Pse nuk po vaksinohen evropiano-lindorët?

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Pse nuk po vaksinohen evropiano-lindorët?

Nga Kristen Ghodsee& Mitchell A.Orenstein “Project Syndicate”

Teksa javët e fundit Evropa është bërë sërish epiqendra globale e pandemisë COVID-19, rritja e rasteve të koronavirusit, shtrimeve në spital dhe vdekjeve, kanë nxjerrë në pah hezitimin e vazhdueshëm ndaj vaksinave, sidomos nga një grup evropianësh:atyre në Lindjen e dikurshme komuniste.

Ndërsa 75.6 për qind e qytetarëve të Bashkimit Evropian janë plotësisht të vaksinuar, përqindja në Bullgari është vetëm 26.2 për qind, ndërsa në Rumani dhe 39.6 për qind. Në vendet jashtë BE-së, shifrat janë akoma më të ulëta. Kështu, vetëm 20.2 për qind e popullsisë së Ukrainës dhe 36.3 për qind e asaj ruse është vaksinuar plotësisht.

Por çfarë nuk shkon me Evropën Lindore? Kjo dukuri përmblidhet me një fjalë:dezinformim. Rajoni është zhytur në këtë të fundit, çka është një trashëgimi e dëmtimit të besimit të publikut tek institucionet qeveritare pas komunizmit. Teoritë e ethshme të konspiracionit, i kanë mbërthyer këto vende si hija e koronavirusit.

Advertisement

Një mjeke ukrainase e përmblodhi kështu situatën në vendin e saj:“Historitë e rreme janë përhapur gjerësisht në vend, duke i bërë njerëzit të besojnë tek mikroçipet dhe mutacionet gjenetike … Disa priftërinj ortodoksë u kanë kërkuar hapur dhe në mënyrë agresive njerëzve që të mos vaksinohen, ndërsa rrjetet sociale janë mbushur me thashethemet nga më absurdet. Ukrainasit kanë mësuar që të mos i besojnë çdo lloj nisme të autoriteteve, dhe vaksinimi nuk përbën një përjashtim”.

Ndërsa normat e vdekjeve po i tejkalojnë tashmë kulmet e mëparshme dhe frika është duke u shtuar, ndërkohë po rritet edhe shkalla e vaksinimit. Por në shumë vende janë shumë të përhapura certifikatat e rreme të vaksinimit dhe rezultatet e testit PCR.

Për shembull, në Bullgari certifikatat e vaksinimit dhe rezultatet e testeve mund të blihen për 150-300 euro, dhe askush nuk e di se sa shumë dokumente të tilla janë në qarkullim. Edhe ata që kanë parë shumë prej miqve të tyre të ndërrojnë jetë,ende këmbëngulin se vaksinat janë të rrezikshme, pasi përmbajnë nanobote, apo se ato do të rishkruajnë ADN-në e tyre, apo se siguria publike nuk mund të lihet në dorë të korporatave globale farmaceutike që i prodhojnë ato.

Sigurisht që thashethemet dhe dezinformimi janë gjithashtu të përhapura edhe në Perëndim. “Fox News”, që është edhe kanali më i ndjekur i lajmeve kabllore në Shtetet e Bashkuara, ka përhapur për vite me radhë informacione të pasakta për sa i përket vaksinave.

Advertisement

Por aktualisht 70 për qind e amerikanë në moshë madhore, janë plotësisht të vaksinuar. Pse atëherë kaq shumë evropianolindorë janë më të ndjeshëm ndaj tyre ? Niveli i ulët i besimit të publikut që spikat në Evropën Lindore, ka mbetur si trashëgimi që prej rënies së komunizmit, recesioneve të thella tranzitore në shumë vende, dhe dështimit të qeverive postkomuniste për të zbutur efektet.

Ndërsa një artikull shumë i njohur i “Reuters” raporton se opinioni i të ashtuquajturve “ekspertë” të paidentifikuar fajëson “dekadat e sundimit komunist për humbjen e besimit të publikut tek institucionet shtetërore”, kur në fakt besimi i publikut tek autoritete ishte shumë më i lartë në komunizëm.

Gjatë kohës që shkruanim librit tonë më të fundit, “Analiza e tronditjes:Pasojat sociale të revolucioneve të 1989-ës”, ne shqyrtuam mungesën e besimit tek publiku evropiano-lindor, duke përdorur të dhëna nga anketa e “Vlerave Botërore” dhe anketa e “Jetës në Tranzicion” të mundësuara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Me pak përjashtime, anketa e “Vlerave Botërore” tregonte një rënie të vazhdueshme në vendet ish-komuniste të përqindjes së njerëzve, që pajtoheshin me thënien se “shumicës së njerëzve mund t’u besohet”.

