Vaksina anti-covid, çfarë dihet deri tani për alergjitë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Vaksina anti-covid, çfarë dihet deri tani për alergjitë

Zana është një grua te të 65-at, e cila vuan nga hipertensioni. Pandemia COVID-19 e ka bërë të tregohet më e vëmendshme ndaj shëndetit, ndërkohë që mezi pret të marrë dozat e vaksinës anti-COVID.

“Kam të afërmit e mi në Amerikë dhe ata e kanë marrë dozën e parë të vaksinës e këto dytë marrin edhe dozën e dytë. Tek ne, sigurisht vaksina mbërrin më vonë, por do të doja të vinte sa më parë. Mendoj se bërja e vaksinës është veprimi më i duhur në këtë kohë që jetojmë”,- shprehet ajo.

Ndërsa Lulja, një grua tek të 50-tat ka frikë.

“Kam frikë se te ne mund të vijnë vaksina jo efektive, por ujë fiziologjik si në Itali”, thotë ajo.

Advertisement

Paksa me shaka, ajo përmend edhe rastin e Dr. Pëllumb Piperos, i cili u infektua me COVID, pikërisht pas marrjes së dozës së parë të vaksinës.

“Si ta marrësh, si të mos e marrësh njëlloj qenka”,- vijon ajo, paksa se shton se është e vetëdijshme se, që vaksina të jetë efektive duhet të merren të gjithë dozat e saj.

Lati, mjek në një nga qendrat shëndetësore në kryeqytet thotë për gazetën “Si” se njerëzit përgjithësisht janë të ndërgjegjësuar dhe mezi presin që të vaksinohen.

“Është një vaksinë si gjithë të tjerat, madje më moderne. Alergji nuk jep. Mund të japë vetëm ndonjë shenjë të vogël brend tri orëve, ashtu si gjithë vaksinat e tjera. Teori të tjera, që flasin për të kundërtën, për mua janë konspirative”, vëren ai.

Advertisement

Por përtej ndikimit të përgjithshëm të vaksinës, e vërteta është se ashtu si të gjithë ilaçet e reja, vaksinat që janë autorizuar të mbrojnë nga Covid-19 vijnë me disa shqetësime sigurie dhe efekte anësore.

Shumë njerëz që kanë marrë dy dozat e para të vaksinës në vendet perëndimore, një nga Pfizer Inc. dhe BioNTech SE dhe një tjetër nga Moderna Inc., kanë përjetuar ethe, dhimbje koke dhe dhimbje në vendin e injeksionit.

Këto efekte anësore zakonisht zhduken shpejt. Por efektet janë më shqetësuese për një numër të vogël njerëzish, të cilët kanë pasur reaksion alergjik serioz, por të shërueshëm, të quajtur anafilaksi, pasi janë vaksinuar.

Çfarë dihet për vdekjet ?

Advertisement

Norvegjia raportoi vdekje midis njerëzve të moshuar me probleme të rënda shëndetësore pas injeksionit të vaksinës Pfizer-BioNTech, por Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk gjeti prova të një lidhjeje me vaksinën.

Tridhjetë e tre vdekje u raportuan në mes të janarit midis rreth 42 000 njerëzve që kishin marrë vaksinën Pfizer-BioNTech në Norvegji, ku autoritetet kanë dhënë përparësi për imunizimin e banorëve të shtëpive të moshuarve. Ata që vdiqën ishin të gjithë mbi 75 vjeç dhe në mesin e tyre kishte pacientë të sëmurë terminalë, që pritej të kishin vetëm disa javë ose muaj jetë. Pas një rishikimi, Komiteti Global Këshillues i OBSH-së për Sigurinë e Vaksinave tha se këto raste të vdekjeve janë në përputhje me shkallën e pritshme të vdekshmërisë për të gjitha shkaqet dhe në grupin e popullatës së individëve të dobët nga ana shëndetësore dhe të moshuar.

Komiteti arriti në përfundimin se bilanci midis rrezikut dhe përfitimit të vaksinës është në favor të kësaj të fundit.

Por vdekje të ndodhura pas injektimit të vaksinës ka pasur edhe në shtete të tjera, pavarësisht nëse shkaktari ka qenë diçka tjetër.

Advertisement

Në Gjermani, ku qindra mijëra njerëz kanë marrë dy nga dozat e para të vaksinës Pfizer-BioNTech, Instituti Paul Ehrlich ka hetuar të paktën shtatë raste të të moshuarve, që kanë humbur jetën menjëherë pas vaksinimit. Në raportin e Institutit thuhet se vdekjet ishin ndoshta për shkak të sëmundjeve themelore të pacientëve, duke përfshirë karcinomat, mungesat e veshkave dhe Alzheimer, por jo nga vaksinimi.

Ndërkohë Australian Science Media Center vëren se: “Miliona doza të vaksinës Pfizer-BioNTech janë administruar në SH.B.A., Mbretërinë e Bashkuar dhe disa vende të tjera pa raportuar vdekje për shkak të vaksinës”.

 Çfarë dihet për rreziqet e vaksinës tek njerëzit e moshuar dhe të dobët fizikisht?

“Është e mundur që reagimet e zakonshme anësore ndaj vaksinave që nuk janë të rrezikshme për pacientët më të rinj, mund të përkeqësojnë sëmundjet tek të moshuarit”, thotë Steinar Madsen, drejtori i agjencisë mjekësore norvegjeze, për revistën mjekësore BMJ.

Advertisement

Por ç’mund të themi për mënyrën se si ndodhin reaksionet serioze alergjike?

Trupi lufton pushtuesit e huaj përmes një larmie mekanizmash që përfshijnë krijimin e proteinave mbrojtëse të quajtura antitrupa, çlirimin e toksinave që vrasin mikrobet dhe marshimin e qelizave mbrojtëse për të luftuar infeksionin. Si në çdo konflikt, ndonjëherë përpjekja për të sprapsur një infeksion mund të jetë vetë e dëmshme. Në raste të rralla, mund të prodhojë inflamacion dhe ënjtje të indeve në një reaksion serioz alergjik të quajtur anafilaksi. Deri në 5% të popullsisë amerikane ka pasur një reagim të tillë ndaj substancave të ndryshme. Mund të jetë fatale nëse, për shembull, rrugët e frymëmarrjes së personit enjten dhe bëjnë që të mos marrë ajër, megjithëse vdekjet janë të rralla. Alergjitë ndaj pickimeve të insekteve dhe ushqimeve mund ta provokojnë atë, megjithëse reagimet e ilaçeve janë shkaku më i zakonshëm i fataliteteve të anafilaksisë.

Sa shpesh kanë shkaktuar anafilaksi vaksinat Covid-19?

Në Sh.B.A, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, që nga 19 janari ka pasur 15 raste të anafilaksisë pas marrjes së vaksinës Moderna dhe 45 raste pas marrjes së vaksinës Pfizer. Kjo përkthehet përkatësisht në 2.1 raste për 1 milion doza dhe 6.2 raste 1 për milion doza, të dyja norma shumë të ulëta. Anafilaksia është një rrezik i njohur i vaksinimit. Reagime të tilla ndodhin rreth 1.3 herë në 1 milion doza të vaksinës së gripit të zakonshëm sezonal. Me vaksinat e tjera ato janë parë në norma prej 12 deri në 25 për 1 milion doza, megjithëse nuk ka shumë studime.

Advertisement

Për sa kohë zgjat rreziku?

Rreziku i reaksionit alergjik nuk zgjat shumë. “Reagimet anafilaktike normalisht ndodhin brenda disa minutash deri në disa orë pas ekspozimit ndaj një substance specifike”, – thotë Michael Kinch, një ekspert i zhvillimit të ilaçeve dhe zëvendëskancelar i asociuar në Universitetin e Uashingtonit në St. Louis.

Në SHBA deri më tani, koha e shfaqjes së reagimit alergjik varion nga dy në 150 minuta, me mesataren prej 13 minutash, sipas Agjecisë për Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve, CDC.

Këshilla

Advertisement

Britania e Madhe dhe SHBA kanë këshilluar njerëzit që kanë alergji ndaj ndonjë përbërësi të një vaksine Covid të mos e marrin atë. Nëse rastet e anafilaksisë mund të përdoret shumë shpejt antihistaminë së bashku me injektorë adrenaline, si Epi-Pen i Mylan NV, që ngadalësojnë ose ndalin reagimet imunitare dhe punonjësit shëndetësorë që bëjnë vaksina duhet t’i kenë gati në çdo rast. Është për t’u vërejtur, se këto trajtime nuk anulojnë efektet e dobishme të vaksinave.

Në Sh.B.A, punonjësit shëndetësorë po vëzhgojnë këdo që merr vaksinën për të paktën 15 minuta pas injeksionit për të parë shenjat e një reagimi: ata me histori shqetësuese të reaksionit alergjik monitorohen dy herë më gjatë. Sipas CDC, njerëzit që kanë pasur reagime ndaj një doze të parë të vaksinës nuk duhet të marrin një të dytë.

Nuk është ende e qartë se çfarë e shkakon reaksionin ndaj vaksinës kundër COVID, por “mendohet se janë dy përbërës: glukoli i polietilenit – një kimikat që gjendet në shumë ushqime, kozmetikë dhe ilaçe dhe nanogrimcat lipide, që kapsulojnë lajmëtarin RNA, një përbërës gjenetik në vaksina”, – shpjegon Eric Topol, ekspert i provash klinike dhe drejtor i “Scripps Research Translational Institute”.

Glikol polietileni ka qenë edhe më parë i lidhur me një pjesë të vogël të rasteve të anafilaksisë.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy