
Reperi i njohur amerikan Diddy (Sean Combs) ka festuar 56-vjetorin e lindjes së tij pas hekurave, në Institucionin Korrektues Federal Fort Dix në Nju Xhersi, ku u transferua së fundmi për të vuajtur dënimin prej 50 muajsh burg. Ai u dënua për dy akuza për transportimin e grave me qëllim prostitucioni.
Sipas revistës People, më 4 nëntor, Diddy shënoi ditëlindjen e tij në burg, duke ndarë ushqimin e ditës me të burgosurit e tjerë. Në mëngjes, rreth orës 06:30, menuja përfshinte fruta, drithëra, kek ose bukë integrale me reçel. Dreka, e shërbyer mes orës 11:00 dhe 12:00, ofronte zgjedhje mes pule ose hamburgeri, me makarona me salcë dhe spinaq si shoqërim, ndërsa darka, rreth orës 16:30, përbëhej nga pica.
Combs u transferua më 30 tetor në Fort Dix, pas ankesave të avokatëve të tij për kushtet e vështira në qendrën e paraburgimit Metropolitan Detention Center në Bruklin. Avokatët kërkuan transferimin e tij për shkak të mundësisë për të marrë pjesë në programe rehabilitimi nga droga.
How Diddy spent his unglamorous 56th birthday behind bars: Prison meal menu reveals harsh reality of sex crime conviction https://t.co/eHnJLttbLp
Advertisement— Daily Mail Celebrity (@DailyMailCeleb) November 5, 2025
Dënimi i tij prej 50 muajsh u dha në tetor 2024 nga gjykatësja federale Aruna Subramanian, pas shpalljes fajtor në korrik. Sipas faqes zyrtare të Byrosë së Burgjeve, data e parashikuar e lirimit është 8 maj 2028, megjithatë mund të lirohet më herët për sjellje të mirë.
Ndërkohë, avokatja e tij Alexandra Shapiro ka paraqitur apel kundër vendimit më 20 tetor, dhe më 3 nëntor, kërkesa për përshpejtimin e shqyrtimit të apelimit u miratua nga gjykatësja e Apelit, Beth Robinson. Seanca dëgjimore mendohet të mbahet në prill 2026.
/vizionplus.tv