Tatimet: Nuk ka gabime në përllogaritjen e kësteve, çfarë duhet të bëjnë bizneset

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Tatimet: Nuk ka gabime në përllogaritjen e kësteve, çfarë duhet të bëjnë bizneset

Teksa mijëra biznese ankohen për detyrime të larta që duhet të paguajnë, për efekt të ligjit për profesionet e lira, administrata tatimore shprehet e bindur se nuk ka gabime në kalkulime. Rozana Çelmeta drejtore e procesit të biznesit në DPT gjatë një interviste me gazetaren Rajmonda Lajthia në E-ZONE sqaroi se ankesat e biznesit vijnë nga fakti se po tatohet për herë të parë.

“Dua të siguroj të gjithë bizneset se nuk ka gabime në përllogaritje të këstit të tatim fitimit. Kemi bërë një punë voluminoze dhe çdo llogari ka dalë nga vet shifrat e fitimeve që biznesi ka deklaruar. Ankesat lidhen më së shumti me perceptimin dhe me faktin se kjo kategori biznesi nuk ka paguar tatim fitimin më parë dhe kjo është hera e parë e përballjes.  Megjithatë cilido që do të ketë kundërshti për detyrimin, qasja jonë në çdo drejtori rajonale është që biznesi ta ankimojë dhe ta verifikojë me inspektorët, pasi ne do të jemi suportues”, sqaroi Çelmeta në E-ZONE, Vizon Plus      

Por bizneset thonë se tatimet kanë gabuar duke mos përllogaritur 30 % të shpenzimeve si të zbritshme. Por si është e vërteta?

“Ligji parashikon që tatimpaguesit me qarkullim deri në 10 milion lekë i ofrohen dy mundësi për të përllogaritur detyrimin. Njëra është që të njohin apriori 30% të shpenzimeve të tyre, në varësi të aktivitetit, sipas një tabele të përcaktuar nga qeveria, pavarësisht nëse i kanë të dokumentuara. Mundësia e dytë është t’i deklarojnë vet shpenzimet. Në këtë rast në përllogaritjen e kësteve zbritja apriori e 30% nuk është përfshirë. Për këtë kategori që ka qarkullim vjetor deri në 10 mln lekë në deklaratën vjetore që do të plotësojnë  në vitin e ardhshëm do të kenë mundësi që të zgjedhin opsionin për njohjen e shpenzimeve. Është  një e drejtë e tyre. Kjo nuk bëhet paraprakisht. Kjo realizohet në momentin që plotësohet deklarata dhe patjetër që do tu njihet e drejta në 2025”, deklaroi Çelmeta në Vizion Plus

Advertisement

Por ka një kategori biznesesh që po verifikohen nga tatimet, për efekt parregullsie

“Një numër i vogël tatimpaguesish që ne po i verifikojmë, sepse ka disa ankesa sporadike. Duke qenë se gjatë vitit të mëparshëm kanë qenë me dy përgjegjësi tatimore, fillimisht me tatim të thjeshtuar mbi fitimin dhe më pas kanë kaluar në tatim fitimi, administrata mund të ketë përllogaritur vetëm njërin prej regjimeve dhe kjo ka sjellë që kësti të dalë i lartë ose i ulët. Këto janë bizneset që ne po kalojmë edhe një herë në kontroll dhe  këstet do të rillogariten.”

Tatimet sqarojnë se afati i fundit i pagesës së këstit të parë të tatim fitimit është data 30 qershor./vizionplus.tv

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy