Me rastin e 89 vjetorit të lindjes dhe 18 vjetorit të vdekjes të prof.Nexhat Mustafa

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Prof. Dr. Nebi Dervishi

 Portret

Kushtuar: “NEXHAT MUSTAFA (15.06.1933 – 30.03.2004)

(Me rastin e 89 vjetorit të lindjes dhe 18 vjetorit të vdekjes)

Advertisement

 

Të gjithë shqiptarët e Strugës dhe më gjërë në trevat lindore e nderojmë me kujtimin dhe respektin e veçantë shkrimtarin, dramaturgun, politikanin, atdhetarin, njeriun e palodhur për çështjet kombëtare dhe njërin nga themeluesit dhe profesorin ndër të parët në Gjimnazin e Strugës, Prof. Nexhat Mustafën, me rastin e dy përvjetorëve: 89 vjetorin e lindjes dhe 18 vjetorin e vdekjes.

Plejadës së atdhetarëve dhe arsimtarëve pishtarë e veteranë struganë, të cilët mbi dyzet vjet punuan pa u lodhur dhe me entuziazëm e dashuri në arsimin e gjeneratave të tëra shkollarësh, i përket edhe profesor apo “Zotri” Nexhat Mustafa, siç e thirrnim ne të gjithë pa përjashtim, ish-nxënësit, intelektuarët dhe miqtë e tij.

Emrat që s’vdesin kurrë, nuk harrohen, po gjithmonë mbeten në zemrat e gjirit të popullit që i lindi. Ata janë meteorët që prijnë si fanari, ndriçojnë rrugën që trasuan dh e lanë të pasohet nga brezat që do të lindin nga gjiri i po këtij populli.

Advertisement

Zotri Nexhati ynë i Madh ishte dhe mbeti në pantoneonin e këtij piedestali. Ndaj, ne edhe pas tetëmbëdhjet vitesh që nuk është fizikisht në mesin tonë, e përkujtojmë me respect emrin dhe veprimtarinë e tijë arsimore-edukative, krijuesë dhe atdhetare.

Të marrësh mbi vete që të shkruajsh për një personalitet të përmasave siç ishte Prof. Nexhat Mustafa, më kuptoni të nderuar lexues se është barrë e rëndë dhe detyrë komplekse. Së pari ky privilegj të bënë nder, po njëkohësisht të vë në vështirësi, sepse ishte dhe mbeti figurë e madhe dhe frymëzim për gjeneratat që do të vinë.

Emri, jeta, veprat, virtytet, karakteri, sinqeriteti, humanizmi, mirëkuptimi, toleranca, shpirti i madh dhe kompleksiteti i bëmave të tij, janë një grusht i vogël epitetesh që mund të thuhen për të.

Për kompletimin e portretit të Zotri Nexhatit, autori i këtij shkrimi modest, përveç njohurive dhe bashkëpunimit ndër vite me personazhin, për të dalë sa më i saktë dhe më i plotë, ka shfrytëzuar evokimet e miqve, kolegëve dhe shokëve që e kanë njohur shpirtërisht, si Z. Tahir Hoda, Dr. Shefqet Pollozhani, Prof. Dr. Mahmut Hysa nga Dibra, prof. Dr. Xhevat Gega, etj, të cilët papërjashtim, edhe pas tetëmbëdhjetë vitesh, flasin me pietet për personalitetin e Mustafës.

Advertisement

Profesor Nexhat Mustafa u lind në Strugë, më 15 qershor 1933, në një familje atdhetare e arsimdashëse. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje në vitet 1941-1944, në Shkollën “Kongresi i Manastirit”, ndërsa të mesmen, atë të mësuesisë e filloi në Shkup dhe e kreu në Tetovë. Fillimisht, me vendim të Ministrisë së Arsimit emërohet mësues në Gjorçe Petrov, ku punon dy vjet. Nga puna me nxënës shkëputet përkohësisht, për të vazhduar studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Shkup, në grupin e Biologjisë e Kimisë.

