2 vjet pa Adem Demaçin, kush ishte “Mandela i Ballkanit”

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Sot u mbushën 2 vjet nga ndarja nga jeta e Adem Demaçit, veprimtarit të lirisë së Kosovës të njohur me nofkën “Mandela i Ballkanit”, i cili i kaloi 28 vjet të jetës së tij në burg.

I lindur në vitin 1936, Adem Demaçi, ndër emrat më të rëndësishëm në Kosovë të përpjekjeve paqësore për liri dhe për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ishte bërë i njohur qysh në fëmijëri si zë revoltues në bankat e shkollës. Që nxënës, ai kërkonte që edhe serbët ta mësonin gjuhën shqipe, ashtu siç shqiptarët e mësonin serbishten, shpesh duke shkaktuar kështu edhe “skandale” politike në shkollë.

Fillimi i historisë së arrestimeve të tij nga policia serbe e Jugosllavisë nis në vitin 1958, kur ai ishte vetëm 22 vjeç dhe sapo kishte botuar romanin e tij të parë si shkrimtar i ri, “Gjarpinjtë e gjakut”, vepër e cila sulmonte traditën e gjakmarrjes.

Atij i shkojnë në shtëpinë e tij në Prishtinë, ndërsa edhe pse nuk ishte pjesë e ndonjë organizate ilegale, i kumtojnë se arrestohet “në emër të popullit”. Arsyetimi ishte se “ka vepruar armiqësisht kundër rregullimit shtetëror dhe shoqëror të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë ngase është angazhuar për shkëputjen e territorit të Kosovës dhe bashkimit të saj me Shqipërinë”. Në mars të vitit 1959, shpallet fajtor dhe vuan 3 vjet burgim.

Advertisement

Më 28 nëntor 1963, Demaçi themelon organizatën Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve me qëllim “sigurimin e të drejtave për vetëvendosje, madje deri në pikën e shkëputjes së plotë, për zonat me shumicë shqiptare që ishin brenda Jugosllavisë”.

Anëtarët e kësaj organizate në prill të vitit 1964 valuan flamuj shqiptarë nëpër qytete të ndryshme të të Kosovës e gjithashtu shkruan dhe sloganin “Rroftë Shqipëria, nëna jonë”. Në qershor të po këtij viti, midis arrestimeve të qindra pjesëmarrësve të këtij aksioni, Adem Demaçi, pas një gjyqi të mbajtur në Prishtinë, dënohet për herë të dytë, me 10 vjet burgim.

Në shkurt të vitit 1974 ai del nga burgu, për të qëndruar vetëm 15 muaj në liri, pasi Gjykata e Qarkut në Prishtinë e akuzoi atë se pas lirimit ishte takuar me njerëz të tjerë të akuzuar dhe se së bashku kishin planifikuar hartimin e statutit dhe planit të një organizate të paligjshme. Demaçi dënohet për herë të tretë, këtë herë me 15 vjet burg.

Pasi vuajti 28 vjet burgim në ish-Jugosllavi, Demaçi pas kësaj periudhe tha se herën e parë e dënuan për propagandë, të dytën për krijimin e një organizate, duke thënë se i pranon këto akuza, por, për dënimin e tretë e mohonte, duke e quajtur “të kurdisur”.

Advertisement

“Herën e tretë ata më dënuan pa qenë fajtor për asgjë. Ata sollën para gjykatësve njerëz që nuk i kisha parë kurrë dhe nuk i njihja aspak. Gjykimi ishte i turpshëm. Një komedi e vërtetë. Isha viktimë. Por pa viktima, nuk arrihet askund. E pranova këtë rol. Nga ana tjetër, unë jam i lumtur që pushtuesi serb ka zgjedhur të thyejë, sepse unë e di mirë që jam i pathyeshëm. Ata krijuan një dëshmor prej meje”, – kishte thënë Demaçi vite më vonë.

Në dhjetor të vitit 1991, Parlamenti Evropian në Strasburg, me angazhimin e fortë të Alexander Langer, Doris Pack, të shumicës së deputetëve të këtij parlamenti dhe me angazhimin e pakursyer të bashkatdhetarëve të tij, i akorduan Adem Demaçit çmimin e lartë “Sakharov”. Pas kësaj mirënjohjeje të lartë, Adem Demaçi ndërmori një turne të gjatë nëpër botë, me ç’rast takoi shumë personalitete të njohura botërore.

Në vitin 1992, ai merr çmimin kundër Racizmit e Ksenofobisë nga “Universidad de Complutense” të Madridit, ndërsa në vitin 1994 nominohet dy herë për Çmimin Nobel: në shkurt të atij viti për Nobelin në Letërsi, ndërsa në shtator për Nobel në Paqe.

Gjatë periudhës 1998/1999, Demaçi ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa pas luftës ai u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave joshqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre.

Advertisement

Nga viti 2005 deri në vitin 2007, Adem Demaçi drejtoi edhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës. Ai është autor i disa librave, si: Gjarpinjtë e gjakut (1958), Libër për Vet Mohimin (1994), Dashuria Kuantike e Filanit (2007) e të tjera.

Në vitin 2010, ai u dekorua me urdhrin “Hero i Kosovës”, dekoratë shtetërore e Kosovës që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës të kohëve moderne nga Lidhja e Prizrenit e këndej, si dhe qytetarëve të Kosovës që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy