Kamerat e sigurisë dhe numri i shasisë së mjetit që u përdor në vrasjen e Briken Sanajt, kanë ndihmuar policinë në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorit.
Burimet bënë të ditur se dy shtetasit kosovarë, Kened Antoni dhe Gjelosh Krasniqi, të shpallur në kërkim, dyshohet të jenë vrasës me pagesë në vendin tonë dhe në Kosovë.
Ata i kanë shitur Vladimir Kolës një mjet tip Benz në 24 tetor, 6 ditë para se të kryhej vrasja.
Bashkë me ta besohet se ka qenë edhe një tjetër kosovar, i cili është në kërkim. Shitja e makinës është bërë në një lokal në Shëngjin dhe takimi i tyre është fiksuar nga kamerat e sigurisë.
Pas shitjes së mjetit, autorët i kanë vendosur targa të vjedhura.
Vladimir Kola ka ndjekur të gjitha lëvizjet e viktimës, i cili pak orë para se të ekzekutohej, ishte në Shëngjin tek dasma e shokut të tij.
Hetuesit kanë dyshime të forta se një person i njohur i viktimës, i cili ka qenë në dasmë, gjithashtu mund të ketë informuar autorin e krimit.
Ky i fundit ka pritur rreth 2 orë i fshehur pas një peme në kompleksin te Kodra e Diellit, deri sa Briken Sanaj të vinte e të parkonte mjetin.
Vladimir Kola ka hyrë në Shqipëri ilegalisht nga Mali i Zi dhe në të njëjtën mënyrë më pas është arratisur drejt Belgjikës ku edhe fshihet.
Sa i takon vëllait tjetër, Agustin Kola, i cili gjithashtu është shpallur në kërkim nga policia, dyshohet se ka patur rol si nxitës i krimit.
Vrasja ndodhi për shkak të një konflikti të para 10 viteve mes dy familjeve. Sipas hetimeve, Agustin Kola ndodhet në Spanjë.