Pas diplomimit në vitin 1959 emërohet arsimtar në Shkollën Fillore Shtatëvjeçare “Liria” të Strugës, që më vonë emërohet “Vëllezërit Milladinovci”, ku punoi deri sa u pernsionua, në vitin 1994. Më vonë i vijoi studimet në Universitetin e Prishtinës, në grupin e Biologjisë, ku edhe u diplomua dhe më pas, u regjistrua në studime pasuniversitare në Universitetin e Zagrebit.

Puna e tij krahas profesionit, të përhapjes së dijes e emancipimit kombëtar deri në pension është një konglomerat, një rrugë e gjatë plotë krajata, batica e zbatica, sprovime, të jesh a mos jesh, por përgjithësisht një rrugë e begatë, si një jetë e gdhendur me këngë, sado e mundishme që ishte. Kjo, sepse ai dijti ta latojë dhe t’ia dalë mbanë. Ai nuk rreshti, ai nuk u përul. Hovi i tij rinor asnjëherë nuk u shterr. Atë forcë ai e gjente në mesin e nxënësve të tij, që e deshën më shumë se sa një mësues, më shumë se sa një prind. E gjente mes shokëve të punës që nga vitet rinore, mes të moshuarve e miqve; e gjente edhe në mes pasardhësve të rinj, ish- nxënës të petagogut tonë të madh.

Në ditën e varrimit të shokut të gjeneratës (zot Nexhat Mustafës), prof. Dr. Mahmut Hysa, në mes tjerash do të shtojë:  “ … Të humbasësh një shok të mirë, të dashur, të sinqertë është humbje më e madhe se të humbasësh një çiflik të tërë; të humbasësh një krijues të angazhuar, të përkushtuar dhe gjithmonë të freskët është humbje më e madhe se të humbasësh 20 vjet në kazamatet komuniste; të humbasësish një prind të urtë të afërt e të ndershëm dhe një bashkëshort të kujdesshëm, të zellshëm e të vëmendshëm, është humbje më e madhe se të mbushësh një det me lotët e tu të vakët. Ti Nexhat im i pazavendësueshëm ishe ai shoku, ai krijuesi, ai prindi e bashkëshorti që me largimin tënd të hershëm fizik na krijove në shpirtin tonë një humnerë të thellë si deti, të zezë si pisë e të gjërë si shpellë… A mundem të depërtoj në thellësinë e mendimeve, ideve e përmbajtjeve të dramave tuaja, të konflikteve që të mundonin; a mund të matem unë me njohuritë tuaja për Lekën e Madh, Dervish Carën; a mund të matem unë me peshën e tokës. Ti, vetëm ti ishe një vullkan që bluaje me brendinë tënde atë që e mundonte popullin tend; Ti, vetëm ti me dramat tuaja e përjetësove historinë e popullit tëndë; Ti, vetëm ti i shënjëzove paradokset bashkëkohore të popullit tëndë, Ti, vetëm ti e pate guximin  krijues qytatar e patriotik që ta shohësh e të flasësh për të vërtetën e dramave dhe të tragjedive të popullit tënd…. Dhe të gjithë duhet të përulemi para emrit, fjalës e veprës së Nexhatit të pazavendësueshëm, para këtij njeriu me moral, me ndjenja e me virtyte të papërsëritshme… Ai edukoi breza të fëmijëve tanë, edukon e do të edukoi edhe në të ardhmen popullin e tij me mesazhet (porosit) e veprave të tija që kanë dalur nga shpirti i tij. Nexhati ynë i shtrenjtë – sot të fusim në nënën – tokë të Iliridës sonë e në gjirin e saj, aty ku janë burrat e pushkës e të barutit, burrat e fjalës e të kuvendit, burrat e lapsit e të librit…”

