
AKI Strugë: “Mendi, mos kërko justifikim për humbjen që po të vjen”
“Kur humbja është e sigurt, fillojnë justifikimet”
Ankesat, shpifjet dhe viktimizimet e rreme janë dëshmi e qartë se kundërshtarët tanimë e kanë pranuar humbjen dhe po kërkojnë justifikime.
Akuzat e Mendi Qyrës për gjoja presione ndaj të punësuarve dhe bizneseve lokale janë thjesht komike dhe pa asnjë bazë reale.
Të gjithë qytetarët e Strugës janë dëshmitarë të një fushate të pastër, dinjitoze dhe të përqendruar në programin dhe projektet konkrete të Doktor Arsim Dalipit.
Nëse ka vend për të folur për presione apo shantazhe, atëherë Mendi Qyra duhet ta drejtojë gishtin kah vetja dhe kah Qeveria që e mbështet.
I kujtojmë opinionit publik se ishte drejtoresha e çerdheve, e emëruar nga pushteti qendror, ajo që para disa ditësh përmes SMS-porosive kërcënonte dhe urdhëronte të punësuarit të dilnin për ta pritur kandidatin e VMRO-VLEN.
Gjithashtu, inspektoratet e pushtetit qendror prej ditësh po qëndrojnë në Strugë, duke ushtruar presion ndaj afaristëve lokalë — veprim ky që tregon qartë se kush po përdor mekanizmat shtetërorë për fushatë.
Për më tepër, gjatë debatit të fundit publik, vetë Mendi Qyra i bëri kërcënim politik Strugës, kur deklaroi se Qeveria nuk do të lëshojë mjete për projektet e kryetarit të ardhshëm Arsim Dalipi.
E kujtojmë Qyrën se Doktor Dalipi do të investojë me buxhetin e Komunës së Strugës, dhe shumë shpejt, pas zgjedhjeve të ardhshme, ata do të humbin edhe pushtetin qendror — duke i hequr vetes mundësinë për të bllokuar zhvillimin e Strugës.
AKI Strugë mbetet e përkushtuar për një garë demokratike, të ndershme dhe me dinjitet — sepse fitoret e pastra ndërtohen me punë dhe besim, jo me shpifje dhe frikë.