Bllokohen faqet në internet të rivalit të Putin

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Bllokohen faqet në internet të rivalit të Putin

Zyrtarët rusë kanë bllokuar qasjen në faqen e internetit të udhëheqësit të burgosur të opozitës, Alexey Navalny dhe në dhjetëra faqe të tjera të drejtuara nga aleatët e tij.

Rregullatori rus i internetit, Roskomnadzor tha se bllokoi navalny.com së bashku me faqet e tjera me kërkesë të prokurorit të përgjithshëm.

Në mesin e faqeve të bllokuara është faqja në internet e strategut të Navalnit, Leonid Volkov, ajo e Fondacionit Navalni për Luftimin e Korrupsionit dhe ajo e sindikatës Aleanca e Mjekëve, që mbështetet nga Navalni.

Masa vjen përpara zgjedhjeve parlamentare të shtatorit, dhe konsiderohet si pjesë kryesore e përpjekjeve të Presidentit Vladimir Putin për të rritur mbështetjen përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.

Advertisement

Muajin e kaluar, një gjykatë ruse i shpalli “ekstremiste” organizatat e lidhura me Navalnin, duke ndaluar veprimtaritë e tyre dhe duke u mohuar njerëzve të lidhur me ato të drejtën për të kandiduar për poste publike.

Navalni është kritiku më i njohur i Putinit dhe organizata e tij ka punuar për të zbuluar rastet e korrupsionit në Rusi.

Ai aktualisht po vuan një dënim me 2.5 vjet në burg për shkeljen e rregullave të lirimit me kusht të lidhura me një dënim për evazion fiskal të vitit 2014, që ai thotë se ishte i motivuar politikisht.

Navalni ka akuzuar Kremlinin se është përpjekur ta helmonte atë me një agjent nervor. Qeveria ruse i ka mohuar këto akuza.

Advertisement

Arrestimi dhe burgosja e tij në fillim të këtij viti ndezi një valë protestash në të gjithë Rusinë dhe u dënua nga vendet perëndimore. /VOA

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy