Supermodelja e njohur kanadeze, Linda Evangelista, një nga engjëjt e Gianni Versace-s në fillim të viteve ’90 ka lëshuar së fundmi akuza të rënda ndaj ish-bashkëshortit, Gérald Marie, duke thënë se ai abuzonte fizikisht me të. 58-vjeçarja rrëfeu në episodin e tretë të dokumentarit “The Super Models” se Gérald, ish-drejtues i agjencisë “Elite Model Management”, e dhunonte sistematikisht, por duke u kujdesur që të mos i linte kurrë shenja në fytyrë.
“Ai e dinte që nuk duhej të më prekte fytyrën, nuk duhet të prekte burimin e parave”,-u shpreh ajo.
Evangelista u martua me Marie në vitin 1987, kur ajo ishte 22 vjeç dhe ai 37. “I dhashë fund me të kur isha 27 vjeç. Ai mori gjithçka që kisha, por unë fitova lirinë dhe kjo vlente më shumë se çdo gjë tjetër”, u shpreh më tej Linda.
Nuk është hera e parë që 73-vjeçari francez akuzohet për dhunë fizike dhe seksuale ndaj vajzave të ndryshme. Në vitin 2020 ishte gazetarja e BBC-së, Lisa Brinkworth, që tregoi se së bashku me një kolege ishin infiltruar në botën e modës, në mënyrë që të denonconin agjentin e famshëm të modelingut. Në një prononcim për “Le Parisien”, ajo tregoi se kishte video ku Gérald Marie kërkonte favore seksuale në këmbim të një shume prej 600 eurosh. Modelja amerikane Jill Dodd tregoi gjithashtu se ishte përdhunuar prej tij në vitin 1980./Living/