Balerini ukrainas, me tatuazhin e Putinit në gjoks, anulon shfaqjen “Rasputin” në Milano

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Balerini ukrainas, me tatuazhin e Putinit në gjoks, anulon shfaqjen “Rasputin” në Milano

Për dy ditë me radhë, në Teatrin e Operës dhe Baletit “Arcimboldi” në Milano, pritej që ylli i baletit ukrainas, Sergei Polunin, të vinte në skenë shfaqjen “Rasputin”.

Por, diçka e tillë do të jetë e pamundur, sipas ekipit organizativ të artistit.

Balerini pretendon se ka lënduar tendinën e Akilit në këmbën e djathtë, gjatë mbrëmjes gala “Yjet e baletit rus” në Krasnoyarsk, Siberi, më 3 mars.

Edhe pse duhet më pak se një muaj nga performanca e Polunin-it në Itali, më datë 9 dhe 10 prill, ai e ka anuluar shfaqjen.

Advertisement

“Ne u përpoqëm që të flisnim me Polunin ditët e fundit”, ka thënë drejtori artistik i “Arcimboldi”-t, Gianmario Longoni, “për të mësuar diçka më shumë mbi gjendjen e tij, duke qenë se nga deklaratat e fundit balerini përcaktoi publikisht pozicionin e tij ndaj pushtimit rus në Ukrainë. Ai u shpreh se ishte shumë i impresionuar dhe i mërzitur nga ngjarjet”.

“Të premten e 11 marsit”, vijoi drejtori, “ekipi organizativ i artistit na dërgoi diagnozën nga spitali i Novosibirsk me rrezet X, ku tregonin për dëmtimin e këmbës”.

“Gjithashtu”, tha ai, “ata na thanë se Sergei është tani në Dubai, për t’u operuar dhe se nuk ka dëshirë të angazhohet deri në janar”.

Drejtori artistik gjithashtu ka deklaruar se ky “është një dëm i madh për teatrin”, pasi “do të jemi të detyruar ta shtyjmë ‘Rasputin’ për vitin e ardhshëm”.

Advertisement

“Kjo shfaqje, në fakt”, ka ravijëzuar Longoni, “tashmë duhej të ishte dhënë në Milano që në prill të 2020-ës, por që u shty për shkak të pandemisë”.

Më tej, ai bëri me dije se më datë 7 prill do të mbajnë një mbrëmje gala bamirësie të vallëzimit të madh për paqen në mbështetje të Ukrainës.

Kush është balerini Sergei Polunin?

Polunin njihet për të kaluarën e tij të pasur me skandale të bujshme. Ai është ndër artistët që përfunduan në rrjetin mediatik për simpatinë e tij filoputiniste.

Advertisement

Mes shumë tatuazheve që mbulojnë trupin e tij – të cilët vitin e fundit po përpiqet t’i heqë –  spikati ajo me imazhin e presidentit rus, Vladimir Putin, e ekspozuar prej kohësh në kraharorin e tij të zhveshur para publikut në mbarë botën.

Polunin është i martuar me kampionen ruse të patinazhit Elena Il’inych, e cila është në pritje të fëmijës të tyre të dytë.

32-vjeçari Sergei, ditët e fundit, ndoqi me zemër të thyer lajmin e rënies shkatërruese në duart e ushtrisë ruse të Khersonit, qyteti në jug të Ukrainës, ku lindi dhe hodhi hapat e tij të parë në kërcim.

Nga aty, në moshën 19-vjeçare, ai do të fluturonte për në Londër dhe do të bëhej “balerini kryesor” më i ri në historinë e Baletit Mbretëror, kompani me të cilën u shkëput në vitin 2012.

Advertisement

Por, pas anulimit të shfaqjes në Milano, janë ngritur hipoteza se mos aksidenti i rëndë në këmbë i ditëve të fundit, është në të vërtetë efekt i kolapsit psikofizik të balerinit?(Corriere della Sera, përshtatur për Albanian Post!)

 

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy