
Kryeministri Edi Rama ka publikuar bisedën që realizoi paraditen e kësaj të enjte me tre përfaqësues të banorëve të “5 Majit”, të cilët protestuan para Kuvendit kundër shembjes së banesave të tyre.
Ndonëse kreu i qeverisë iu bëri të ditur se askush nuk është lënë jashtë angazhimit të qeverisë për strehim, diskutimi ka precipituar. Një banore është përplasur me Ramën, ndërsa e ndërpriste kur ai fliste.
Pjesë nga diskutimi:
Rama: Do u japim shtëpi ne atyre nëne, nuk ka shans t’i lëmë jashtë.
Banorja: Kemi 12 dhoma dhe…
Rama: 12 dhoma s’e di unë. Do marrësh shtëpi nga ne, nëse të pëlqen, merre, në të kundërt mos e merr. Unë po ju them se do të merrni të gjithë shtëpi falas. Kuptove?! Falas. Nëse nuk e doni shtëpinë, mos e merrni.
Banorja: Duam të na kompensohet prona me ato metra.
Rama: Do marrësh shtëpinë si të takon, njësoj si ata të tërmetit.
Banorja: S’kam lidhje me tërmetin unë.
Rama: Prit t’iu sqaroj detajet.
Banorja: Mirë sqarohu.
Rama: Pse bërtet. Do merrni shtëpi me kontratë, njësoj si ata të tërmetit, asnjë ndryshim, sepse nuk keni asnjë meritë të veçantë ju, që të trajtoheni të veçantë. Ne nuk ju japim dot vila.
Banorja: Nuk duam vila, por e kam pronën time.
Rama: Ajo është pronë e popullit shqiptar. Ti tokë aty s’ke.
Banorja: Jemi pronarë të ligjshëm.
Rama: Mos më tregoni mua përralla me mbret. A ka mundësi të flisni me radhë.
Banorja: A mund të parashtroj kërkesat, se ky zotëria (Mazniku)…
Rama: Mos u merr me atë, fol me mua.
Banorja: Kemi folur me avokatë.
Rama: Avokatët lekë duan, harxhoni lekë me avokatë.
Banorja: Po nëse ju s’na jepni përgjigje…
Rama: Përgjigjja ime është që ju do të merrni bonusin e qirasë.
Nënë Liza: Unë nuk e kam me taksat e shqiptarëve. Ne duam të drejtën tonë.
Rama: Çfarë doni?
Nënë Liza: Ne duam të drejtën tonë.
Rama: Ju mund të doni shumë gjëra, ne do u japim çfarë duam ne.
Nënë Liza: Nuk të besoj më.
Rama: Mos beso. Me mua nuk flet dot kështu. Kur je këtu përballë meje, zotnia juaj duhet të mendohet kur flet, se unë nuk jam nga ata që them ‘po’, e nuk e bëj. Ju do të merrni një kontratë, sipas së cilës, ju do të merrni shtëpi, kur të mbarojë ndërtimi. Ndërtimi do të mbarojë, kur të mbarojë. Deri kur të mbarojë ndërtimi, ju do të jeni me qira të paguar nga qeveria.