
Thirrjet për bashkim të kryetarit të komanduar të PD, Enkelejd Alibeajt duket se po konkretizohen përtej retorikës politike. Në mbledhjen e Kryesisë, Alibeaj ka shprehur se PD duhet të dalë në zgjedhjet vendore të 14 majit me një kandidat të vetëm. Në të njëjtën kohë ai ka përmendur dhe primaret e “Foltores” duke propozuar që të zgjedhurit të shqyrtohen.
“Në funksion të bashkimit, duke konsideruar realitetet që kanë prodhuar primaret e mëparshme të PD-së në prag të zgjedhjeve të vitit 2021, votimet me primare nga grupi i Rithemelimit dhe kandidime të tjerë, i propozoj kësaj kryesie hapjen në princip ndaj gjithë prurjeve në fjalë, në menyrë eksplicite ndaj kandidatëve demokratë të primareve gjithashtu, me synim daljen me kandidatë unik”, ka deklaruar ai.
Retorika e ish-kryeministrit, Sali Berisha nuk i përafrohet këtyre deklaratave, pasi ai bën përgjegjës direkt Alibeajn për shkatërrimin e opozitës. Berisha deklaroi se Alibeaj dhe Basha janë pengje të Ramës dhe shtoi se do të pagëzojë një koalicion që do ta bëjë të ditur në vazhdim.