Vaksinat kanë shpëtuar miliona jetë gjatë 20 viteve të kaluara

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Vaksinat kanë shpëtuar miliona jetë gjatë 20 viteve të kaluara

Ata që ende dyshojnë për efektivitetin e vaksinave, duhet të ndryshojnë mendim, pasi vetëm që nga viti 2000 ato kanë shpëtuar miliona jetë njerëzish. Dhe do të shpëtojnë shumë më tepër gjatë 10 viteve të ardhshme.

Në njëzet vjet, imunizimi kundër dhjetë sëmundjeve të rënda mes të cilave hepatiti B, fruthi, ethet e verdha dhe rubeola, ka parandaluar vdekjen e 37 milionë njerëzve në gati njëqind vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Janë këto të dhënat e një studimi të botuar në revistën prestigjioze “The Lancet”, që na kujton se sa thelbësore janë vaksinat.

Studiuesit kanë vlerësuar se deri në vitin 2030 ky numër mund të dyfishohet dhe fëmijët e pavaksinuar të lindur në 2019, do të kishin 45% më shumë mundësi të vdisnin para se të mbushnin pesë vjeç, në krahasim me moshatarët e imunizuar. Sipas ekspertëve, vaksinat do të zvogëlojnë vdekshmërinë e të lindurve në 2019 me 72% përgjatë jetës së tyre.

Studimi vlerëson se imunizimi do të parandalojë 120 milionë vdekje në të lindurit midis viteve 2000 dhe 2030, 96 prej të cilave vetëm falë vaksinës së fruthit dhe vaksinës së hepatitit B. “Duke vlerësuar sa vdekje shmangen falë fushatave efektive të vaksinimit, studimi ynë nënvizon rëndësinë e mbajtjes së niveleve të larta të imunizimit”, thotë Katy Gaythorpe, një nga autorët.

Advertisement

Është thelbësore të zgjerohet mbulimi i vaksinimit, në mënyrë që gjithnjë e më shumë njerëz të mund të imunizohen. Nëse, shumë të rinj do të vaksinoheshin kundër virusit papiloma, kanceri i qafës së mitrës mund të çrrënjoset, deri në fund të shekullit. Për më tepër, një fushatë më e mirë e vaksinimit HPV në gratë e reja do të shpëtonte më shumë jetë se çdo veprimtari tjetër e imunizimit, sipas studiuesve.

Fushatat e vaksinimit kundër disa formave të pneumonisë gjithashtu kanë rezultuar shumë efektive dhe, nëse zgjaten, mund të shpëtojnë shumë jetë në vendet më të varfra, duke parandaluar vdekjet e fëmijëve nën moshën pesë vjeç në veçanti. Kjo është arsyeja pse, me efikasitetin e dukshëm të vaksinave të konfirmuara, është thelbësore që të gjithë të mund të përfitojnë prej tyre.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy