Lidhja misterioze mes Covid-19 dhe gjumit

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Lidhja misterioze mes Covid-19 dhe gjumit

Shumë prej atyre që e kanë kaluar Covid-19 e kanë provuar pagjumësinë. Vështirësia për të fjetur, zgjimet e përsëritura dhe ankthi kanë qenë karakteristike për një pjesë të madhe të pacientëve. Të tjerë, të përshtatur me ritmin e qëndrimit në shtëpi mund të kenë fjetur më mirë. Studime të fundit sugjerojnë se gjumi i mirë dhe hormoni rregullues, melatonina, mund të favorizojnë përgjigjen e sistemit imunitar ndaj kërcënimit që shkakton virusi.

“Huffington Post” ka pyetur për këtë Luigi De Gennaro, profesor i psikofiziologjisë së gjumit në Universitetin La Sapienza të Romës dhe sekretar i Shoqatës Italiane të Mjekësisë së Gjumit. Ai thotë se gjatë karantinës u vunë re dy fenomene të kundërta në marrëdhëniet e individëve me gjumin.

“E para, e njohur mirë, ka të bëjë me rritjen e çrregullimeve të gjumit (pagjumësia reaktive e lidhur me gjendje ankthi-depresive, stresi; pagjumësia e lidhur me ndryshimin e ritmit biologjik dhe aktivitetet e përditshme të individit), që në disa raste janë konsoliduar me kalimin e muajve. Ky është një aspekt me të cilin duhet të lidhet rritja e konsumit të ilaçeve të gjumit gjatë pandemisë”, thotë profesori De Gennaro.

“Fenomeni i dytë”, thotë psikofiziologu, “është më pak i pritshëm dhe ka të bëjë me individët, ritmet cirkardiane të të cilëve kanë përfituar nga izolimi. Në kushte normale, shumë njerëz, për shkak të nevojave profesionale ose personale, mund të bëjnë më pak gjumë: në sajë të karantinës, disa kanë mundur të flenë më shumë”.

Advertisement

Një studim i fundit i botuar nga revista amerikane The Atlantic shprehet se “funksionimi i duhur i ritmit të gjumë-zgjim ndihmon për të parandaluar që përgjigjet tona imunitare të mos bien. Në këtë aspekt, profesor De Gennaro shprehet se “ndërhyrja në rregullimin e gjumit është sigurisht e duhura në lidhje me ekspozimin ndaj infeksionit: çrregullimet e ritmit cirkadian, në fakt, shoqërohen me aspekte të ndryshme të depresionit imunitar. Ne ende nuk kemi studime në lidhje me Covid por, për shembull, shumë punime shkencore kanë gjetur lidhje mes cilësisë së dobët dhe të dobët të gjumit dhe një shansi më të madh për t’u prekur nga gripi”.

Këto ditë, ajo që po zgjon vëmendjen e komunitetit shkencor është melatonina, një hormon i prodhuar natyrshëm nga trupi ynë për të rregulluar ciklin e gjumit. Kjo është në qendër të një kërkimi amerikan të botuar në revistën “Plos Biology”. Sipas studimit të kryer nga shkencëtarë nga Klinika Cleveland, një qendër kërkimore me seli në Ohio, hormoni shoqërohet me një “probabilitet të zvogëluar prej gati 30% të pozitivitetit në testin diagnostik për Sars-Cov-2”. Meqenëse këto rezultate janë prodhuar në bazë të simulimeve dhe analizave të të dhënave statistikore, duhet të specifikohet se tani për tani nuk ka asnjë provë të lidhjes shkak-efekt të përfitimit dhe të faktit se suplementet e bazuara në melatoninë kanë një veprim mbrojtës kundër virusit.

Studiuesit, të koordinuar nga profesor Feixiong Cheng i Institutit të Mjekësisë Genomike të Klinikës Cleveland, u nisën fillimisht nga supozimi se infeksioni Sars-Cov-2 ka elemente të përbashkëta me sëmundje të tjera (sëmundje të frymëmarrjes, kardiovaskulare, autoimune dhe neurologjike etj.) dhe që jo vetëm përfshin mushkëritë, por edhe organe të tjera (të tilla si zemra, truri, lëkura etj). Kështu që është hetuar nëse dhe cilat substanca tashmë ekzistuese dhe të përdorura për patologji të tjera mund të demonstrojnë efikasitet në përgjigjen ndaj Covid-19.

Pasi përjashtuan faktorët që mund të shkaktonin konfuzion (prania e patologjive të tjera, pirja e duhanit, etj.), shkencëtarët gjetën dobinë e mundshme të 34 molekulave në kontekstin e infeksionit Sars-Cov-2. Në veçanti, marrja e melatoninës u shoqërua me një ulje mesatare prej 28% të rrezikut të testimit pozitiv për virusin: ky është një rezultat që do të konfirmohet me studime të mëtejshme edhe për shkak të faktit se, të dhënat tani për tani janë të një natyre thjesht statistikore.

Advertisement

Hormoni, thekson studimi, mund të jetë një përfitim i veçantë për të moshuarit, pasi prodhimi i tij natyror zvogëlohet me rritjen e moshës. Për më tepër, melatonina duket se është e dobishme për të luftuar disa procese inflamatore, përfshirë ato në mushkëri. Në artikullin e botuar nga The Atlantic, thuhet se tetë prova klinike janë në proces aktualisht në të gjithë botën për të studiuar marrëdhëniet midis melatoninës dhe virusit.

Përktheu: Gazmira Sokoli 

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy