Të kthejmë zborin për programuesit Shqiptarë – Për 2000 Start-Up-et e Shqipërisë 2030!

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Të kthejmë zborin për programuesit Shqiptarë – Për 2000 Start-Up-et e Shqipërisë 2030!

Nga Ori Hoxha, Rexhino Çekrezi dhe Admir Malaj

Thuhet shpesh se Revolucioni i Katërt Teknologjik mund të na çojë në qiell. Ajo që nuk thuhet është se dhe mund të na fundosë, nëse sot nuk bëjmë gjë. Në dhjetë vitet e ardhshme ndryshimet do të jenë shumë të shpejta. Vit-pas-viti mundësitë dhe rreziqet do të shumëfishohen. Në 2030 realiteti ku po jetojmë sot do të na duket i largët si filmimet me lemëz të fillim shekullit të kaluar: pa ngjyra, pa zë. Çdo gjë që sot vlerësojmë si tokë-gurë-të-fortë nën këmbët tona, me shumë gjasa do të thërrmohet dhe transformohet në një realitet të ri dhe të panjohur, krejt ndryshe.

Zonat gri ku ne dimë-dhe-nuk-dimë do të zgjerohen gjithnjë e më shumë. Prandaj dhe përshkallëzimi teknologjik po rrit interesin e investuesve për bizneset që zgjidhin sfida të lindura ditë-pas-dite nga hiçi. Diçka që deri para pak vitesh ishte një pengesë e pakapërcueshme, sot mund të jetë një gjeagjëzë për katër-pesë njëzetvjeçarë me laptop. Këto grupe “guerrilase” të teknologjisë po shkërmoqin modelet e biznesit të korporatave shumëkombëshe, duke vënë në dyshim mënyrën se si veprojnë dhe vetë shtetet. Rëndom të quajtura Start Up-e, këto janë pikërisht çfarë investuesit kërkojnë me qiri në çdo cep të Botës.

Advertisement

Prandaj është hapur një luftë e madhe për talentin e strukturuar në grup. Vendet që do dinë të rrisin të tilla modele mund të kthehet në një Start Up Nation. Një faltore për të gjithë investuesit që duan të përshkallëzojnë zgjidhje teknologjike në çdo fushë të jetës. Kjo është loja e re dhe kjo sjell pasuri. Vendet e tjera, fatkeqësisht do të mbeten pas, të pambrojtur nga ndryshimet masive të këtij shekulli.

Po si mund të krijohen këto grupe “guerrilase” të teknologjisë? Ka modele të ndryshme: Në Izrael të gjithë të rinjtë bëjnë shërbimin ushtarak dhe shumë autorë thonë se mentaliteti i Start Up-eve atje është ndërtuar pikërisht mbi aftësitë e improvizimit, mbijetesës dhe punës në grup që të jep ushtria. Atje ka dhe universitete ekselente dhe qendra edukimi në pararojë të zhvillimit global. Në Shqipëri ne nuk kemi shërbim ushtarak. Nuk kemi as universitete të të njëjtit nivel, por mund të gjejmë zgjidhje të tjera.

Ne duhet të rikthejmë zborin për programuesit! Po në çfarë forme? Le të themi në formën e Coding Bootcamp-eve të famshme Amerikane. Këto janë kurse intensive 3-6 mujore, ku çdo ditë, me një metodikë pedante, kursanti duhet të përmbushë me disiplinë detyrat e përcaktuara qartë dhe të angazhohet në punë grupi me metodat Agile. Mos harrojmë se tashmë në Shqipëri ka një të tillë, që është një ndër dhjetë më të mirat në Botë dhe vjen direkt nga Silicon Valley. 

Në disa shkrime të mëparshme ne kemi folur mbi nevojën për të pasur “100 mijë kodues për Shqipërinë 2030”. Sot ka ardhur momenti për të folur për “2000 Start Up-et e Shqipërisë 2030”. Për të arritur këtë, programuesve tanë i duhet një përiudhë zbori pas shkollës, qoftë e mesme teknike, apo e lartë. Kjo do t’i vendoste në të njëjten linjë, do t’i disiplinonte dhe për më tepër do t’i afronte me njëri-tjetrin, në një front, duke krijuar pikërisht ato Start Up-e të suksesshme që aq shumë na duhen dhe ndonjëherë mendojmë se i kemi në ekosistemin tonë KÇK-ist të ICT.

Advertisement

Sot kemi një Politikë që sheh drejt teknologjisë, kemi ca kompani teknologjike të suksesshme, kemi akademi kodimi nga Amerika, ashtu siç kemi dhe disa aktorë të tjerë kritikë të interesuar. Koha ka ardhur të bëhemi bashkë, që të tregojmë më të mirën tonë, jo individualisht, por në grup. Një individ i talentuar mund të prodhojë ndonjë ide brilante, por grupet e punës mund të zgjidhin sfida pa fund dhe krijojnë mundësi aty ku deri dje nuk kishte asgjë. Prandaj për programuesit duhet të kthehet zbori, me detyrim, në formën e Coding Bootcamps. Revolucioni i Katërt është tek dera dhe ne duhet të jemi gati për sulm!

Shënim mbi autorët: Tre autorët vinë me eksperienca të ndryshme edukimi, pune dhe sipërmarrjeje në ShBA, BE dhe Shqipëri. Ata punojnë bashkë për të sjellë modele inovative trajnimi nga ShBA dhe kanë një qasje drejt biznesit me impakt social. Ndër të tjera ata kanë kontribuar në krijimin e programit betaPlan dhe Code for Albania, duke pasur mbështetjen e talenteve të diasporës Shqiptare në teknologji dhe në partneritet me organizata ekskluzive si Coding Dojo dhe Code.org.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy