Shkrimi i rrallë i “Le Matin” për Ismail Qemalin 110 vjet më parë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

“Do të marr vaporin, do të shkoj në Shqipëri”. Me këtë titull gazetari dhe historiani Ilir Ikonomi ka publikuar në faqen e tij në Facebook një shkrim të botuar 110 vjet më parë në gazetën e Parisit “Le Matin”. Ai flet për aktin e jashtëzakonshëm të Ismail Qemalit, shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Autor është Stéphane Lauzanne, kryeredaktori i gazetës, i cili e kishte njohur Ismail bej Vlorën në Stamboll.

〜 〜
Pasi luftoi pesë shekuj, Shqipëria do ta fitojë pavarësinë pa luftuar

Paris, 4 dhjetor 1912

Stéphane Lauzanne

Advertisement

Në Stamboll, gjatë dy javëve të para të luftës, ishte një njeri i cili thuajse nuk largohej për asnjë çast nga holli i hotelit ku rrinte. Ishte trupmadh, i fuqishëm, me flokë dhe mjekër të bardhë që ngërthenin brenda tyre dy sy në ngjyrë blu të thellë dhe mjaft shprehës. Rrethohej nga një grup i vogël njerëzish që diskutonin dhe komentonin pa pushim, ndërsa ai vetë qëndronte gjithnjë në heshtje.

– Shikojeni mirë këtë njeri, – më tha një ditë një diplomat që kaloi aty pranë. Një ditë ai do të jetë kryeministër e madje kryetari i një shteti që ende nuk ekziston. Në luftën ku është përfshirë Europa, ai do të jetë fitimtar pa e shkrepur njëherë…

Kështu e njoha Ismail Qemal Beun, ose më mirë e rinjoha, sepse kisha pasur nderin ta intervistoja 12 vjet më parë në Londër. Të dielën e kaluar mësuam nga një lajm se ai sapo ishte zgjedhur Kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë.

Gjatë atyre dy javëve, kur nuk kishte ditë pa një betejë, Ismail Qemali vinte mbrëmjeve dhe më pyeste shkurt:

Advertisement

– Ndonjë të re?

I tregova një ditë se turqit i kishin mundur serbët (këtë e njoftuan nja dhjetë herë në Stamboll) dhe ai duket se u kënaq e më tha vetëm kaq:

– Sa mirë!

Por të nesërmen, rrota e lajmit ishte rrotulluar paksa, ashtu si ajo e fatit dhe unë i tregova se bullgarët kishin mundur turqit. Ai nuk shfaqi kurrfarë emocioni dhe më tha përsëri:

Advertisement

– Sa mirë!

I thashë: Si ka mundësi që, si atëherë kur turqit fitojnë, ashtu edhe kur munden qenka njëlloj mirë?

LEXO EDHE: Misteri i vdekjes/ A e helmuan Ismail Qemalin?

Ai vuri buzën në gaz, e vetmja buzëqeshje që i kisha parë ndonjëherë, dhe, me fjalë të qarta, serioze dhe të matura më shpjegoi mendimin e tij që ishte edhe opinioni i një populli të tërë.

– Shumë mirë, tha, sepse cilido qoftë fitimtari ose i munduri, ka ardhur ora që kam pritur gjithë jetën dhe që populli im ka pritur me shekuj – ora kur Shqipëria më në fund do të heqë zgjedhën dhe do të bëhet shtet i pavarur.

Advertisement

Provoni të prisni në Gadishullin Ballkanik, përgjatë Adriatikut, një rrip toke 400 kilometra të gjatë dhe 120 të gjerë, përfytyrojeni atë plot shkëmbinj, pa rrugë dhe pa ura, sa që në stinën e shirave, as karvanët nuk ecin dot nëpër shtigjet e mushkave. Përfytyroni pastaj një racë njerëzish që nuk kanë të bëjnë fare me racat sllave, greke, turke, romane, pra me askënd tjetër në Perandorinë Osmane, por që ka ruajtur pastërtinë primitive të atletit.

Këtu duhet të keni parasysh se flasim për malësorët më të ashpër të botës, në luftë të vazhdueshme, por që zbatojnë megjithatë doket më të çuditshme të mesjetës, si zakoni që lejon një grua të udhëtojë e vetme nga një cep i krahinës në tjetrin pa u sulmuar apo pa u ngacmuar nga askush. Përfytyroni të gjitha këto dhe do të keni një ide për Shqipërinë.

LEXO EDHE: Pse Ismail Qemali i shkroi kujtimet ne anglisht

Por e veçanta është se në këtë vend të egër, të pakultivuar dhe të ashpër, ku besimet fetare kryqëzohen në shumë sekte, ideja e kombit i ka rrënjët fort në Europë.

E pyesja shpesh Ismail Qemalin:

Advertisement

– Si do t’i bashkoni katolikët e veriut, myslimanët e qendrës dhe ortodoksët e jugut?

– Ata janë të bashkuar, – më përgjigjej, – nga kulti i përbashkët i atdheut, të cilin e mbajnë brenda tyre prej 600 vjetësh!

Dhe Ismail Qemali nuk ekzagjeronte aspak.

Kur dallga turke gllabëroi Azinë, në fillim të shekullit XV, dhe, pasi theu digën e Kostandinopojës dhe u përhap në Gadishull, raca që i bëri qëndresën më të fuqishme ishte ajo e Shqipërisë së lashtë, raca shqiptare. Taborreve osmane iu deshën 15 muaj për të marrë Shkodrën dhe, kur jeniçerët hynë në qytet gjetën kufoma grash mbi gërmadha. Këto ishin gra që kishin hedhur shtiza njëlloj si burrat. Por u desh shumë më tepër se kaq, u deshën 50 vjet për ta nënshtruar të gjithë vendin dhe asnjë sulltan nuk mund të mburret se e mposhti këtë vend të papërkulur.

Advertisement

Pesë shekuj më pas, më 1878, kur Europa, që e ka zakon të tregohet bujare me plaçkën e popujve, por dhe nuk ka frikë se këta popuj mund t’i zemërohen, i bëri dhuratë Serbisë territoret e Kurshumlisë dhe të Vranjës, ndërsa Malit të Zi i dha Gucinë dhe Plavën, një kryengritje e madhe tronditi malësinë shqiptare. U desh që Serbia të mbështetej tek armët për ta marrë dhuratën që iu bë dhe që Europa të dërgonte një flotë ndërkombëtare përpara Ulqinit, që Mali i Zi të merrte të tijën…

LEXO EDHE: Pse deputeti turk e goditi Ismail Qemalin me shuplakë

Shqipëria e zemëruar u kthye atëherë kundër sovranes së saj, kundër Turqisë, e cila kishte lejuar të sakatohej toka e Shqipërisë së vjetër. Shpërtheu një kryengritje e tmerrshme. Portës iu desh të dërgojë një ushtri prej 30 mijë njerëzish për të shtypur revoltën patriotike në rritje.

Më në fund, përsëri dje, kur me vullnetin e qeverisë së Turqve të Rinj, Shqipëria, e lidhur këmbë e duar, u vu përpara skuadrës së pushkatimit të Turgut dhe Shefqet Pashës, nuk munguan ofertat për ndihmë nga të dërguarit serbë dhe bullgarë për shqiptarët nën trysni. Dukej sikur shqiptarët nuk kishin rrugë tjetër veçse të hynin në aleancën ballkanike.

Por ata nuk e kuptonin kështu. Ata nuk donin të shkëmbenin një nënshtrim me një tjetër, qoftë edhe dhjetë herë më të butë. Ajo që ata donin ishte pavarësia, të cilën ndoshta më në fund do ta marrin…
Por shihni sa i çuditshëm dhe paradoksal është fati në jetën e popujve; kjo racë që ka luftuar prej gjashtë shekujsh për të fituar lirinë, do ta marrë atë pas një lufte ku ajo vetë nuk do të luftojë aspak!

Advertisement

Një mëngjes, (më 2 nëntor) takova Ismail Qemalin i cili po nisej me një torbë në dorë.

– Ku po shkoni kështu? – e pyeta.

– Do të marr vaporin. Do të shkoj në Shqipëri.

Para pak ditësh, siç e përmenda, dëgjuam lajmin se ai jo vetëm që kishte arritur, por që një kuvend burrash të njohur shqiptarë, i mbledhur në Vlorë, e kishte zgjedhur kryetar të qeverisë së përkohshme, ndërsa flamuri kombëtar shqiptar ishte ngritur mbi ndërtesat publike.

Advertisement

Me të njëjtën anije që u nis Ismail Qemali, u nisën edhe Nabi Beu, ambasadori i Turqisë në Itali dhe Hilmi Pasha, ambasadori në Austri. I pari shkonte për të vulosur paqen përfundimtare në Romë. Tjetri do të përpiqej në Vjenë të bënte të mundur shpërthimin e luftës së përgjithshme.

Ata kishin me vete valixhe të mëdha. Por bagazhi më i rëndë për nga shpresat dhe nga vendosmëria ishte ai brenda torbës së vogël të Ismail Qemalit… 

Shkrimi i rrallë i “Le Matin” për Ismail Qemalin 110 vjet më parë shkruan Lapsi.al.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy