Para Lojërave Mesdhetare/ Veliaj pret dy kampionët e Europës në Peshëngritje, Erkand Qerimaj dhe Evangjeli Veli

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Para Lojërave Mesdhetare/ Veliaj pret dy kampionët e Europës në Peshëngritje, Erkand Qerimaj dhe Evangjeli Veli

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veiaj priti në një takim dy kampionët e Europës në peshëngritje, Erkand Qerimaj dhe Evangjeli Veli.

 

Dy sportistët e Klubit Sportiv Tirana, Qerimaj dhe Veli, të cilët po përgatiten për të marrë pjesë edhe në Lojërat Mesdhetare në Algjeri “Oran 2022”, u shpallën kampion në Kampionatin fundit Europian, që u mbajt pak ditë më parë në Tiranë.

 

Advertisement

Veliaj falenderoi dy sportistët dhe presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza për rezultatet e arritura.

 

“Është kënaqësi e veçantë të pres dy miq të jashtëzakonshëm, Erkandin dhe Evangjelinë, të cilët na bënë krenar edhe në këtë Kampionat Europian të Peshëngritjes. Ata janë jo vetëm sportistë të Klubit të Tiranës, por mbi të gjitha, shkojnë përtej ngjyrave bardhë e blu, sepse përfaqësojnë ngjyrat kuq e zi të Shqipërisë. Ne duhet të shpërblejmë talentin, që më pas, edhe të tjerët të aspirojnë të bëhen më të mirët dhe të punojnë fort”, tha Veliaj, teksa përmendi se Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar vendimin për shpërblimin e sportistëve tanë elitarë, si një motiv më shumë për të sjellë medalje të tjera për Shqipërinë.

 

Advertisement

Presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza vlerësoi mbështetjen e Bashkisë së Tiranës për sportistët.

 

“E falënderoj kryetarin e Bashkisë, i cili na e ka bërë më të lehtë ngarkesën tonë si Federatë, por edhe sportistëve. Duke qenë Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë për vitin 2022, kemi marrë tre aktivitete shumë të rëndësishme, një prej të cilave ishte Europiani i Peshëngritjes, ku erdhën rreth 650 sportistë dhe 100 trajnerë, gjyqtarë, presidentë e sekretarë”, tha Gjoza.

 

Advertisement

Kampioni i Europës, Erkand Qerimaj u shpreh i gëzuar për arritjen fantastike në kampionatin e fundit dhe siguroi se nuk do të mungojnë medaljet e tjera.

 

“Jam shumë i gëzuar për këtë rezultat dhe falenderoj kryetarin e Bashkisë, Presidentin, pasi është bërë një punë e madhe me organizimin e kampionatit Europian, por edhe për mbështetjen e sportistëve elitarë të klubit të Tiranës. Këto medalje treguan se investimet ia vlejnë dhe duhet më tepër për Botërorin, për Lojërat Olimpike, që të sjellim medalje të tjera për Shqipërinë”, nënvizoi ai. Kampionia Evangjeli Veli apeloi për pjesëmarrje më të madhe të të rinjve në sport.

 

Advertisement

“Mbështetja juaj ka treguar punën time, por edhe mbështetja e Federatës. Unë do të sjell sa më shumë medalje në Shqipëri. Hera e parë që Shqipëria po merr edhe kupën si sportistja më e mirë, jo vetëm si sportiste e Tiranës, po si sportiste e Europës. Shpresoj të jem një model i mirë për vajzat dhe fëmijët e Shqipërisë që të futen në sport”, deklaroi kampionia e Europës.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy