
Një atentat ka tronditur mbrëmjen e sotme zonën e Paleo Faliros, ku një shqiptar u qëllua me armë në gjoks para shtëpisë së tij.
60-vjeçari Thimo Droboniku alias Thimi Prifti u dërgua në gjendje të rëndë në spitalin Evangelismos, ku ndërroi edhe jetë pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.
Ai u qëllua nga dy persona që lëviznin me motoçikletë, të cilët nuk janë identifikuar ende.
Shqiptari duket se është emër i njohur për policinë greke. Mediat e shtetit fqinj raportojnë se 60-vjeçari ishte i përfshirë në trafikun e drogës.
Droboniku ishte akuzuar nga autoritet greke për anëtarësi në një organizatë kriminale, formim bande, shkelje të ligjit për Narkotikët dhe Kodit Doganor, si dhe falsifikim.
Ndërkohë, mbrëmjen e sotme, sipas informacioneve paraprake, dyshohet se ai është vrarë për larje hesapesh. Policia ka blinduar zonën ku ndodhi krimi dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes.