolli politik i drejtësisë ka nisur ta zmbraps, por ende nuk e ka mundur dhe prandaj korrupsioni është një fenomen shqetësues.

Ja pse ne dhe jo dikush tjetër vijmë sot në këtë Parlament me këtë nisëm, e cila dëshmon qartë se kjo forcë politikë në qeveri, jo vetëm nuk ka asnjë vetëkënaqësi apo lodhje me pushtetin, por ka një të atillë fuqi të brendshme për ndryshimin e vendit dhe vetëndryshimin e vazhdueshëm që e bën të jetë edhe opozita e vetme serioze e vetvetes.

Advertisement

Të dytën e kam për të gjithë deputet jashtë perimetrit të Partisë Socialistë në këtë sallë. Ashtu siç nuk u ndala reforma në drejtësi, as kjo nisëm e re në vazhdim të saj nuk ndalet, prandaj thirrja ime është votojeni sot draftin e rezolutës dhe po nuk e gjetët këtë forcë për ta bërë, mos e bojkotoni nesër Komisionin e Posaçëm Parlamentar që do të ngrihet menjëherë pas miratimit të saj. Sa herë që ju kam thënë në këtë sallë, kthejuni memories, 10 vjet e kusur, “mos e bëni këtë, mos bëni atë, këtë bëjeni, shikoni bëni këtë”, ka dalë siç iu kam thënë, jo siç keni bërë apo nuk keni bërë ju dhe e dini pse? Për një arsye shumë të thjeshtë. Jo se unë jam më i zgjuar apo më i zoti sesa ju, por sepse ju s’keni dashur kurrë ta mësoni se vendimmarrjet me shikimin deri tek hunda jote, rrugën që duket shumë e shkurt ta bëjnë pafundësisht të gjatë dhe prandaj ne jemi këtu dhe ju jeni aty.

Shëndet, me mend në kokë uroj se keni akoma shumë për të parë përpara se çfarë ne kemi nisur 10 vjet më parë të bitiset 5 vjet më pas kur flamuri i Shqipërisë, doni apo nuk doni ju, do jetë gati për t’u ngulur në oborrin e shteteve të Bashkimit Europian në Bruksel!

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy