Nobelistja Annie Ernaux, për gratë, abordin, dashuritë e ndaluara dhe shkrimtarët

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ajo është e ëmbël dhe e gëzuar. Një ikonë e vërtetë e letërsisë e cila refuzon që vepra e saj të futet në kolanën me vepra të zgjedhura « La Pleiade». « Do kisha përshtypjen se do më varrosnin në një lloj mazoleu. Fama dhe gjithçka që ajo sjell nuk më pëlqen, më duket diçka boshe. Ajo që më pëlqen është të shkruaj». Ajo vazhdon të shkruajë në ditarin e saj që e mban që në moshën 16 vjeçare, pjesë të cilit i gjejmë dhe në botimin e mrekullueshëm « Cahiers de l’Herne » që sapo është botuar mbi veprën e saj letrare.
ELLENë romanin « Djaloshi » ju thoni se « nëse nuk i shkruaj ndodhitë, ato nuk shkojnë gjer në fundin e tyre, ato vetëm përjetohen » Ç’doni të thoni me këtë ?
A.E. – Ndonjëherë kam përshtypjen se i përjetoj aq pak gjërat që jetoj sa është letërsia që më bën ti jetoj gjer në fund. Eksperimentoj një ndjesi të reales më të fortë se sa është ajo në jetën e vërtetë dhe kjo duket paradoksale. Padyshim është e pamundur ti rijetosh ndodhitë dhe nganjëherë kjo nuk është e dëshirueshme, por është në fakt një dëshirë që të ngacmon. Ndoshta është një përjetim i gëzueshëm, çka ishte për romanin «Pasion i thjeshtë » ku ndjehesha pothuaj mbi ekzistencën time reale. Vallë është kështu kur vdesim ? (Ajo qesh). Tek romani « Djaloshi » tregoj gjithashtu ndjesinë kur në moshën 54 vjeçare mu desh të përjetoja atë dashuri me atë dashnor të ri, ndjesi çka e kisha jetuar kur isha 30 vjeç më e re se tani.
ELLE – A mund të ma shpjegosh ?
A.E. – Gjatë gjithë kësaj historie me atë student unë po shkisja nga një epokë në tjetrën. Nuk kisha më moshë. Të gjeja tek ai djalosh origjinën time popullore më çonte shumë vite mbrapa, në botën e mëparshme, ishte diçka krejt ndryshe nga ajo me burrin tim, i cili vinte nga një mjedis borgjez. Kështu gjeta të kundërtën e asaj që jetoja atë kohë. Veç kësaj, pata dhe një lloj ngazëllimi e pushteti, pasi isha unë ajo që i paguaja restorantet, udhëtimet me të.
ELLE – … dhe pastaj erdhi ajo rastësi e jashtëzakonshme !
A.E. – Dritaret e dhomës së tij binin mbi spitalin e qytetit të Rouen, i njëjti spital ku më kishin çuar dikur pas një hemoragjie, si shkak i abortit tim klandestin, të cilin e tregoj në romanin tim “Ndodhia”. Ishte vërtet një surprizë e habitshme e reales që më kishte ndodhur. Duke rilexuar këtë tekst të shkurtër, por mjaft të ngjeshur ndjeva ndjesinë e dhunshme të një zbulimi. Ai djalosh ishte për mua një ëngjëll, si tek filmi “Teorema” i Pasolinit. Sapo u ndava më të shkrova menjëherë romanin “Ndodhia”.
ELLE – Kjo histori me një djalosh shumë më të ri, a ishte për ju një sfidë ndaj shoqërisë?
A.E. – Ah, po, në atë epokë kjo ishte një tabu por sot lumturisht shoqëria ka evoluar. Kur ne ishim në plazh së bashku, kujtoj gjithashtu dhunën që më ushtrohej nga vështrimet e të tjerëve. Dhe unë shkrova në libër: ”Ajo që ata njerëz shikonin, në një fare mënyre konfuze ishte një lloj inçesti.”
ELLE – Turpi bën pjesë në morinë e ndjesive në jetën tuaj, por tashmë duket se kjo nuk ekziston.
A.E. – Madje tani do të thoja se është e kundërta e turpit. Kam një ndjesi fitoreje. Më kujtohet kur në një “Sallon libri” në jug të Francës, kur ne mbërritëm vonë dhe u shfaqëm më së fundi në sallë, shkrimtarë dhe shkrimtare që ishin aty ndaluan së ngrëni dhe pati një heshtje të madhe. Për më tepër ata ishin njerëz liberalë dhe po tu thoja se cilët ishin ju do të habiteshit.
ELLE – Dhe këto reagime nuk ju bën të ndryshoni ?
A.E. – Jo, ishte diçka e gëzueshme të shikoja shqetësimin e atyre njerëzve. Në jetën time nuk kam patur marrëdhënie vetëm një djalosh të dashur, mund të thuash se kisha bërë një koleksion më vete. Ka gra të tilla që djemtë i pëlqejnë. Të kesh një pasqyrë tjetër, ndryshe nga mplakja, është një kënaqësi e vërtetë.
ELLE – Kjo na bën të mendojmë për Brigitte dhe Emmanuel Macron.
A.E. – Po, ju kuptoj, por unë jam shumë pak “makroniste”. E vetmja gjë që më intereson tek ta është çifti, lidhja e tyre.
ELLE – Ju doni të shkruani gjithnjë mbi subjektet tabu si aborti, përdhunimi, origjina, pra gjëra që nuk i themi.
A.E. – Jo, aspak. Mendoj se kjo lidhet vetëm me fillimet e mia. Kam shkruar librin “Pema”, një roman që refuzuan ta botonin dhe vite më pas në fshehtësi, botova librin « Dollapet bosh ». Atëherë isha e martuar, isha nënë, profesoreshë në Annecy. Ia dërgova botuesit me adresën e shkollës ku jepja mësim. Nuk shpresoja shumë tek ai tekst i dhunshëm që të botohej sepse ishte disi jashtë realitetit të zakonshëm. Por shtëpia botuese Gallimard e pranoi dhe kështu u bëra shkrimtare e një libri skandaloz. Fjala se po tradhëtoja nuk ekzistonte për mua dhe botimi ishte një lloj goditje. E pra ishte një lloj skandali. Isha 33 vjeçe, por unë vazhdova rrugën time letrare. Kuptova se një libër nuk ta ndryshon jetën, të paktën jo menjëherë. Jeta ime ndryshoi gjatë një kohe të gjatë.
ELLE – Pikërisht këtë nënë të re, këtë grua të re që shkruan në mënyrë të ftohtë ne e gjejmë tek “Vitet e filmit super 8” që ju e realizuat bashkë me birin tuaj, David.
A.E. – Burri im Philippe Ernaux kishte blerë një kamera « Super 8 ». Me atë filmoi gjithnjë, deri në ndarjen tonë nëvitin 1981. Biri im realizoi një dokumentar me këto filmime dhe më kërkoi të shkruaja një tekts për filmin e tij. Philippe filmonte festat e Krishtlindjeve, datëlindjet e fëmijëve, çaste të mrekullueshme gëzimi si dhe udhëtimet tona në vende të pamundura siç ishte Shqipëria. Ajo kohë ishte njëkohësisht dhe fillimi i mosmarrëveshjeve tona.
ELLE – Më së fundi po zbulojmë dhe burrin tuaj.
A.E. – Rolet tona ishin të ndara. Ai filmonte, por dhe unë ndonjëherë e merrja kameran. Do ta shikoni, është një film i bukur, madje shumë i bukur, çka shpjegon shumë gjëra
ELLE – Në këtë film ju shohim të ndarë sa pas familjes e po ashtu nevojës për të shkruar.
A.E. – Po, këtë e kam treguar dhe në librin “Gruaja e ngrirë”. Kurrë s’do kisha dyshuar që unë, një vajzë e rritur me ndjenjën e lirisë, studente, të kthehesha një ditë në një grua që bënte veç kuzhinë, përkujdesej për familjen, pa mundur të shkonte në kinema. U ndjeva e kapur ngushtë në një kohë që nuk mund të ishte ndryshe. Ishte normale që një burrë thoshte: “Nëna ime dinte ti bënte salcat e gjellëve…”
ELLE – Ju kështu përshkruani ngarkesën psikike?
A.E. – Ishte vetë martesa që e krijonte këtë raport force: një grua, lidhej me një burrë dhe ajo kthehej në shërbëtore. Duhej të merreshe me gjithçka, me pazaret, larjen e enëve, etj. Kjo gjë nuk ndihmonte në marrëdhëniet mes nesh. Dhe po të shtoni origjinën borgjeze të Zotërisë, i cili ishte burri im, me origjinën time popullore, kjo krijonte një diferencë akoma më të madhe.
ELLE – Ju flisni pak për mëmësinë.
A.E. – Të qenit nënë për mua është diçka madhore. Nuk arrij ta imagjinoj një jetë pa fëmijë. Në fund të librit “Ndodhia”, kur gjeta veten me barkun e zbrazët as atij aborti brutal; menjëherë i thashë vetes se dua te kem një fëmijë. Dy djem ishin të mjaftueshëm për mua. Isha mirë…
ELLE – Dhe nuk jeni zhgënjyer që s’keni patur një vajzë?
A.E. – Në fakt nuk jam zhgënyer asnjëherë për diçka që nuk e kam. Kam patur fatin të kem një mbesë. Si të gjitha feministet e reja sot, ajo nuk lë asgjë ti anashkalojë dhe ka të drejtë.
ELLE – Cili është sipas jush revolucioni më i madh feminist?
A.E. – Më i bukuri është revolucioni feminist gjatë shekullit XX. Ishte shpikja e pilulës. Nuk mund ta imagjinoja sot jetën e vajzave, të cilat, që kur kishin mesturacionet jetonin në një ankth absolut. Të mbeteshe shtatzënë ishte një frikë e vazhdueshme, një fatkeqësi, turp, gjëja më e tmerrshme, një ndjesi sikur jeta ndalonte. A e imagjinoni aktin seksual në këto kushte? Atëherë nuk bëhej pyetja nëse do kem orgazëm apo jo?! Pilula për të mos mbetur shtatzënë është kushti i parë i lirisë së gruas. Ja pse e shkrova romanin “Ndodhia” në një kohë kur isha militante e shoqatave feministe por që nuk flisja për këtë ngjarje.
ELLE – Dhe më së fundi romani juaj “Pasion i thjeshtë”. A nuk shkaktoi më shumë skandal sesa “Ndodhia”?
A.E. – “Ndodhia” shkaktoi në fakt një lloj agresiviteti, ndërsa “Pasion i thjeshtë” ishte diçka tjetër. Cfarë shkruaj në fakt në themel të këtij romani? Shkruaja se prisja një burrë të ëmbël për të bërë dashuri me të! Më kanë akuzuar se kam treguar thjeshtë një pasion seksual, pa ndjenja, çka në fakt nuk është e vërtetë. Ngulmoj në atë se unë zgjodha të jetoj një pasion për të cilin e dija se nuk do të përfundonte më vonë, pasi ai ishte një diplomat rus dhe nuk do të qëndronte përjetësisht në postin e tij në Paris. Zgjodha lumturinë dhe fatkeqësinë në të njëjtën kohë. Dhe ky ishte një nga momentet më të bukura të jetës time. Kur isha e vogël, lluksi për mua ishte të kisha një peliçe apo të shkoja për pushime buzë detit. Sot mendoj se lluks është të përjetosh një pasion. Pasioni ju merr me vete. Dashuria është më e komplikuar.
ELLE – Midis asaj vajze 20 vjeçare që afirmonte dikur se « do të shkruaj për tu hakmarrë në emër të llojit tim” dhe gruas që jeni sot, a e vini re se kjo ndjesi ka ndryshuar shumë?
A.E. – Pyetje e vështirë. Ndjesia e gjësë ilegjitime mbetet gjithnjë dhe është padyshim ndjesia më e thellë tek unë. Ajo që del nga rradha, rreshti, mbetet gjithnjë një qenie që nuk i përket kësaj bote, as asaj që vjen, pra as botës në të cilën jetojmë. Me një fjalë është një një pozicion natyral të një etnologu, që ka mundësinë dhe favorin për të vëzhguar shoqërinë, e që në të njëjtën kohë është e vështirë kur e përjeton vetë.
ELLE – Cilët janë shkrimtarët që ju kanë shoqëruar në jetën tuaj?
A.E. – Jean-Jacques Rousseau, Flaubert, Proust, Sartre, Simone de Beauvoir, Perec, romani « Shëtitja tek Fari » i Virginia Woolf etj. Tek unë kanë ndikuar dhe shkrimtarë që sot janë harruar, siç ishte Claire Etcherelli. Romani « Ikur me erën » ishte romani më i sukseshëm tek të gjithë ne. Isha 15 vjeç dhe nënën time ky roman e mrekullonte dhe krenare për mua, ajo thoshte:”Shih, vajza ime lexon!”. Por ndërkohë babai i ankohej: “Nuk ke turp që lexon nga këto lloj historish?!” Nëna është personazh i rëndësishëm i jetës time. Rëndësia e nënave është thelbësore apo jo?… E po kështu dhe për djemtë, çka e harrojmë!
ELLE – Jeni e etur gjithnjë për të shkruar?
A.E. – Shkrimi është gjëja më e rëndësishme në jetën time: pra të shkruaj në mëngjes në ditar, të lexoj pasdite në kopshtin tim, çka është vërtet një lumturi…
Intervista e nobelistes 2022 Annie Ernaux është përkthyer nga diplomati dhe shkrimtari Luan Rama. Marrë nga facebook i tij

Nobelistja Annie Ernaux, për gratë, abordin, dashuritë e ndaluara dhe shkrimtarët shkruan Lapsi.al.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy