
Kryeministri Rama është i fundit nga zyrtarët më të lartë të vendit që dëshmon para komisionit hetimor parlamentar për inceneratorët.
Fjala e kreut të qeverisë mbyll marrjen në pyetje të të gjithë atyre personave që kanë dijeni për procedurat ligjore të ndjekura për ndërtimin e tre inceneratorëve: të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit.
Që në mëngjes, kryeministri publikoi disa foto për të treguar se si ka qenë situata me mbetjet urbane në këto qytete, dhe si është sot.
Rama nuk e ka mohuar se në procedurat e ndjekura mund të ketë zyrtarë që mund të kenë shkelur ligjin dhe për këtë arsye ata do të përballen me drejtësinë, pasi sipas tij përgjegjësia është individuale.
Me deshminë e kryeministrit, mbyllet edhe hetimi i nisur nga komisioni parlamentar. Më pas ai do të dalë me një raport, i cili do të shkojë për votë në kuvend.
Aktualisht i arrestuar për çështjen e inceneratorëve është ish-ministri i mjedisit, Lefter Koka.