BE dhe SHBA do ta godasin Rusinë me të tjera sanksione

Pinterest LinkedIn Tumblr +
BE dhe SHBA do ta godasin Rusinë me të tjera sanksione

Te dhënat se trupat ushtarake ruse kanë vrarë dhjetëra civilë në Ukrainë, komuniteti ndërkombëtar i ka quajtur “krime lufte”, andaj janë shtuar thirrjet për më shumë masa ndaj Moskës, e cila raportimet i ka cilësuar si “provokime”.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka bërë thirrje më 4 prill që presidenti rus, Vladimir Putin të gjykohet për krime lufte dhe ka thënë se planifikon më shumë sanksione kundër Rusisë.

“Ky njeri është brutal… ajo që po ndodh në Buça është mizore”, ka thënë Biden, duke iu referuar qytezës ukrainase jashtë Kievit, ku forcat ruse është raportuar se kanë vrarë dhjetëra civilë.

Sipas Bidenit, Putin është “kriminel lufte”.

Advertisement

Komentet e tij kanë ardhur pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka vizituar Buçan, ku zyrtarët ukrainas kanë thënë se kanë gjetur trupat e civilëve.

Zelensky i ka quajtur veprimet e forcave ruse si “gjenocid” dhe ka bërë thirrje që Perëndimi të sanksionojë më shumë Rusinë.

Në vizitën e tij në këtë qytezë, Zelensky, i cili është shoqëruar nga personeli ushtarak, ka thënë se skena të tilla e bëjnë edhe më të vështirë uljen në tavolinë me Rusinë dhe negociatat për dhënie fund të luftës, e cila ka nisur më 24 shkurt, si pasojë e sulmit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.

“Çdo ditë, kur luftëtarët tanë hyjnë dhe rimarrin territore, e shihni se çka ndodh”, ka thënë lideri ukrainas.

Advertisement

Bashkimi Evropian ka nisur diskutimet për sanksione të reja kundër Rusisë pas raportimeve për mizori, ka thënë shefi i diplomacisë në BE, Josep Borrell.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë duke u koordinuar për sanksione të reja kundër Rusisë dhe planifikojnë që t’i prezantojnë ato këtë javë, ka thënë Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan.

Sullivan ka thënë po ashtu se forcat ruse janë duke u ripozicionuar në rajonet e Ukrainës në lindje dhe jug, pas përballjes me rezistencë më të madhe sesa është pritur nga ukrainasit në Kiev.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, i ka thënë transmetuesit ARD, se zyrtarët evropianë “duhet të flasin për ndalje të furnizimeve me gaz nga Rusia”, edhe pse kancelari gjerman, Olaf Scholz u ka rezistuar më parë sanksioneve që prekin eksportet ruse të energjisë.

Advertisement

Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë thënë se synojnë tërheqjen e Rusisë nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut.

Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, ka thënë se prezenca e Rusisë në këtë Këshill është “farsë”.

Edhe shtetet tjera në botë kanë dënuar mizoritë e dyshuara në Ukrain dhe kanë bërë thirrje për masa kundër Rusisë./ R.E.L

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy