Dragi, Merkel dhe Evropa e së nesërmes

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Dragi, Merkel dhe Evropa e së nesërmes

Nga Jean-Paul Fitoussi

Ndër sfidat dhe ndryshimet që mund të ndikojnë në balancën e forcave në Bashkimin Evropian, janë zgjedhjet federale gjermane në shtator. Po çfarë mund të ndryshojë në BE post-Merkel? Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjemi në dy mënyra.

Së pari, është e qartë se qasja e Gjermanisë do të varet nga aftësia e pasardhësit të kancelares aktuale për të krijuar një politikë autoritative dhe fleksibël si një udhëheqëse e Evropës. Ndërkohë, mund të supozohet se ky vend do të zërë më pak hapësirë në union, duke pasur parasysh një dobësim të fuqisë që tashmë është në proces.

Në fakt, pezullimi, edhe pse i përkohshëm, i rregulloreve të tilla si Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes dhe Kompaktësisë Fiskale përbën një pikë kthese epokale, edhe duke pasur parasysh bindjen e mirënjohur gjermane mbi çështjen e masave ekonomike shtrënguese.

Advertisement

Lidhur me këtë çështje, është e qartë se Gjermania nuk do të ketë më të njëjtën forcë doktrinare si më parë. Së dyti, në nivelin ndërkombëtar, është e qartë se Bashkimi Evropian po tregohet shumë i vonuar në drejtim të rimëkëmbjes pas pandemisë së Covid-19, krahasuar me vendet më me ndikim në botë si Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Azia Juglindore.

Në tërësi BE-ja është dobësuar gradualisht, dhe kjo e ka një shpjegim të qartë ekonomik. Në fazën post-pandemike, SHBA-ja ka arritur të rifitojë nivelin e PBB-së së vitit 2019, ndërsa BE-ja do të jetë në gjendje të arrijë vetëm nivelet e vitit 2003.

Prandaj është e qartë se një hendek në PBB-në për frymë në raport me SHBA-në do të thellohet dhe do jetë vështirë të ngushtohet. Po ashtu ekziston rreziku që në të ardhmen e afërt, Bashkimi Evropian të gjendet në rreshtin e fundit në klasën e të pasurve, duke humbur rëndësinë, ndikimin, kapacitetin për zhvillim dhe rritje ekonomike.

Skenari paraqet disa sfida në horizont për të ardhmen e ekuilibrave të BE-së, siç i kemi konsideruar gjithmonë. Roli kryesor që luajti në këtë aspekt kancelarja Merkel është i njohur për të gjithë.

Advertisement

Në fakt, duke analizuar Italinë dhe rolin e saj brenda Bashkimit Evropian, Merkel ishte në gjendje ta shihte këtë vend me inteligjencë, duke pajtuar pozicionet e ndryshme dhe duke përmbledhur në vetvete vlerën e ndërmjetësimit.

Por për momentin, marrëveshja e konsoliduar franko-gjermane është ndalur. Prandaj mundësitë reja të frytshme duket se do të hapen në frontin e vendeve anëtare të jugut. Në fakt, emërimi i Mario Dragi si kryeministër është një mundësi e mirë për Italinë dhe BE-në për të eksploruar bashkëpunimin e ri të mundshëm të brendshëm.

Por vazhdimësia e fuqisë gjermane, do të peshojë ende në ndryshime të caktuara. Udhëheqësi i ri gjerman duhet të jetë në gjendje të kultivojë marrëdhëniet midis shteteve kryesore të BE-së me të njëjtën zgjuarsi si Merkel,pasi ekziston rreziku që përçarja midis veriut dhe jugut të thellohet, dhe për mendimin tim jo në dobi të veriut.

Italia dhe Franca kanë së bashku një shans të mirë, madje edhe në krahasim me Gjermaninë.

Advertisement

Por në çështjen e një harmonie franko-italiane, që do të zhvillohet në vazhdën e ftohtësisë aktuale midis Francës dhe Gjermanisë, ka ende disa elementë dobësie, pavarësisht disa përafrimeve pozitive, veçanërisht në sektorin e zhvillimit industrial dhe Inteligjencës Artificiale.

Por siç e përmenda edhe më lart, rëndësia që ka fituar Dragi në balancën e fuqive brenda BE-së është e konsiderueshme. Autoriteti dhe besueshmëria e tij në Evropë, ka të ngjarë të vërtetojnë ekuilibrin e lakmuar trepalësh midis Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Mjegullnaja e zgjedhjeve parlamentare gjermane do të davaritet vetëm në shtator. Deri atëherë është e vështirë të imagjinohet vizioni i pasardhësit të Angela Merkel. Në përgjithësi, unë besoj se ne duhet të flasim, për dikotominë e njohur federal-kombëtare.

Duhet zgjedhur në cilën “karrige” do të ulen. Përndryshe BE-ja nuk do të ketë shumë mundësi për të ecur përpara. Deri më tani është ende e nevojshme që fuqitë kombëtare të pranojnë krijimin e organeve më të forta federale. Kjo pasi edhe nëse kapërcehet kriza e shkaktuar nga pandemia, Bashkimi Evropian rrezikon të mbetet prapa në skakierën ndërkombëtare. / “Formiche.net” – Bota.al

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy