Studimi: Autizmi nis që në barkun e nënës

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Studimi: Autizmi nis që në barkun e nënës

Autizmi diagnostikohet zakonisht pas 18 muajve të parë të jetës. Megjithatë, ky çrregullim i zhvillimit nis që në barkun e nënës. Një studim i ri ka arritur në përfundimin se qeliza atipike zhvillohen në tru që në fazat e hershme të organizimit të tij.

Studimi është kryer nga shkencëtarët në King’s College London dhe Cambridge University dhe është botuar në revistën shkencore “Psikiatria biologjike”.

Studiuesit thonë se kanë ekzaminuar qelizat staminale pluripotente të indukuara, ose iPSC, për të modeluar zhvillimin e hershëm të trurit. “Gjetjet tona tregojnë se qelizat e trurit të marra nga autikët zhvillohen ndryshe nga ato të individëve të tjerë”, thotë Deepak Srivastava, një nga autorët e studimit.

Studiuesit izoluan mostra të flokëve nga nëntë persona autikë dhe gjashtë njerëz të tjerë me zhvillim normal. Duke trajtuar qelizat me një varg faktorësh të rritjes, shkencëtarët arritën t’i orientonin qelizat e flokëve të bëhen qeliza nervore, ose neurone – pak a shumë si ato që gjenden në korteksin ose rajonin e trurit të mesëm. iPSC-të ruajnë identitetin gjenetik të personit nga i cili kanë ardhur dhe qelizat rifillojnë zhvillimin e tyre siç do të kishte ndodhur në mitër, duke siguruar një dritare në zhvillimin e trurit të këtij personi.

Advertisement

Në faza të ndryshme, autorët ekzaminuan pamjen e qelizave në zhvillim dhe renditën ARN-në e tyre, për të parë se cilat gjene po shprehnin qelizat.

Në ditën e 9-të, neuronet në zhvillim nga njerëzit pa çrregullime të autizmit formuan “rozeta nervore”, një formë e ndërlikuar, e ngjashme me luleradhiqen, treguese e neuroneve tipike në zhvillim. Qelizat nga autikët formuan rozeta më të vogla ose nuk formuan rozeta fare. Dhe gjenet kryesore të zhvillimit u shprehën në nivele më të ulëta në qelizat nga njerëzit autikë.

Në ditët 21 dhe 35, qelizat nga njerëzit tipikë dhe autikë ndryshuan ndjeshëm në shumë mënyra, duke sugjeruar që përbërja e neuroneve në korteks ndryshon në trurin autik dhe atë të zakonshëm në zhvillim.

Prof.dr. John Krystal, kryeredaktor i revistës ku u botua studimi, thotë se “shfaqja e ndryshimeve të lidhura me autizmin në këto qeliza nervore tregon se këto ndryshime lindin shumë herët në jetë”.

Advertisement

Në kontrast me ndryshimet që shihen në neuronet kortikale, qelizat e drejtuara për t’u zhvilluar si neurone të trurit të mesëm – një rajon i trurit që nuk është i implikuar në mosfunksionimin e autizmit – treguan vetëm ndryshime të papërfillshme midis njerëzve tipikë dhe autikë.

Studiuesit thonë se ky hulumtim duhet të shërbejë për të kuptuar më mirë zhvillimin e trurit në individët autikë dhe ata të zakonshëm.

Truri ka qenë kutia e zezë e fundit. Këtu, autorët kanë përdorur qelizat nervore që rrjedhin nga qelizat staminale periferike për të parë çfarë ka brenda kësaj “kutie”. Ky studim i rëndësishëm sugjeron që kjo është e mundur dhe po thellon kuptimin tonë për autizmin“, shtoi Dr. Krystal.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy