
Këtë të enjte në bursën e Londrës u zhvillua ankand për eurobondin e radhës, dhe qeveria arriti të sigurojë shumën e kërkuar prej 650 milionë euro borxh.
Norma mesatare ka arritur në 3.75 %. Ky borxh i ri është marrë me një afat maturimi 10-vjeçar.
Ndërkohë që burimet thonë se shuma e ofruar për të financuar ka qenë 1.2 miliardë euro, pra afro dyfishi i asaj që u kerkua për financim nga qeveria.
Situata konsiderohet pozitive, pasi investitorët kanë shfaqur interes për të financuar.
Kjo është hera e pestë që qeveria po emëton një eurobond. I fundit ishte në qershor 2020, kur u mor një shumë prej 650 mln euro me një normë prej 3.6 %.
Paratë do të përdoren për të financuar deficitin e krijuar si pasojë e shpenzimeve të larta në kushte pandemie, ndërsa një pjesë tjetër do të lihet në thesar për t’u përdorur vitin që vjen, sipas nevojave të qeverisë.