A është e dënuar të rrënohet ekonomia kineze e ushqyer nga borxhet?

Pinterest LinkedIn Tumblr +
A është e dënuar të rrënohet ekonomia kineze e ushqyer nga borxhet?

Nga Ian Williams, The Spectator

Për vite me radhë, u duk sikur “flluska” tejet e fryrë e pronave në Kinë, do të vazhdonte të zgjerohej më tej, duke kundërshtuar me sa duket edhe ligjet e ekonomisë, si dhe paralajmërimet e rregullta mbi pasojat e tmerrshme për ekonominë kineze në rastin e shpërthimit të saj.

Tani ai moment mund të jetë mbërritur, teksa zhvilluesi më i madh i pronave në vendin komunist, është në prag të falimentimit. Kompania “Evergrande” është debitori më i madh në Kinë dhe në botë. Ajo i detyrohet rreth 300 miliardë dollarë bankave kineze, furnitorëve dhe investitorëve të huaj, dhe po përpiqet që të paguajë interesat e këtij borxhi.

Rreth 84 milionë dollarë interesa do të paguhen këtë të enjte, por kompania ka mbetur praktikisht pa para. Tregjet e aksioneve në të gjithë botën po bien, ndërsa pasojat po bëhen më të qarta. Sipas një vlerësimi, “Evergrande” ka marrë hua për më shumë se 1.5 milion apartamente, të blera jashtë planit, teksa forcat e rendit publiku janë vendosur jashtë selisë së kompanisë në Shenzhen, ku u mblodhën shumë protestues të zemëruar.

Advertisement

“Evergrande, më kthe paratë e mia që i kam fituar me gjak dhe djersë!”-bërtiste një qytetar që arriti të hyjë me forcë në hollin e godinës. Protestuesit iu bashkuan punonjësve të kompanisë, ¾ e të cilëve i grumbulluan paratë e tyre në fillim të këtij viti, për të ndihmuar në financimin e operacioneve të kompanisë.

Këto fonde cilësoheshin si investime me interes të lartë, por të cilat tani kompania nuk ka mundësi që t’i kthejë mbrapsht. Deri kohët e fundit Xu Jiayin, kreu i “Evergrande” me shumë lidhje politike, dhe me një pasuri personale të vlerësuar në më shumë se 10 miliardë dollarë, shihej duke u shoqëruar me manjatët më të njohur të Hong Kongut.

Ai ishte gjithashtu pjesë e festimeve të 100 vjetorit të Partisë Komuniste në Pekin. Problemet e tij nisën vitin e kaluar, kur qeveria kineze i shtrëngoi rregullat për huadhënien ndaj zhvilluesve të pronave, të cilat përbëjnë gati 40 për qind të kredive bankare, në një përpjekje për të frenuar disi spekulimet me këtë treg.

Këtë vit çmimet e pasurive të paluajtshme kanë rënë me rreth 20 për qind. Gjatë më shumë se 2 dekadave, lulëzimi në dukje i pafundmë i këtij sektori në Kinë, solli krijimin e qytete të reja në të gjithë vendin.

Advertisement

Ka pasur spekulime të shfrenuara, me ndërtimin e “qyteteve fantazmë”. Sipas një vlerësimi, Kina ka 65 milionë shtëpi bosh. Por një klasë e mesme e re në zhvillim, e pa blerjen e pronës si përdorimin më të mirë të parave, sigurisht më mirë sesa fitimet e pakta nga depozitimi i parave në bankat kineze.

Për pasojë, bankat nisën të jepnin kredi për zhvilluesit e pronave. “Evergrande” e degëzoi veprimtarinë e saj tek uji i imbotiluar dhe prodhimi i automjeteve elektrike. Madje bleu edhe një ekip futbolli. Falimentimi i kësaj kompanie është një sfidë për Partinë Komuniste.

Kjo e fundit do të shqetësohet me siguri nga protestat, dhe do të ndërgjegjësohet mbi efektet e mundshme të kësaj ngjarje në sistemin më të gjerë financiar, që është i mbytur në borxhe.

Ekonomia kineze është shumë e varur nga prona dhe shërbime e lidhura me pronën, të cilat sipas një vlerësimi përbëjnë deri në 28 për qind të PBB-së kombëtare. Tani ka jo pak spekulimet rreth kompanive të tjera të ngjashme apo edhe stabilitetit të financave të qeverisjes vendore, pasi një pjesë e madhe e të ardhurave vendore vijnë pikërisht nga shitja e tokës tek zhvilluesit e pronës.

Advertisement

Tashmë ekziston një shqetësim serioz për borxhet e fshehura të qeverisjes vendore, dhe përdorimin e tyre si mjete të errëta të financimit. Sipas një vlerësimi, borxhi i pashlyer i qeverisë vendore ka vlerën e 44 për qind të PBB -së. Askush nuk e di me siguri, pasi sistemit financiar kinez i mungon transparenca.

Edhe borxhet prej 300 miliardë dollarësh të “Evergrande”, mund të jenë të nënvlerësuara, pasi kompania besohet gjerësisht se ka marrë hua të paktën një të tretën e borxhit jashtë bilanceve zyrtare.

Rreziqet janë shumë të mëdha, dhe vetëm qeveria mund ta shpëtojë kompaninë. Ajo mund të rihapë kanalet e kreditimit, siç e ka bërë shumë herë më parë, dhe siç bëri vitin e kaluar për të rritur ekonominë pasi e mori veten nga Covid-19.

Por kjo strategji do të shtojë borxhin qeveritar, i cili do të kapë majat. Pasi mund të ndërtohen ende shumë blloqe apartamentesh dhe një infrastrukturë tjetër. Ekonomia e Kinës e ushqyer vazhdimisht nga borxhet, ka nxitur shumë analistë të parashikojnë dështimin e ekonomisë kineze.

Advertisement

Në shumë aspekte, është një aksident që pritet të ndodhë. Kriza e kompanisë “Evergrande” vjen në mesin e një goditjeje më të gjerë dhe në dukje arbitrare kundër kompanive kineze të teknologjisë dhe gjigantëve të tjerë, të cilat i kanë futur në ankth investitorët dhe tregjet. Ndoshta nuk do të duhet shumë për t’i shtyrë ato buzë greminës, dhe kjo gjë do të kishte pasoja globale. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy