Videomesazhi i Veliaj: “Sot, Tirana shumë larg qytetit që gjetëm 8 vite më pare; Kemi rikthyer rregullin, disiplinën dhe ligjshmërinë”

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Videomesazhi i Veliaj: “Sot, Tirana shumë larg qytetit që gjetëm 8 vite më pare; Kemi rikthyer rregullin, disiplinën dhe ligjshmërinë”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ikete jave videomesazhin ia kushtoi vendosjes së rregullit, kthimit të ligjshmërisë dhe pastërtisë në qytet.

 

Ai kujtoi se si ishte Tirana 8 vite më parë, teksa shtoi se sot, shumë prej hapësirave publike që ishin zaptuar u janë rikthyer qytetarëve. Veliaj nënvizoi se rregulli, pastërtia dhe ligjshmëria në jetën e përditshme të qytetit është një element shumë i rëndësishëm për zhvillimin dhe transformimin e kryeqytetit sepse pa rregull, pa rend, pa disiplinë, qyteti do të zhytej në kaosin e viteve ‘90.

 

Advertisement

“8 vjet më parë, kur morëm detyrën, u përballëm me një situatë thuajse anarkie në rrugët e qytetit tonë, me ndërtime pa leje, zona publike të zaptuara si të ishin pa zot, trotuaret ishin kthyer në makth për qytetarët, parkingjet ziheshin nga arkat e birrës. Mungesa e rregullit në qytet ishte një shqetësim kronik për nënat me karroca, rrugët e pasigurta për fëmijët që shkonin në shkollë, këmbësorët që nuk dinin nga të kalonin mes lokaleve që i vendosnin tavolinat e karriget në mes të rrugës dhe shitësve ambulantë që shisnin në kushte jo higjienike, në çdo oborr shkolle dhe në çdo cep pallati apo trotuar. Ky ishte imazhi i një Tirane që askush nuk ndihet krenar kur e kujton”, kujtoi Veliaj.

 

Kryebashkiaku tha se nuk jemi ende aty ky duhet, por padyshim që sot Tirana është shumë herë më e rregullt dhe më e disiplinuar.

 

Advertisement

“Në qytet ka rregull falë një trupe dinjitoze, të mirëtrajnuar dhe të disiplinuar, që është sot Policia moderne Bashkiake, e cila gjithashtu ka zbutur edhe hendekun gjinor që ekzistonte më parë në këtë institucion, duke rekrutuar 100 vajza police bashkiake nga vetëm 1 që kishte. Sot kjo trupë i përgjigjet denjësisht nevojave dhe halleve të qytetarëve. I jam shumë mirënjohës trupës tonë të Policisë Bashkiake për të gjithë përkushtimin dhe angazhimin e përditshëm që Tirana të jetë më e sensibilizuar, të jetë më qetë, më e paqtë më e sigurt dhe e rregullt”, tha ai.

 

Sipas Veliajt, në vitet 2011-2014 Policia Bashkiake merrte mesatarisht 4,600 raportime, ndërsa nga 2019-2022 ka marrë 117,000 raportime dhe ka adresuar 25 herë më shumë çështje dhe problematika të qytetarëve.

 

Advertisement

“Sigurisht, nuk jemi ende në ambicien tonë më të lartë, por kemi arritur të shmangim ndërtimet e zaptimet e paligjshme, që nga rrugët kryesore e deri në brendësi të lagjeve nëpër cepa pallatesh. Ato që ndodhën në vitet ‘90 sot nuk ndodhin më dhe kemi rikthyer shumë hapësira publike tek banorët dhe këmbësorët e qytetit,” shtoi ai.

 

Veliaj foli me fakte sa i përket ndërhyrjes ndaj informalitetit në Tiranë.

 

Advertisement

 

“Deri sot janë kryer mbi 980 ndërhyrje për lirimin e zonave të ndryshme nga ndërtimet informale dhe 950 ndërhyrje për t’i hapur udhën projekteve, rrugës te Astiri apo një shkolle, kopshti, çerdhe, apo ndërtimeve të infrastrukturës së tërmetit te lagjia “5 Maji”, apo në zonat ikonike të qytetit, siç ka qenë çlirimi i sheshit Skënderbej, i Pazarit, i Kalasë, i Liqenit të Tiranës. Informaliteti i ndërtimit është ulur me 95% dhe kjo falë, jo vetëm reagimit të menjëhershëm të Inspektoriatit të Ndërtimit, por edhe asaj të qytetarëve, të cilët njoftojnë në kohë reale sapo dikush vendos gabimisht një tullë, apo bën një ndërhyrje edhe duke përdorur aplikacione si Tirana Ime,” deklaroi ai.

 

Mandej, ai u shpreh se edhe shërbimi i transportit publik është përmirësuar ndjeshëm.

Advertisement

 

“Ambicia jonë është që Tirana të ketë rregullin dhe ligjshmërinë e një qyteti të denjë europian. Kjo shpjegon pse në vijim të pesëvjeçarit tjetër do të vazhdojmë të mbetemi të angazhuar që të ecim me reformat, dhe rritjen e kapaciteteve, si dhe me modernizimin e shërbimeve, për të siguruar ligjshmëri dhe disiplinë në çdo cep të qytetit dhe ruajtur hapësirat tona të përbashkëta,” e mbylli Veliaj videomesazhin e tij.

 

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy