“Karteli i Mercedes, BMW dhe Volkswagen”, 875 milionë euro gjobë për kompanitë gjermane të makinave

Pinterest LinkedIn Tumblr +
“Karteli i Mercedes, BMW dhe Volkswagen”, 875 milionë euro gjobë për kompanitë gjermane të makinave

Komisioni Europian ka gjobitur me 875 milionë euro tre kompanitë më të mëdha të prodhimit të makinave në Gjermani – Daimler, BMW dhe Volkswagen – duke i akuzuar se kanë formuar një kartel për të kufizuar kompeticionin në teknologjinë e uljes së emetimit të gazrave të dëmshëm në makinat me motor nafte.

Grupi Volkswagen, ku bëjnë pjesë Volkswagen, Audi dhe Porsche, ka rënë dakord që të paguajë 502 362 000 euro, ndërsa BMW ra dakord për të paguar 372 827 000 euro.

Ndërsa Daimler – kompania ku bën pjesë Mercedes Benz – u përjashtua nga gjoba, pasi ishte ajo që informoi Brukselin për ekzistencën e këtij karteli. Nëse nuk do ta kishte bërë, do të ishte gjobitur me 727 milionë euro.

Komisioni Europian zbuloi se tri kompanitë kanë punuar së bashku për pesë vite për të shmangur konkurrencën në tregun e përbashkët europian. Komisioni tha se anëtarët e kartelit “takoheshin rregullisht” për të diskutuar mbi zhvillimin e teknologjive që eliminojnë oksidin e nitrogjenit nga makinat me motor nafte. Sipas Komisionit, kjo ka bërë që asnjë prej kompanive të mos përpiqej të përmirësohej përtej standardeve të vendosura, duke qenë se kishte një marrëveshje me ata që duhet të ishin konkurrentët e saj.

Advertisement

“Konkurrenca dhe novacioni në menaxhimin e ndotjeve të shkaktuara nga makinat janë thelbësore për Europën dhe objektivat e saj. Ky vendim tregon se nuk do të ngurrojmë të ndërmarrim masa kundër të gjitha formave të kartelit që vënë në rrezik këtë synim”, tha zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Margrethe Vestager.

Kjo është hera e parë që Komisioni Europian konsideron si kartel bashkëpunimin mes konkurrentëve për çështje teknike. Deri më tani, e kishte bërë për dakordësi në çmimet apo ndarjen e tregut.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy