Rritet përdorimi i internetit në 2022, shtohet rreziku nga sulmet kibernetike

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Rritet përdorimi i internetit në 2022, shtohet rreziku nga sulmet kibernetike

Nga dërgimi e marrja e e-maileve te thirrjet dhe video-telefonatat me të afërmit jashtë vendit, pak orë për të lexuar lajme dhe disa minuta për blejë “online” kryesisht të rrobave dhe produkteve shtëpiake. Kështu e përdorën internetin shqiptarët vitin e shkuar.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave gjatë 2022-shit patën qasje në internet 96.5 për qind e familjeve shqiptare nga 88.3 për qind gjatë 2021-shit duke shënuar kështu një rritje me 8.2 për qind.  

“Normalisht, tani duke qene se janë shtuar shumë rrjetet sociale apo emigrimi është rritur… një formë komunikimi është ai me anë të rrjeteve sociale. Ndaj kemi edhe shtim të përdorimit të internetit”, tha eksperti IT, Shahin Dokuzi.

Sipas të dhënave të INSTAT, thuajse të gjithë shqiptarët e përdorën internetin në aparate celularë. Ndërkohë vetëm 23.5 për qind e përdorën internetin në laptop, rreth 13 për qind në tablet dhe 20.3 për qind në kompjuter desktop.

Advertisement

Ekspertët të fushës ndërkohë paralajmërojnë se me shtimin e përdorimit të internetit rritet edhe rreziku i prekjes nga sulme kibernetike.

“Normalisht, sa më shumë hapemi në internet, aq më shumë ekspozohemi edhe ndaj sulmeve. Kujdes i shtuar duhet të tregohet te fëmijët pasi janë më vulnerabël”, u shpreh eksperti.

Ndaj edukimi mund të jetë njëra mënyrë për t’u mbrojtur në internet. “Duhen edhe më shumë orë mësimore për edukimin e nxënësve drejt TIK me qëllim edukimin sa më të mirë të tyre në këtë fushë”, theksoi ai.

Sipas Institutit të Statistikave, grup-mosha 25 deri në 34 vjeç përbën pjesën më të madhe të përdoruesve të internetit, ndjekur nga ata 16 deri në 24 vjeç. Vitin e shkuar hynë më pak në internet të moshuarit nga 65 deri në 74 vjeç duke përbërë vetëm 6.5 për qind të përdoruesve.

Advertisement

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy