Çfarë është një nëndetëse bërthamore dhe pse është aq jetike për fuqitë e mëdha?

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Çfarë është një nëndetëse bërthamore dhe pse është aq jetike për fuqitë e mëdha?

“Il Post”

Javën e fundit ka pasur diskutime, përçarje dhe grindje midis vendeve të ndryshme për shkak të një traktati të rëndësishëm ushtarak që përfshin Shtetet e Bashkuara, Australinë dhe Britaninë e Madhe dhe që përjashton disa shtete të tjera, përfshirë Francën.

Traktati quhet shkurtimisht AUKUS (akronimi për Australi, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara), dhe cilësohet një pakt anti-Kinë, dhe që parashikohet ta pajisë Australinë me nëndetëse me energji bërthamore.

Reagimet kanë qenë shumë të forta, pasi nëndetëset bërthamore nuk janë një armë dosido.
Ato bazohen tek një teknologji shumë të sofistikuar, janë strategjikisht të rëndësishme, dhe aktualisht zotërohen nga vetëm 6 vende në botë.

Advertisement

Nëndetëset bërthamore quhen të tilla pasi ato përdorin një motor që funksionon falë një reaktori bërthamor. Kjo teknologji i bën ato shumë më të fuqishëm se sa nëndetëset që lëvizin duke përdorur karburantet tradicionale.

Nëndetëse të tilla janë më të shpejta, mund të udhëtojnë në distanca më të gjata, dhe të kalojnë më shumë kohë nën ujë pa pasur nevojë që të rikthehen në sipërfaqe për t’u furnizuar me karburant, dhe për më tepër janë shumë më të vështira për t’u zbuluar me radarë dhe instrumente të tjera të ngjashme.

Ndërkohë këto lloj nëndetësesh mund të lëshojnë raketa të pajisura me bomba bërthamore në miniaturë, pra aq të vogla sa të mund të barten nga një rakete nëndetëseje.

Motorri me energji bërthamore i jep nëndetëses fuqinë që i nevojitet për të udhëtuar shumë shpejt nëpër ujë.
Uji është gati 1 mijë herë më i dendur sesa ajri, dhe për këtë arsye lëvizja e një trupi nën ujë është shumë më e vështirë. Periudhat e gjata të zhytjes (nëndetëset bërthamore mund të qëndrojnë nën ujë për muaj të tërë), kërkojnë një sasi të madhe energjie për ta mbajtur mjetin në punë, me sisteme ventilimi, dhe ato të ngrohjes dhe ftohjes.

Advertisement

Për këto arsye, nëndetësja bërthamore është një nga armët më të shtrenjta që ekziston në botë. Ajo kërkon shumë mirëmbajtje, si dhe një personel të specializuar dhe të trajnuar që di ta përdorë, dhe nuk mund të funksionojë për një kohë të gjatë (normalisht, pas 20 apo 30 vjetësh nis të jetë më pak efektive dhe të humbasë potencialin e tij strategjik).

Së fundmi, nëndetëset bërthamore janë shumë të mëdha. Ato janë zakonisht 100 deri në 200 metra të gjatë dhe peshojnë mijëra tonë.
Në botë, këto lloj nëndetësesh zotërohen vetëm nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Franca, Britania, Kina dhe India. Australia do të jetë vendi i shtatë në botë, dhe pritet që t’i marrë nëndetëset e saj të para bërthamore nga viti 2030 e tutje.

Deri në fillimin e viteve 1980, vetëm Rusia, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania zotëronin nëndetëse bërthamore. Kina iu bashkua këtij grupi në vitin 1987, e ndjekur nga India. Deri më sot, Shtetet e Bashkuara janë vendi që ka më shumë të tilla:një flotë prej 68 nëndetësesh bërthamore (nga rreth 300 nëndetëse në total), e ndjekur nga Rusia.

Shtetet e Bashkuara, ishin gjithashtu vendi i parë që u pajis me këtë armë. Nëndetësja e parë me fuqi bërthamore në botë ishte “Nautilus”, e përuruar nga Shtetet e Bashkuara më 21 janar 1955, dhe e cilësuar në atë kohë si një sukses i madh ushtarak. Kina, që aktualisht ka pak nëndetëse bërthamore, po investon shumë për t’i bërë ato më të përsosura, pra më të fuqishme dhe më pak të zhurmshme.

Advertisement

Edhe Rusia po investon gjithashtu për të blerë nëndetëse të tjera më të reja dhe më moderne se sa ato që ka aktualisht. Interesi që kanë fuqitë e mëdha për t’u pajisur me nëndetëse me energji bërthamore, buron nga përparësitë e mëdha strategjike që ofron një armë e tillë, për shkak të një sërë karakteristikash.
Para së gjithash, nëndetësja bërthamore është shumë e fshehtë. Ajo mund të gjurmohet me shumë vështirësi nga radarët e sotëm. Ndërkohë, mund të dalë me shpejtësi në sipërfaqe, dhe më pas të lëshojnë raketat, gjë që ia bën më të vështirë armikut të parashikojë origjinën e këtyre të fundit dhe neutralizimin e tyre.

Në një nëndetëse bërthamore mund të ngarkohen dhjetëra raketa të llojeve të ndryshme,

si ato balistike po ashtu edhe ato lundruese. Një video e publikuar nga Ministria ruse e Mbrojtjes, në të cilën kryhen stërvitje ushtarake tregon 3 nëndetëse bërthamore të ngarkuara me rreth 200 raketa, që dalin me një forcë mbresëlënëse në mesin e Arktikut, duke copëtuar me lehtësi shtresën e akullit disa metra të trashë.

Pavarësisht fuqisë së tyre, nëndetëset bërthamore nuk bëjnë shumë zhurmë, gjë që e lehtëson përdorimin e tyre për të kryer sulme (një pjesë e padukshmërisë së tyre i detyrohet mungesës së zhurmës:sa më e zhurmshme të jetë një nëndetëse bërthamore, aq më i lehtë është zbulimi i saj).

Advertisement

Duke folur për rrezikun e përplasjeve midis nëndetëseve bërthamore – një problem serioz, që kërkon gjithashtu një marrëveshje për të rregulluar trafikun nënujor – ish-ministri francez i Mbrojtjes Herv Morin tha se këto nëndetëse “bëjnë më pak zhurmë sesa një karkalec”.
Nëndetëset bërthamore përdoren kryesisht për dy qëllime. Së pari për të konsoliduar praninë ushtarake të një vendi në zona që nuk mund të arrihen me mjete të tjera, ose ku është e vështirë të kryhen veprime të zgjatura dhe efektive. Për shembull këtë po tenton ta bëjë Kina në nivel global.

Pakti ushtarak AUKUS, mund t’i japë mundësi Australinë që të veprojë dhe forcojë praninë e saj në Detin e Kinës Jugore, një zonë që është në qendër të shumë mosmarrëveshjeve territoriale midis Kinës dhe vendeve të tjera, përfshirë Tajvanin; dhe natyrisht mund të kundërshtojë edhe ndikimin e Kinës në rajon.

Synimi i dytë lidhet me mundësinë që nëndetëset bërthamore të pajisen me armëbërthamore.
Gjithsesi, ky nuk është rasti i Australisë, vend që e ka nënshkruar Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore të vitit 1968. Por në kushtet kur Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Rusia i kanë pajisur tashmë nëndetëset e tyre me armë bërthamore, të njëjtën gjë pritet të bëjnë së shpejti edhe India dhe Kina.

Megjithatë, armët bërthamore kanë kryesisht një funksion parandalues. Ideja themelore nuk është përdorimi i tyre për të sulmuar drejtpërdrejt armikun, por për ta dekurajuar atë që të sulmojë. Duke hyrë në paktin ushtarak kundër Kinës me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, Australia anuloi një kontratë të mëparshme që kishte me Francën për furnizimin me 12 nëndetëse ushtarake konvencionale.

Advertisement

Dëmit diplomatik dhe politik -teksa po afrohen zgjedhjet presidenciale të vitit 2022 – i shtohet edhe një dëm i madh ekonomik. Sipas qendrës kërkimore angleze “Chatam House”, prishja e marrëveshjes midis Australisë dhe Francës do të dëmtojë mijëra punëtorë brenda industrisë franceze të mbrojtjes.(CNA.al)

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy