Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së autorizon hetimin për shkarkimin e Biden

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së autorizon hetimin për shkarkimin e Biden

Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së ka votuar për të zyrtarizuar hapjen e procesit që do të përcaktojë nëse ka baza për shkarkimin e Presidentit Joe Biden.

Ligjvënësit votuan për të mbështetur një rezolutë që republikanët thonë se do t’u japë atyre më shumë fuqi për të mbledhur prova dhe për të zbatuar kërkesat ligjore, shkruan BBC. 

Tre komitete të Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët pretendojnë për ryshfet dhe korrupsion gjatë mandatit të zotit Biden si zëvendëspresident.

Por ata ende nuk kanë paraqitur prova për keqbërje dhe Biden thotë se kundërshtarët e tij “po e sulmojnë me gënjeshtra”.

Advertisement

Dhoma e ulët e Kongresit, të cilën republikanët e kontrollojnë me një diferencë të vogël prej tetë vendesh, miratoi hetimin të mërkurën pasdite.

Votimi për të autorizuar një hetim nuk është i njëjtë me votën për shkarkimin, por rrit gjasat që Dhoma e Përfaqësuesve përfundimisht do të kërkojë të shkarkojë Biden.

Në një deklaratë, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson tha se dhoma “nuk do të paragjykojë rezultatin e hetimit”, por “të dhënat e provave është e pamundur të injorohen”.

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve në fund vendos të fajësojë presidentin, Senati i kontrolluar nga demokratët është i sigurt se do ta shfajësojë atë.

Advertisement

“Populli amerikan ka nevojë për liderët e tyre në Kongres që të ndërmarrin veprime për prioritete të rëndësishme për kombin dhe botën,” tha Biden në një deklaratë pas votimit.

“Në vend që të bëjnë punën e tyre, ata po zgjedhin të humbin kohë në këtë marifet të pabazë politik që edhe republikanët në Kongres pranojnë se nuk mbështetet me fakte.”

Ish-kryetari Kevin McCarthy nisi hetimin në shtator dhe tha se republikanët kishin zbuluar një “kulturë korrupsioni” që rrethonte Biden.

Republikanët kanë mbajtur një seancë dëgjimore në lidhje me hetimin, gjatë së cilës dy dëshmitarë ekspertë të thirrur nga republikanët thanë se nuk kishte ende prova të mjaftueshme për të fajësuar presidentin.

Advertisement

Komiteti i mbikëqyrjes pretendon se familja Biden dhe bashkëpunëtorët e saj të biznesit kanë marrë më shumë se 24 milion dollarë (19 milion £) nga burime të huaja në Kinë, Kazakistan, Rumani, Rusi dhe Ukrainë midis 2014 dhe 2019.

Kryetari i komitetit, James Comer,pas votimit të së mërkurës u tha gazetarëve se mbështetja unanime e republikanëve për hetimin dërgoi një “mesazh të fortë” për administratën.

“Ne kemi një pyetje të thjeshtë që shumica e amerikanëve kanë, çfarë bëri familja Biden për të marrë miliona?” tha ai.

Përpara dhe gjatë presidencës së tij, Biden ka thënë se ai kurrë nuk ka biseduar për biznes me Hunter Biden ose bashkëpunëtorët e tij dhe se djali i tij nuk ka fituar para nga sipërmarrjet joetike jashtë shtetit.

Advertisement

Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë gjithashtu pretendimin se po refuzon të bashkëpunojë dhe e kritikoi hetimin të mërkurën si një abuzim me pushtetin nga republikanët e Dhomës./vizionplus.tv

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy