
Lulzim Basha ka takuar demokratët e Kurbinit duke i ftuar të ndahen nga e shkuara që është Sali Berisha e të shohin drejt të ardhmes. Basha ka premtuar se ai mund ta udhëheqë PD-në drejt fitores, duke theksuar se ai gëzon edhe mbështetjen e SHBA-së.
“Për të rrëzuar tiraninë duhet të plotësojmë dy kushte e para: të qëndrojmë në krah të njëri-tjetrit me mendje hapur, të vendosur, të qartë, plot shpresë për të ardhmen; e dyta mos e humbasim busullën tonë, busullën e PD, partisë euro atlantike, antikomuniste, pro perëndimore, pro amerikane.”
Basha ka akuzuar Sali Berishën se për interesin e tij personal po dëmton Partinë Demokratike, duke ndihmuar kryeministrin Edi Rama.
“Ata që duan ta përçajnë PD, e bëjnë për hesap të Edi Ramës, atyre u themi pa asnjë dilemë: ndal ose jashtë. Këta janë një grusht njerëzish.”
Basha iu bëri thirrje demokratëve që sot mbështesin Sali Berishën, të distancohen nga lideri historik i PD.
Por, pavarësisht këtyre apeleve, vizita e Lulzim Bashës në Kurbin u shoqërua sërish me protesta nga ata që mbështesin Sali Berishën.