Advertisement

Kjo rënie ishte më e dukshme në vendet që u prekën më shumë nga recesioni postkomunist, dhe nuk u kthye më kur pati rritje ekonomike. Ndërkohë, besimi i publikut vazhdonte të binte edhe më shumë. Në Bullgari, midis viteve 1995-1998, ndër vitet më të vështira tranzitore të recesionit, 23.7 për qind e të anketuarve kishin besim tek bashkëkombasit e tyre, krahasuar me vetëm 17.1 për qind në vitet 2017-2020.

Në Rumani, besimi mes qytetarëve ra nga 17.9 për qind, në 12.1 për qind po në atë periudhë. Edhe në rastet relativisht të suksesshme të Polonisë dhe Republikës Çeke, për të cilat anketa e “Vlerave Botërore” ka të dhëna më të plota, besimi ra gjatë tranzicionit postkomunist.

Në vitet 1989-92, 31.3 për qind e polakëve dhe 30.2 për qind e çekëve besonin se mund t’i besohej shumicës së njerëzve. Në vitet 2017-2020, kjo përqindje ishte dukshëm më e ulët -respektivisht 24.1 për qind, dhe 21.1 për qind.

Në mënyrë të dukshme, ndërsa besimi social ra në Evropën Lindore midis viteve 1991-2007, ai pësoi rritje në Evropën Perëndimore. Në vitin 2006, BERZH kreu anketën e saj masive “Jeta në Tranzicion”, duke zhvilluar 1000 intervista ballë për ballë në 28 vendet postkomuniste.

Advertisement

Ajo zbuloi se ndërsa para vitit 1989, 2/3 e të anketuarve besonin se mund t’i besoje shumicës së njerëzve, 17 vjet më vonë vetëm rreth 1/3 ranë dakord se mund t’i besohej shumicës së njerëzve. Ky rezultat, ishte i konstant në të gjitha rajonet dhe vendet, ku shumica e të anketuarve nga të gjitha grupmoshat dhe kategoritë, ishin të mendimit se njerëzit ishin “më të besueshëm” në periudhën e komunizmit.

Nuk ishte për t’u habitur që zhgënjimi i pësuar për shkak të pasojave të tranzicionit, e uli në mënyrë të ndjeshme besimin e përgjithshëm për institucionet publike (përfshirë qeverinë, parlamentin, gjykatat, ushtrinë dhe policinë) në të gjithë rajonin post-komunist duke nisur nga viti 1990 deri në vitin 2010.

Nga viti 1990 deri në vitin 2013, besimi tek institucionet politike në Evropën Qendrore dhe Lindore u përgjysmua. Duke analizuar këto të dhëna, Erik Berglöf, që në atë kohë ishte krye-ekonomist i BERZH, arriti në përfundimin se:“Është e rëndësishme të kihet parasysh se nuk duhet nënvlerësuar dëmi i shkaktuar gjatë atyre kohërave të vështira, jo vetëm në aspektin e mirëqenies materiale, por gjithashtu edhe në nivelet e përgjithshme të besimit dhe mirëqenies subjektive.”

Në fakt, të dhënat e sondazhit nxjerrin në pah një fakt jo shumë të njohur:recesionet postkomuniste, ishin më të këqijat në historinë moderne, edhe më të këqija se sa Depresioni i Madh. Por jo të gjitha vendet vuajtën njësoj.

Advertisement

Ndërsa një pjesë e madhe, veçanërisht vendet e Evropës Qendrore, e rimorën relativisht shpejt vetën, dhe patën progres në arritjen e normave të BE-së, shumë të tjerë pësuan humbje të paimagjinueshme.

Vendet postkomuniste me nivele mesatare të rritjes, u rikthyen në nivelet e prodhimit ekonomik të para vitit 1989 vetëm pas 17 vjetësh, duke ushqyer kështu një trashëgimi të thellë të mosbesimit, dhe ndjenjën e thellë të braktisjes së këtyre vendeve, që nën komunizëm kishin nxitur kulturën e ndihmës reciproke mes njëri-tjetrit.

Përvoja e Evropës Lindore me pandeminë, tregon se disa vende ende nuk e kanë rikuperuar humbjen e thellë të besimit të publikut që ka nisur pas vitit 1989. Shumë më përpara se të shpërthente kriza, këto vende ishin bërë një terren mjaft pjellor për fushatat dezinformuese -në shumicën e rasteve me origjinë ruse – që përpiqeshin ta kthenin opinioni publik kundër BE-së, Perëndimit dhe kundër ekspertëve të suksesshëm në vendet e tyre.

Shkalla e lartë e mosbesimit ndaj vaksinave që mbizotëronte në rajon, si dhe shkalla në rritje e fataliteteve janë rezultat i dukshëm i këtij mosbesimi – një rezultat ky që nuk pasqyron dekadat e sundimit komunist, por më së shumti pasojat sociale që kanë zgjatur ndër dekada që prej kohës së rënies së tij.

Advertisement

Shënim:Kristen Ghodsee, profesore e Studimeve Ruse dhe të Evropës Lindore. Mitchell A. Orenstein, profesor i Studimeve Ruse dhe Evropës Lindore dhe Shkencave Politike në Universitetin e Pensilvanisë.(CNA.al)

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy