
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka lënë në burg pa afat Marjan Kodhelin, i cili akuzohet se ka vrarë me thikë babain e tij, Pjetër Kodheli.
Ngjarja e rëndë ndodhi të martën e kaluar në fshatin Shkallnur të Durrësit, pas një grindje në banesën e familjes Kodheli.
Në seancën e vlerësimit të sigurisë prokurorja e çështjes Matilda Fetahu ka thënë se janë marë dëshmitë e familjarëve pas ngjarjes nga ku rezulton se Marjani ka qenë i mërzitur atë ditë.
E ëma e tij ka treguar se “Marjani gjatë ditës ishte i mërzitur”.
Në momentin që ajo ka dalë jashtë për t’u kujdesur për bagëtitë, ka dëgjuar britmat e Pjetrit dhe më pas është kthyer në banesë, ku ka parë Marjanin duke e goditur të atin me thikë në trup.
Ajo ka tentuar t’ia marrë thikën, por nuk ka mundur. Pasi ishte larguar nga banesa, ishte kthyer sërish për të marrë celularin. Meqë e ëma i kishte hequr thikën nga dora, ai kishte marrë një shufër hekuri dhe e ka goditur sërish të atin dy herë të tjera, përpara se të merrte celularin dhe të largohej përfundimisht nga banesa”.
Vetë autori ka deklaruar në lidhje me ngjarjen se: “Pasi kishin ngrënë drekë së bashku me familjen, i ati i kishte kërkuar të ishte më i kujdesshëm në pritjen e njerëzve dhe në sjellje ndaj tyre. Ai i ishte përgjigjur “këtu jam”, ndërsa shikonte telefonin. Në atë moment, i ati e kishte kapur për fyti dhe ai ishte ndjerë i bllokuar. Aty pranë kishte kapur një thikë dhe kishte goditur të atin”.
Avokatja që e mbron në këtë çështje Marjan Kodhelin është shprehur në seancë se ende nuk arrin t’i kuptojë sjelljet e tij, pasi ai vuan nga probleme të shëndetit mendor duke kërkuar caktimin e masës “rehabilitim në një spital psikiatrike”.
Pak para se të jepej vendimi, Marjan Kodheli është shprehur në sallën e gjyqit se nuk është dakord që është person i rrezikshëm.
“Mua po më sulmonin, nuk e di kush me ka sulmuar. Mund të ketë qenë dikush tjeter që e ka sulmuar. Më vjen shumë keq që jam këtu për nje situatë të tillë. Mbase bëjmë nje seancë tjetër kur të jem më i qetë. Unë nuk jam njeri agresiv, jam marrë me punë të ndershme në ndërtim”.
Në fund seanca e drejtuar nga gjyqtari Xhevdet Lika vlerësoi të ligjshëm arrestimin duke e lënë shtetasin Marian Kodheli në burg pa afat.