Caktohet për më 14 janar gjykimi për profesorin nga Struga që goditi nxënësin me boks hekuri

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Në Gjykatën Themelore në Strugë më 14 janar fillon procesi gjyqësor kundër profesorit të anglishtes në shkollën e mesme “Ibrahim Temo” në Strugë, i cili sulmoi me boks hekuri një nxënës në tualetin e shkollës, shkruan Alsat.

Këtë e ka konfirmuar për Alsat gjykatësi kompetent, Adi Useini. Në ndërkohë, profesorit i është vazhduar masa e paraburgimit nga 8 në 30 ditë të tjera, ku tashmë mbrojtja ka dorëzuar ankesë.

“Tani për tani si dëshmitarë janë propozuar tre nxënës, të cilët kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes, të cilët janë thirrur përmes prindërve, pasi janë të mitur. Ka mundësi që në seancën e parë të datës 14 janar të propozohen dëshmitarë apo prova shtesë, sepse një mundësi e tillë është në dispozicion të mbrojtjes”, tha Adi Useni gjykatës.

Gjykatësi Useini thotë se nëse nuk ka propozim për dëshmitarë dhe prova të tjera, atëherë nuk përjashtohet mundësia që seanca për rastin të përfundojë në të njëjtën ditë, pas së cilës shumë shpejt mund të merret aktvendim.

Advertisement

Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike në Strugë, më 30 dhjetor, ka ngritur aktakuzë kundër profesorit 57-vjeçar, për vepër penale – dhunë.

“Sulmi fizik ka qenë si pasojë e një marrëdhënie të përkeqësuar më parë dhe debatit verbal. I akuzuari ka lëvizur dorën e djathtë në të cilën kishte vendosur më parë boksin e hekurit duke e goditur në kokë nxënësin e dëmtuar. I akuzuari me veprimet e ndërmarra i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit, ka kryer dhunë të rëndë dhe ka shkaktuar ndjenjën e pasigurisë në publik”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Duke qenë se profesori prej disa vitesh kishte probleme me nxënësit dhe kolegët e tij, psikologët mendojnë se është dashur të reagohet shumë më herët, për të shmangur të gjitha këto raste.
“Organet dhe trupat në shkollë është dashur të reagojnë përmes shërbimit pedagogjik-psikologjik, përmes bashkëpunimit me prindërit e nxënësit, me drejtorin. Kemi edhe inspektorat arsimor nëpër komunat, sigurisht që është dashur të reagojnë më parë, nuk e di nëse kanë reaguar, por padyshim që nuk kanë bërë diçka seriozisht pasi kjo ka vazhduar”, deklaroi Millovan Sërbinoski- psikolog.

Nga shkolla për Alsat thonë se i kanë marrë të gjitha masat ligjore në dispozicion nga paralajmërimet me gojë dhe me shkrim, pezullim të përkohshëm e deri në gjobë për profesorin. Ata posedojnë edhe konstatim mjekësor se ai nuk mund të jetë në punë në prani të nxënësve. Për këtë janë njoftuar të gjitha institucionet, të cilat tre herë kanë kërkuar nga Ministria e Aarsimit financimin e një vendi të ri të punës, që të mos e humbasë punën, por nuk kanë marrë përgjigje. Një ditë pas ngjarjes, nxënësit protestuan para Gjykatës së Strugës, që një dhunë e tillë të mos përsëritet./Alsat.mk

Advertisement

Caktohet për më 14 janar gjykimi për profesorin nga Struga që goditi nxënësin me boks hekuri shkruan Struga Ekspres.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy