Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar do të “vritet” duke u përplasur në Oqeanin Paqësor

Pinterest LinkedIn Tumblr +

NASA ka deklaruar se nuk do të mbajë më në funksion Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar deri në vitin 2030, për ta nxjerrë jashtë përdorimit duke e përplasur në Oqeanin Paqësor, në një zonë të quajtur Pika “Nemo”.

I ngritur në hapësirë në vitin 2000, laboratori hapësinor ka orbituar rreth Tokës në një lartësi prej 420 kilometrash. Në të kanë punuar më shumë se 200 astronautë nga 19 shtete të ndryshme, duke bërë që të ketë prani të vazhdueshme të njeriut në hapësirë.

NASA tha se stacioni do të zëvendësohej nga platforma hapësinore komerciale, në të cilat do të kryhej edhe bashkëpunimi për kërkim shkencor. “Sektori privat është teknikisht dhe financiarisht në gjendje të zhvillojnë dhe operojnë platforma hapësinore rreth Tokës, me buxhet të ulët dhe ndihmën e NASA-s. Do të ndajmë përvojën tonë me sektorin privat për të ndihmuar në ndërtimin e destinacioneve hapësinore të sigurta dhe efektive financiarisht”, tha Phil McAlister, drejtor i hapësirës komerciale në NASA.

Stacioni do të rrëzohet në pikën “Nemo”, një zonë e pabanuar në Oqeanin Paqësor, ngjarje që parashikohet të ndodhë në vitin 2031, një vit pas ndërprerjes së veprimtarive në stacion. Pika “Nemo”, e quajtur kështu si nëndetësja e romanit të Jules Verne “20 mijë lega nën det”, është pika më e largët nga çdo zonë e banuar në botë. Ajo ndodhet 4800 kilometra larg Zelandës së Re dhe 3200 kilometra larg skajit më verior të Antarktidës. Që prej vitit 1971, vende të ndryshme, si Shtetet e Bashkuara, Rusia, Japonia dhe disa shtete europiane, kanë hedhur aty më shumë se 263 mbetje hapësinore.

Advertisement

Për t’i paraprirë këtij vendimi, Kina ka lëshuar në hapësirë stacionin e vet, që mendohet të jetë plotësisht funksional deri në fund të këtij viti, ndërsa astronautët kinezë kanë vite që nuk ngjiten më në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar. Ndërsa Rusia ka deklaruar se do të largohet nga aty në vitin 2025 dhe planifikon të ndërtojë platformën e vet, që do të lëshohet në hapësirë në vitin 2030.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy