Talebanët përgatiten të rikthejnë ekzekutimet për personat e dënuarit për vrasje dhe prerjen e gjymtyrëve për të dënuarit për vjedhje. Lajmin ia konfirmoi agjensise Associated Press Nooruddin Turabi, një prej themeluesve të grupit dhe njeriu përgjegjes për aplikimin e ligjit të sheriatit në vend gjatë qeverisjes së mëparshme të mullahëve.
“Na kritikojnë për ndëshkimet që ne japim, ndërkohë ne nuk i kemi ndërhyrë ndonjëherë tek ligjet dhe ndëshkimet e tyre”, është shprehur ai duke shtuar “ se do të vazhdojnë të ndjekin Islamin e t`i bëjnë ligjet e veta në bazë të Kuranit”.
Kreu taleban shpjegoi se do të jenë gjykatësit ata që do të vlerësojnë ndëshkimin ndërsa kujtoi se prerja e duarve, sipas tij, ka pasur efekt të madh gjatë kohës kur praktikohej në të shkuarën.
Kur morën pushtetin, talebanët thanë se shpresonin të fitojnë njohjen ndërkombëtare si “përfaqësues legjitim” të Afganistanit, e u përpoqën të tregojnë se kanë ndryshuar, por gjithmonë e më shumë veprimet e tyre dëshmojnë të kundërtën.