Advertisement

Edhe Dr. Shefqet Pollozhani (i ndjerë), shokë i gjeneratës, e vlerëson lartë personalitetin e Nexhatit, duke shtuar në mes tjerash se: “Ai ka qenë gjenerator i ideve dhe vigjilent i të gjitha ngjarjeve në kohë, qysh në moshën rinore. Që atëherë, ai e parandjente nevojën e një Marrëveshje të Ohrit nga vitit 1967, kur në cilësinë e sekretarit të KK, të Strugës ka insistuar e kmbëngulur të sensibilizojë Konferencën  Komunale të Strugës për barazi në inkuadrim, shkollim, gjuhë dhe barazi në të gjitha sferat e jetës. Ai e ndjente të nevojën e organizimit të jetës  zbavitëse për rininë shqiptare, si dhe të kultivimit të këngëve dhe valleve autoktone dhe si rezultat i këtij angazhimi ishte edhe themelimi i SH.K.A. “Migjeni” më vitin 1967. Revoltohej kur me dekada të tëra në manifestimet e Mbrëmjeve të Poezisë që mbahen tradicionalisht në Strugë, margjinalizohej dhe injorohej elementi shqiptar. Për këtë arsye u vëndua në krye të projektit dhe themlimit të Festivalit “Këngë Jehon” më 1992. Nexhati brengosej për ekzodin masiv të rinisë, që ishte shumë e theksuar në Strugë e Dibër, prandaj ëndërronte për një mëmë që do të interesohej dhe do të kujdesej për çdo shqiptar, kudo që gjendej në botë. Ai e urrente xhelozinë, tradhëtinë, zënkat ndërklanore, hakmarrjen, si dhe nuk kishte përkatësi  partiake dhe se ishte i pranishëm dhe aktiv në të gjitha aktivitetet e partive politike dhe shoqatave joqeveritare shqiptare, duke insistuar për një mirëkuptim, tolerancë  dhe konsensus ndërpartiak për çështje madhore kombëtare”.

Në njëvjetorin e vdekjes të Zotri Nexhatit, 2005, miku, kolegu i punës që për vite të tëra  punuan së bashku, në shkollë e në aktivitete kulturore dhe bashkëpuntori më i ngushtë, z. Tahir Hoda, në mes tjerash tha: “… Të jetojsh vitet e kalvarit shoqëror të sistemit që lamë pas, të jesh brenda vorbullës së tillë e të marrësh pjesë aktive, të ngresh zërin e ndërgjegjes e të mos kursejsh asgjë prej vetes pa i bërë qejfin sistemit në fuqi, të realizojsh të paktën një pjesë të idealit të kombit tënd e të mbetesh margaritar i kombit që i përket, është dhunti që lakmohet, virtyt që ta kanë zili jo vetëm brezat e kohës apo ata që do të vijnë, por edhe kundërshtarët që i ke përballë. “I tillë ishte edhe mbeti gjer në fund profesor Nexhati.

Në shtator të vitit 1960, mori ditarin në dorë, për të mbajtur orën e parë mësimore para nxënësve të Gjimnazit të Strugës, që ai e formoi, duke qenë anëtar i Komiteti të Rrethit. Ishte ai që e shtroi çështjen e realizimit të Platformës për barazinë e shqiptarëve në shkollim, për të krijuar kuadro të profileve të ndryshme, kërkesa këto që ishin tema të paprekshme dhe me rreziqe të paparshikueshme e me pasoja personale.

Në vigjilie të 500 vjetorit Jubilar të vdekes së Skenderbeut dhe 60 vjetorit të Kongresit të Alfabetit të Manastirit, prof. Nexhati me shokë formoi SH.K.A. “Migjeni”, si dhe në vitin 1992 ishte ideator dhe bashkëpuntor i projektit të Festivalit “Këngë Jeho”, i formimit të Teatrit “Sofra” në Strugë, etj.

Advertisement

Kontributin e tij e gjejmë edhe në angazhimin për projektin e një Universiteti në gjuhën shqipe, të cilën më 1994, pas formimit të Universitetit të Tetovës me tërë shpirt dhe mundësit intelektuale e morale e mbështeti; Ai udhëhoqi me dinjitet Unionin e Intelegjencisë së Shqiptarëve, në Maqedoni, etj.

Edhe në fushën e krimtarisë letrare, professor Nexhati, ishte një gurrë e pashtershme. Në shtypin e kohës, ai botoi që nga vitit 1956, ndërsa në vititn 1973 i doli në dritë përmbledhja “Kur bulzat shpërthejnë”.

Në vititn 1979 botoi dramën e tij të parë “Gjaku” që ngërthen mesazhin e faljes së gjakut, e cila është vënë në shkenë nga Teatri i Shkupit, duke u prezentuar edhe në “VERA E OHRIT”, në vititn 1984. Aktivitetin e vet krijues zotri Nexhat Mustafa e vazhdoi me radiodramën, duke e merituar edhe shpërblimin nëpër konkurse, siç qe rasti me “MALL E DASHURI”. Ai ka gjetur frymëzimin te fytyrat e ndritura kombëtare, prandaj ka shkruar dramat: “Leka i Madh”, “Pesha e dheut”, “Dervish Cara”, etj. Teatri i Prishtinës, vite më pare ka vënë në skenë dramën e tij “Ujë e kripë”, ndërsa Radio Shkupi ka realizuar radiodramat e tij “Jeta” dhe Përmendoja”, ndërkaq në gjuhën sllavomaqenone radiodramën “Mall e dashuri”. Krijimtaria e tij u përmbyll me përmbledhjen e tetë dramave “Shpëtimi nga Golgota” – libër ky që mbeti kujtimi ynë i fundit që na e dhuroi me dorën e tij, disa ditë para se të ndërrojë jetë.

Prof Nexhat Mustafa u muar edhe me përkthime, vështrime kritike, eseistike e shkrime nga metodika e mësimdhënies, mësimxënies, didaktika, e tjerë, të cilat i botoi në shtypin e kohës, si në “Jeta e Re”, “Jehona”, “Përparimi”, “Zëri i Rinisë”, “Petagogu”, “Flaka”, “Fakti”, etj.

Advertisement

Një urtësi popullore thotë: “Njeriu vdes kur harrohet”. Zotri Nexhat Mustafa nuk mund të harrohet, sepse opusi i krijimtarisë së tij që na la trashëgim dhe fara e arsimit, edukimit dhe emancipimit që mbolli në gjenerata të tëra, i dha frutet e punës që sot janë të pranishëm, jo vetëm në qytetin e tij të lindjes, Buzëgjolit, Strugës, por edhe në të gjitha trevat lindore shqiptare, pa përjashtim. Me qindra mësues, arsimtarë e profesorë, mjekë e shkencëtar të profileve ë ndryshme – janë fryt i padiskutueshëm edhe e punës dhe kontributit të tij.

Populli ynë, liridashës e arsimdashës, di t’i nderojë figurat e shquara të kombit, e në veçanti ato që përhapin dritën e ditrisë, siç qe pamëdyshje edhe zotri Nexhati, emri i të cilit do të kujtohet për herë, jo vetëm në këtë 89 vjetor jubilar të lindjes nga ne që ishim bashkëudhëtarë dhe bashkëpunëtorë, por edhe nga gjeneratat që do vinë, pas, për shëmbëlltyrën e sakrificës, për mesazhet e qarta të krijimtarisë letrare, për ndjenjat fisnike e humanizmin ëngjëllor që kishte në personalitetin e tij të cilat do të përcillen shpresojmë brez pas brezi.

Epitetin “Arsimtar i popullit” ai e mbajti me nder, deri më 30 mars 2004, kur mbylli syt përgjithmonë, duke kultivuar te brezat tanë, kulturë, vetëdije kombëtare dhe ndjenjën arsimëdashëse. Kjo figurë e pakontestueshme e arsimit shqip në Maqedoni do të mbetet udhërrëfyes i brezave tanë për përparimin dhe zhvillim shoqëror për mes dijes, kulturës dhe arsimit.

Lavdi emrit dhe veprës së shembëlltyrës e të veteranit të arsimit shqip, Zotri Nexhat Mustafës.

Advertisement

Me rastin e 89 vjetorit të lindjes dhe 18 vjetorit të vdekjes të prof.Nexhat Mustafa shkruan Struga Ekspres.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy