“Uber”-i e shet njësinë e taksive fluturuese

Pinterest LinkedIn Tumblr +

“Elevate” është biznesi i dytë më i madh i “Uber”-it që është shitur tërësisht gjatë kësaj jave, teksa kompania është vënë në kërkim të një shtegu për gjenerimin e përfitimeve. Gjatë kësaj jave “Uber”-i ka njoftuar se ka nisur shitjen e njësisë së saj të automjeteve autonome “Aurora”, prodhimin e së cilës vetëm sa e ka nisur

Kompania “Uber” ia ka shitur të gjitha rezervat e njësisë së taksive fluturuese “Elevate”, zhvilluesit me seli në California të fluturakeve elektrike “Joby Aviation”.

“Elevate” është biznesi i dytë më i madh i “Uber”-it që është shitur tërësisht gjatë kësaj jave, teksa kompania është vënë në kërkim të një shtegu për gjenerimin e përfitimeve.

Gjatë kësaj jave “Uber” ka njoftuar se ka nisur shitjen e njësisë së saj të automjeteve autonome “Aurora”, prodhimin e së cilës vetëm sa e ka nisur.

Advertisement

Sidoqoftë “Joby” dhe “Uber” e përshkruan transaksionin më të fundit si një “partneritet të zgjeruar”.

“Kjo marrëveshje për shitjen na mundëson që ta thellojmë partneritetin tonë me ‘Joby’, që është lider i qartë i kësaj fushe, me qëllim të përshpejtimit të shtegut në treg për teknologji të këtij lloji”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i “Uber”-it, Dara Khasrowshahi, nëpërmjet një njoftimi për media.

Taksitë e së ardhmes

Në kuadër të marrëveshjes së arritur, “Uber”-i do të investojë gjithashtu edhe një fond prej 75 milionë dollarëve shtesë për “Joby Aviation”.

Advertisement

“Elevate” ka nisur së zhvilluari më 2016 dhe deri në fillim të këtij viti ekipi që qëndron prapa tij ka premtuar që t’i lansojë shërbimet e taksive fluturuese në Los Angeles, Dallas dhe Malbourne, duke nisur nga viti 2023.

“Joby” ishte një partner i “Elevate” qysh para nisjes së gjithë biznesit dhe dy kompanitë kanë njoftuar se do të integrohen edhe shërbimet e kompanive të tjera në aplikacionin e zhvilluar prej anës së tyre.

“Këto mjete dhe anëtarët e rinj të ekipit do të jenë të paçmuar për ne, teksa jemi duke i zgjeruar planet tona për lancim të gjerë komercial”, ka bërë të ditur JoeBen Bervirt, themelues i “Joby”.

Nëpërmjet një komunikate për media “Joby” ka njoftuar se këto fluturake të veçanta gjenerojnë “zero emetike”, ndërkohë që do të jenë në dispozicion për katër udhëtarë, si dhe do të funksionojnë nëpërmjet ngritjes dhe uljes në formë vertikale.

Advertisement

Ato kanë kapacitete që të fluturojnë përbrenda një distance prej 241 kilometrash dhe me shpejtësinë më të madhe prej 321 kilometrash në orë, ka njoftuar kompania.

Mirëpo këto fluturake, sipas kompanisë, janë akoma në fazën testuese.

Shkurtimi i kostos

Ky zbulim i fundit është bërë teksa “Uber” është duke u munduar që të shkurtojë koston, në përpjekjen që iniciativa të rezultojë sa më profitabile që është e mundur.

Advertisement

Ndonëse “Uber” u ka premtuar investuesve se do të gjenerojë përfitime qysh prej fundit të vitit 2021, kompania ka raportuar për 625 milionë dollarë humbje gjatë çerekut të fundit të vitit.

“Uber”, sikurse shumë kompani të tjera kudo në botë, fillimisht ishte goditur rëndë nga pandemia e COVID-19, me ç’rast produktet e saja – si ato me ngasje, që janë njëherësh edhe burimi më i madh i të ardhurave i kompanisë – kanë shënuar një rënie prej rreth 80 për qind gjatë muajit prill, para se të rimëkëmbej përsëri më vonë.

Me qëllim që të arrihen përfitime, kompania është zotuar që të përqendrohet në pajisjet e saja bazike, ato të ngasjes, si dhe në platformat e dërgimit të ushqimeve, ndërkohë që ka shkurtuar koston.

Gjatë muajit maj kompania ka bërë të ditur se do të shkurtojë me mijëra vende të punës, teksa ka njoftuar se mund edhe të mbyllë apo të konsolidojë më shumë se 40 zyra të saja.

Advertisement

Përveç shitjes së realizuar të “Elevate”, “Uber” ia ka shitur tërësisht edhe filialin e saj të veturave autonome kompanisë “Autora Technologies”.

Teknologjitë e veturave pa shoferë dikur shiheshin si prioriteti kryesor i “Uber”-it, por programi kohëve të fundit është ballafaquar me pengesa të shumta.

Një prej veturave të kësaj teknologjie ishte përfshirë në një aksident fatal trafiku në Arizona, ndonëse zyrtarët e kompanisë kanë fajësuar për aksidentin faktorin njeri dhe kanë refuzuar ngritjen e ndonjë padie kriminale ndaj tyre.

Njësia e veturave pa shofer është përfshirë gjithashtu edhe në betejat ligjore lidhur me pretendimet për vjedhje teknologjike.

Advertisement

Zhvillimi i industrisë

Për tashmë disa vjet bota ka lëvizur drejt automobilave tërësisht autonomë. Mirëpo së fundi, një kompani në Kinë ka shënuar hapin më të madh drejt bërjes realitet të këtij qëllimi.

Kompania e përkrahur nga “Alibaba” – “AutoX” – ka lëshuar në qarkullim robotaksitë tërësisht autonomë nëpër rrugët publike të Shenzhenit, duke u bërë e para që në Kinë ka vepruar kësisoj.

Në të kaluarën kompanitë që operonin me transportin autonom në rrugët publike të këtij shteti kishin shumë kufizime të rrepta. Ndër to ishte edhe kërkesa që patjetër të ketë një ngasës brenda për shkaqe sigurie.

Advertisement

Mirëpo “AutoX” është ndryshe, ngase ka hequr tërësisht ngasësin “rezervë” apo operatorë të tjerë të mundshëm për 25 automobilat e tij në një linjë lokale. Qeveria kineze nuk ka caktuar masa për hapësirën ku “AutoX” mund të veprojë, edhe pse kompania prodhuese kishte njoftuar se është e fokusuar në qendër të qytetit.

“AutoX” ishte themeluar më 2016 nga Jianxiong Xiao, një ish-ligjërues në Universitetin e Princetonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai vazhdon të pëlqejë nofkën “Profesori X”. Kompania me bazë në Shenzhen është e fokusuar në teknologjinë që i bën veturat të ecin vetëm dhe ka për partnerë kompani të mëdha, si “Fiat Chrysler”, për të zhvilluar dhe për të nxjerrë në treg robotaksitë e veta.

Iniciativa e re është ende në fazë testuese dhe nuk është e hapur për publikun. Kjo s’pritet të ndryshojë së shpejti, sipas Xiaos, që ka thënë se shpreson të marrë lejen për ta zgjeruar programin për pasagjerë të rregullt në dy apo tre vjetët e ardhshëm.

Përderisa “AutoX” ka krijuar avantazh në Kinë, s’është hera e parë që taksitë pa shoferë dalin nëpër rrugët publike. Këtë verë kompania mori provimin për të kryer testime tërësisht autonome nëpër rrugët publike të San Joses në Kalifornia, duke tejkaluar një pengesë në një nga tregjet më të rëndësishme për të.

Advertisement

Në tetor, “Waymo” e “Alphabetit” eci më tutje duke thënë se do të hapë shërbimin e transportit pa shoferë për punëtorët shtetërorë në Phoenix të Arizonas së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gara e brendshme është duke u nxehur. Së fundmi kompanitë kineze kanë nisur t’i lejojnë njerëzit të përjetojnë emocionet se si është të jesh brenda një veture që ecën vetë.

Këtë vit pandemia e koronavirusit ka dëshmuar nevojën për sa më shumë shërbime pa kontakte, që ka nxitur qeverinë të ecën më shpejt drejt teknologjisë autonome, ka thënë Xiao.

Kina, shtëpia më e madhe e sektorit të automobilave në botë, mund të bëhet një ditë shteti kryesor për tregun e veturave pa shoferë, sipas një raporti të kompanisë “McKinsey”. Ajo projekton se shteti do të gjenerojë 1.1 trilionë dollarë në të hyra nga shërbimet me automobilat autonomë deri në vitin 2040.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy