Frika nga koronavirusi, grekët sorrollasin 9 orë në det 3 italianët në gomone. Ata kthehen pa shkelur tokën

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Një histori aspak e këndshme u ka ndodhur 3 profesionistëve të sporteve ujore, pasi u nisën për pushime, por pas 9 orësh sorrollatje nga autoritetet greke nuk u lejuan të shkelin në tokë dhe u kthyen sërish në brigjet italiane.

Mediat e Përtej Adriatikut shkruajnë se 3 profesionistët nga Salento u larguan nga porti Miggiano më 1 korrik me një varkë private, për një festë 4-ditore në ishujt grekë, por boshllëqet në legjislacion kishin komplikuar gjithçka, duke i detyruar tre pushuesit të ktheheshin në Salento para se të binte errësira. Ai që e denoncon këtë rast është njëri nga 3 shokët, mjeku nga Leçe me një të kaluar në politikën e qytetit, Silverio Bosco.

“Pas rihapjes së kufijve, siç e kishim organizuar prej ca kohësh me dy miqtë e mi, u nisëm për një udhëtim në det me një mjet lundrues privat për të mbërritur në një strukturë akomodimi në ishullin grek Erikoussa. Nga bregu i Salentos u nisëm rreth orës 10 të mëngjesit dhe e planifikuam udhëtimin në dy ndalesa. Pas rreth dy orësh lundrimi arritëm në plazhin e Kalipsosë, në ishullin Othoni”, tregon ai.

Më tej, mjeku vijon rrëfimin: “Atje, për habinë e të treve erdhi refuzimi i parë, kur ishim gati për të zbritur nga varka, por sapo dëgjuan të ishim italianë, nisën të ulërinin nga larg. Midis befasisë dhe hidhërimit ne u përpoqëm të bisedonim me autoritetet greke për t’u sqaruar, por gjithçka ishte e padobishme. Kështu që pas më shumë se një ore rifilluam udhëtimin drejt Erikoussas. Në këtë ishull ne kishim rezervuar hotelin tonë, por edhe aty u refuzuam dhe u detyruam të qëndrojmë në det. Asnjë ndihmë nuk na është ofruar, vetëm dyer në fytyrë. Në port, ata na mbajtën në një distancë të sigurtë. Nga këndvështrimi i tyre, ne nuk kishim autorizimet e nevojshme sepse arritëm në ujërat greke me mjet lundrues privat. Nuk na ndihmoi as ndërhyrja e menaxherëve të hotelit që konfirmonin rezervimin tonë atje. Në këtë pikë, pas 9 orësh pritje, zgjidhja ishte të riktheheshim në Salento, para se të errësohej. Një histori absurd dhe askush nuk ishte në gjendje ta sqaronte këtë ndalim dhe orët që kaluam atje”.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy