Prezantohet Kupa e Finales së Conference League, Veliaj: “Të dalim të nderuar nga mikpritja jonë, imazhi i Shqipërisë të ngrihet sa më lart”

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Prezantohet Kupa e Finales së Conference League, Veliaj: “Të dalim të nderuar nga mikpritja jonë, imazhi i Shqipërisë të ngrihet sa më lart”

Trofeu i Finales së UEFA Europa Conference League u shfaq sot për publikun në sheshin “Skënderbej”. Kupa u prezantua nga ish kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, dhe do të qëndrojë për disa orë në shesh, për të gjithë dashamirësit e futbollit që duan të bëjnë një fotografi.

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj u shpreh se qyteti është përfshirë nga një valë organizimi për këtë festë të madhe dhe përmendi sërish tre fan zonat që do të presin tifozët që nuk kanë mundur të sigurojnë bileta.

 

Advertisement

Ai kujtoi se Amfiteatri Veror i Liqenit dhe pedonalja “Murat Toptani” do të kthehen në fan zone për tifozët e Romës dhe të Feyenoord, ndërsa sheshi “Skënderbej” do të presë tifozë neutralë, në mënyrë që edhe ata ta shijojnë ndeshjen me po të njëjtën atmosferë si në stadium.

 

“Faleminderit të gjithë qytetarëve të Tiranës për mikpritjen fantastike që u kanë bërë atyre që kanë ardhur nga larg. Përshëndesim të gjithë ata që kanë ardhur nga Roterdami dhe nga Roma, mirë se erdhët në Tiranën tone! Shpresoj të kaloni sa më mirë dhe sigurisht të fitojë më i miri në finale, por mbi të gjitha të kalojmë bukur. Me kalimin e kohës, kupat edhe i zë pluhuri, por kujtimet mbeten përgjithmonë. Ndaj, qëllimi i organizimit në Tiranë është që kujtimet t’i kemi përgjithmonë, pavarësisht se ku përfundon kupa”, tha Veliaj.

 

Advertisement

Ai u shpreh se kjo finale është dhe një mundësi për të ngritur lart imazhin e mirë të Tiranës dhe të vendit, në sytë e të gjithë botës.

 

“Në Tiranë do të vijnë edhe dy kryetarët e bashkive të Romës dhe të Roterdamit, do të dalim me një deklaratë të përbashkët për t’i treguar qytetarëve që vijnë nga Roma dhe Roterdami, se i respektojmë si miq, i respektojmë si të ftuar për të qenë pjesë e këtij gëzimi, por nga ana tjetër, duam që edhe ata të respektojnë Tiranën, që të lënë mënjanë zënkat, sigurisht emocionet janë të forta, por në finale duam që të ruhet qyteti, të ruhet edhe qetësia e vëllazëria që kultivon futbolli. Shpresoj shumë që ata që kanë ardhur për herë të parë në Tiranë vetëm si tifozë, të kthehen sërish si turistë, me miqtë dhe familjet e tyre. E vlerësoj shumë faktin që shumica e qytetarëve po udhëtojnë ose në këmbë ose me biçikleta. Çdo njeri që na ndihmon duke ulur pak trafikun, na ka bërë nder të jashtëzakonshëm. U jemi mirënjohës të gjithëve, që të dalim të nderuar nga kjo histori dhe Tirana jonë, imazhi i Shqipërisë dhe reputacioni i gjithë popullit tone, të shkojë lart e më lart”, theksoi Veliaj.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy