Roboti i NASA-s Perseverance (Këmbëngulja) zbarkoi pa probleme në Mars mbrëmjen e të enjtes, pas një udhëtimi prej më shumë se 470 milionë kilometrash. “Percy”, siç e quajnë robotin me përkëdheli dërgoi edhe imazhet e para nga planeti, menjëherë pas zbarkimit mbi kraterin Jezero.
Roboti u largua nga toka para 6 muajsh dhe iu përshtat më së miri emrit, duke kaluar të gjitha pengesat për të mbërritur në atë që do të jetë shtëpia e tij e përhershme tashmë.
“Ky është një prej atyre momenteve kyçe në historinë e NASA-s, Shteteve të Bashkuara dhe eksplorimit të hapësirës”, tha administratori i NASA-s, Steve Jurczyk. “Misioni do të na ndihmojë të përgatitemi për eksplorimin e planetit të kuq nga njerëzit, në vitet 2030”. Presidenti amerikan Joe Biden përgëzoi Jurczyk dhe të gjithë skuadrën e NASA-s që bëri të mundur këtë arritje.
Dashuria e njerëzimit me Marsin është e e vjetër, ndërsa hipotezat për mundësinë e lulëzimit të jetës atje janë hedhur gjithmonë.
“Perseverance” është i pari robot që niset nga Toka për të kërkuar për shenja jete në Mars. Gjithashtu është i pari “helikopter” që fluturon drejt një planeti tjetër dhe i pari që do të regjistrojë zë në planetin e kuq.
Ai është roboti më i sofistikuar që NASA ka ndërtuar deri më tani dhe për vitet e ardhshme do të ketë një agjendë tepër të ngjeshur. Do të eksplorojë kraterin Jezero, vendin ku mendohet që 3,9 miliardë vjet më parë ekzistonte një liqen, dhe do të kërkojë aty për mikrofosile. NASA planifikon që përmes misioneve të tjera të rikthejë në Tokë ato që “Percy” do të gjejë atje.