Pëllumb Pipero shpjegon shtimin e infektimeve: Qytetarët të kenë kujdes si në fillim, ja pse po shënohen raste të reja me Covid-19

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Pëllumb Pipero shpjegon shtimin e infektimeve: Qytetarët të kenë kujdes si në fillim, ja pse po shënohen raste të reja me Covid-19

Infeksionist Pëllumb Pipero u bën apel qytetarëve të jenë të ndërgjegjshëm, pasi virusi vazhdon të qarkullojë edhe pse me virulencë të rënë dhe me transmetueshmëri të ulët.

Lidhur me numrin e lartë të 42 rasteve në 24 orët e fundit në vendin tonë, mjeku Pipero në një intervistë për ATSH-në thekson se “lehtësimi dhe heqja totalisht e masave kufizuese, shtimi i aktiviteteve ekonomike, hapja e bareve, restoranteve, e hoteleve ka një rol të rëndësishëm dhe në këtë aspekt pritej shtimi i numrit të rasteve pozitivë”.

“Së dyti, është edhe hapja e aktiviteteve të tjera ekonomike që gjithashtu e shtonte mundësinë për të patur një numër të shtuar. Koincidoi që krahas me hapjen apo me heqjen e masave kufizuese pati edhe protesta, madje edhe mitingje, të cilat gjithashtu shtojnë mundësinë e kontakteve të ekspozimit, si dhe ndikojnë fort në shtimin e rasteve pozitive”, nënvizoi Pipero.

Një arsye tjetër, vijoi Pipero, është edhe një lloj shkujdesjeje që vërehet tek qytetarët në raport me vizitat në mjedise publike, mbajtjen e maskës dhe ruajtjes së distancës fizike dhe ky është një fakt që nuk duhet neglizhuar.

Advertisement

Për mjekun Pipero një arsye tjetër është shtimi i rasteve në spitale.

“Një arsye tjetër, që natyrisht nuk është kryesore, por edhe ajo ndikon, është shtimi i numrit të tamponeve apo analizave, të cilat kryesisht gjurmojnë rastet klinike, por edhe kontaktet e kontakteve. Pra në këtë këndvështrim janë disa indikatorë të rëndësishëm, të cilët na e justifikojnë rritjen e rasteve pozitive”, sqaroi Pipero.

Rastet pozitivë mua si specialist, shtoi ai, nuk më shqetësojnë, shqetësues është fakti që krahas rritjes së numrave të rasteve pozitive ne kemi edhe numra të shtuar të rasteve të shtruar në spital.

Sipas tij, është një situatë që duhet të analizohet, por beson që është e përkohshme.

Advertisement

Duke u përcjellë një apel qytetarëve, mjeku Pipero tha se “duhet të jemi të ndërgjegjshëm që virusi vazhdon të qarkullojë edhe pse me virulencë të rënë dhe me transmetueshmëri të ulët. Ky konstatim klinik nga ana jonë tashmë është në një konstatim dhe evidencë e faktuar edhe me studime nga kolegët tanë nga vende të tjera të botës”.

Por, shtoi ai, gjithsesi virusi vijon të qarkullojë dhe të prekë jo vetëm moshat e vjetra, por edhe moshat më të reja, ndaj të gjithë qytetarët i këshilloj të vazhdojnë të kenë kujdes si në fillimet e kësaj epidemie në vendin tonë.

“Në mënyrë që të mos kemi kthim mbrapa në masa shtrënguese. Kujdes do të thotë të ruajmë distancën fizike dhe të vendosim maska në mjedise publike, krahas kujdesit të vazhdueshëm për higjienën e duarve. Kaq mjafton”, – tha Pipero.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy