Giovanni Falcone dhe Francesca, sfida e një dashurie në llogore

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Nga Roberto Saviano

Në një fotografi që pashë së fundmi, tregonte Giovanni Falcone-n dhe Francesca Morvillo-n në plazh. Fytyrat e nxira nga dielli duken të qeta, sytë i kanë mbyllur, kokat e mbështetura tek njëri-tjetri; duket një moment paqeje.

Vëzhgoj foton e mendoj; si ja kanë dalë, qoftë edhe për një moment, që të arratisen nga ankthi i një jete me presione, kërcënime, sulme dhe eskortë. Si kanë arritur të mbyllin sytë duke ju dorëzuar diellit?

Francesca Morvillo është gjykatësja e vetme femër e vrarë në historinë e Italisë. E vështirë të masësh peshën e saj apo influencën në zgjedhjet që jo vetëm Falcone ka ndërmarrë, por i tërë Pool Antimafia i Palormos në ato vite kur ajo rrinte me Giovani-n.

Advertisement

Francesca ishte gjykatëse në Agrigento, e më pas zëvendës prokurore në Palermo pranë Gjykatës për të miturit.

E dinte ҫfarë po ndodhte, por nuk më ka bindur asnjëherë tregimi që i është bërë portretit të saj si “gruaja që rrinte pranë burrit duke i larguar vetminë duke e pikturuar me doza heroike.

Marrëdhënia e tyre nuk ushqehej nga varësia; karburanti ishte një projekt profesional, edhe metafiziko-romantik, pra që të kryhej transformimi i vendit në një instrument i së Drejtës.

Giovanni Falcone dhe Francesca Morvillo ishin bashkuar nga “majaja” e kësaj ëndrre.

Advertisement

Ndryshe si mund të ndash jetën me një njeri i obsesionuar ndaj akteve të gjyqësorit, nëse nuk i do edhe ti?

Mund ta duash një burrë, duke kaluar pjesën më të madhe të kohës duke studiuar, analizuar, nënvizuar me laps dhe në drekë, darkë e ҫdo rast të flasësh për kode, procedura e, madje edhe kur bën shaka, citon raste e anektoda procesuale?

Përralla e të kundërve që tërhiqen është sugjestionuese, por në realitet dashuritë-magnet përfundojnë duke funksionuar keq dhe squllen e squllen për t’i lënë radhën kompromis pas kompromisi.

Ndërsa në këtë rast gjithҫka ishte në një anë; diҫka e mrekullueshme dhe mbi të gjitha e rrallë.

Advertisement

Dhe unë vazhdoj të pyes veten; si ja kanë bërë të rezistojnë? Më ka interesuar gjithmonë

intimiteti i personave që kam zgjedhur si guidë, flas për aspektin intim dhe jo privat, pasi ekziston një ndryshim i madh.

Intimja është hapësira ku lëvizet për të gjetur strehë nga publiku dhe aty në fakt piqen gjërat më të rëndësishme, thelbësore dhe ku ndodhet dhimbja më e madhe, gëzimi i pakontrolluar.

Të vëzhgosh intimen e ndjekësh rrugën e zgjedhjeve, arsyeve, intimja është vendi ku, siҫ shkruan Panella, “duhet të jesh i ndershëm për tu kuptuar me të vërtetë”.

Advertisement

Intimes i kundërvihet privatja, e cila është spiunimi nga vrima e ҫelësit, gjetja e detajit banal dhe futja e hundës aty ku s’duhet. Privates i ngjiten shantazhuesit, dosjebërësit, kurse intimja na bën të njohim ndjenjat në fillim.

Jeta e përditshme e Francesca-s dhe Giovanni-t përbëhej nga sulme të vazhdueshme, tentativa bojkotimi të qetësisë së tyre. Intervista kundër, kolegë që sulmonin nga smira, duke bërë gjoja se i japin peshë thelbit në akuzat e tyre; po si ja arrinin që i mbanin nervat e ekuilibruara?

Si arrinin të mos ulërinin kundër thjesht për tu shfryrë? Të mos dyshonin për njëri –tjetrin?

Gjithmonë pyes veten si është e mundur që të duheshin në ato kushte jo njerëzore, e megjithatë janë dashur.

Advertisement

Në vitin 1978, Falcone transferohet në Palermo, martesa e tij e parë copëtohet dhe kush e di sa përgjegjësi në këtë epilog kanë ndikuar tensionet që ka përjetuar në Prokurorinë antimafia të Trapani-t.

Në Palermo thirret nga Rocco Chinnici, për të marrë postin e prokurorit Cesare Terranova, i vrarë nga Cosa nostra, duke kaluar në Zyrën e përgatitjes së mandateve të arrestit dhe kontrollit.

Në të njëjtin vit, takon Francesca Morvillo-n gjatë një darke në Salemi. Diku kujtohem që kam lexuar se Francesca Morvillo kupton se është joshur nga Falcone, i cili nuk lë rast pa u munduar që ta bëjë të qeshë, merr në kujdes humorin e saj, pasi e shikon melankolike dhe synon që t’ja largojë këtë gjendje me të qeshur.

Në vitin 1980 vendoset nën eskortë të cilën nuk do ta humbasë më.

Advertisement

Po a mjaftojnë pak momente lirie që Francesca dhe Giovanni të dëgjojnë vibrimet e trupave të tyre?

Në Romë kishte raste që ja dilnin të bënin dalje pa truproja, siҫ ndodhte disa herë jashtë në Nju Jork, Greqi apo gjetkë. E në këto momente si vepronin?

Ja dilnin që të ndjeheshin më të lirshëm, thuajse si me pushime? Ose ndiheshin ndryshe pasi ishin mësuar me gjendjen e nderë?

Ҫdo kush do të pyeste si ja bënin pasi edhe në SHBA apo Greqi mund të sulmoheshin, pasi në Nju Jork ishte e fortë Cosa Nostra, apo edhe në Romë(shpesh dilnin në kinema pa u mbrojtur natën kur e dinin se mafiozët i ndiqnin edhe në kryeqytet) por sërish ishin pa eskortë?

Advertisement

Në fakt kjo ka ndodhur, pasi mafiet kur vrasin e bëjnë në mënyrë simbolike dhe në territorin e tyre. Një vrasje mijëra kilometra larg nuk ka efekt dhe e humb vlerën e saj.

Nuk ndikon në territor dhe nuk terrorizon me tritol, pasi nuk ka dëshmitarë që të përhapin tmerrin në publik.

Po si mundet, pyes që të bëhet një jetë normale kur je nën vëzhgimin dhe gjykimin e të gjithëve?

Dhe mos bëni gabimin të mendoni se janë vëzhguar me devocion, admirim, përkundrazi.

Advertisement

U ishte kërkuar madje që të largoheshin nga zemra e qytetit, pasi eskortat bezdisnin kastat.

Mbi dashurinë ndërmjet Francesca Morvillos dhe Giovanni Falcone-s gjithmonë kam ngritur hipoteza duke arritur sadopak të krijoj një vizion jo të plotë në fantazinë time.

Madje kam pasur bezdinë nga ata që i thërrisnin Francesca dhe Giovanni, e drejtë që vjen vetëm për ata që i njihte mirë në jetë dhe ka ndarë të mirat me ta.

Martohen vetëm 8 vjet pas takimit të tyre të parë. Arrijnë të marrin divorcet nga martesat e para, por për vite mbi jeten e tyre rëndojnë thashethemet, “këshillat”: “hiqe mjekrën që t’i mbyllësh gojën atyre që të thonë prokurori komunist”, apo “martohu me Francesca-n, që të mbyllësh thashethemet e atyre që të thërrasin prokurori me dashnore”.

Advertisement

Në vitin 1982 vritet Calogero Zucchetto, në vitin 1983 vranë shefin e Zyrës Antimafia, Chinnici, pasi kishin vënë dinamit në një Fiat 127 poshtë shtëpisë së tij.

Në vitin 1985 vriten Beppe Montana dhe Ninni Cassarà. Po si ja bënin Francesca dhe Giovanni, kur ktheheshin në shtëpi që të duronin gjithë këtë presion?

Dy muaj përpara se Falcone të vritej(e kujton prokurorja Ilda Boccassini) – një gjykatës merr fjalën në Asamblenë e Përgjithshme të Gjyqësorit, e thotë: “Falcone është një armik politik”. E pra, ndaj pyes a mund t’i mbijetohet kësaj masakre? Imagjinoj se kjo situatë të bën acarues dhe shumë të ashpër ndaj kujdo që bashkëpunon me ty apo që të qëndron pranë.

Në shtëpi nuk ja del të bësh asgjë që të mos lidhet me gjërat që të bëjnë ҫdo ditë, duke menduar strategjinë e kundërveprimit por që gjithҫka të mundon se nuk ja del dot.

Advertisement

“Dashuria që fiton mbi gjithҫka” nuk ekziston si aksiomë. Dashuria nuk është një parim, është e përditshmja, por nëse nuk ja del ta mbrosh atë nga barbaritë ajo shkatërrohet si gjithҫka tjetër.

Është e kotë të gënjesh veten, një jetë absurd bën që të kesh edhe një marrëdhënie absurde: vetmi, tension, izolim, dyshim, madje edhe rrëmujë, malinkoni e mbi të gjitha mungesë qetësie shpirtërore.

Dashurua vdes në këto kushte, mbijeton vetëm aspekti metafizik i saj, pjesa më e panevojshme.

Pas tentativës për atentat në hotelin Addaura, Falcone donte të divorcohej nga Francesca për ta shpëtuar, për të evituar që edhe ajo të ishte një shënjestër e mafias.

Advertisement

Por kupton se ka një oqean balte kundër tij, dëshiron ta shpëtojë edhe nga zilia e njerëzve të “mirë”.

Nuk ndahen, e në fund vdesin së bashku. Minutat e fundit të jetës së tyre tregojnë sintezën e tensionit të intimitetit të tyre.

Falcone është në timon të makinës së blinduar(që prej asaj kohe është e ndaluar që personi nën eskortë të drejtojë makinën), shoferi i tij Giuseppe Costanza është në sedilen e prapme, pasi Francesca Morvillo-n e zë makina dhe ulet në vendin e parë.

Burrë e grua janë pranë njëri-tjetrit, si një ҫift normal që po shkojnë në shtëpi. Makina ecën përgjatë rrugës që nga Punta Raisi të ҫon në Palermo, Costanza i kërkon Falcone-s që t’i japë ҫelësat e shtëpisë. Është më shumë një kujtesë sesa një kërkesë, por Falcone heq ҫelësat nga kuadri i makinës për t’ja dhënë, gjest shumë i rrezikshëm pasi makina fiket dhe mund të ndalet në shpejtësi të madhe, por Falcone gjen kohën të kërkojë ndjesë dhe këto janë fjalët e tij të fundit.

Advertisement

Atentatori Brusca pasi shikon makinën që ul shpejtësinë, dyshon se kanë arritur të zbulojnë diҫka dhe aktivizon bombën përpara kohës së parashikuar.

Ai gjest i bërë ashtu si për të ulur tensionet si një aventurë prej adoleshenti, ndoshta për të hequr mendjen nga stresi, i shpëton jetën Costanza-s që ishte në sedilen e prapme, ngaqë makina ngadalësoi dhe shpërthimi nuk e arriti në kulmin e tij.

Pëplasen në murin me beton dhe katrama, pasi tritoli e ktheu autostradën në vertikale. “Ku është Giovanni…” janë fjalët e fundit të Francesca-s, thënë një polici që e dërgoi në spital.

Por fjalët e fundit të dashurisë së tyre të arritura tek ne sot ishin të tjera. Ndodhen të shkruara në një karton të bardhë, që u gjetën vite më pas nga Giovanni Paparcuri, bashkëpunëtor i Falcone-s që i shpëtoi atentatit ndaj Rocco Chinnici-t.

Advertisement

Ky dedikim u gjet tek një libër që Francesca Morvillo i dhuroi Giovanni Falcone-s. Një mendim plot shpresë delikat që tradhëtohet nga frika se gjithҫka mund të prishet në një moment, por që beson në sigurinë që diku, në pjesën që pulson nga origjina e gjithҫkaje, historia që kanë përjetuar do të mbesë përgjithmonë: “Giovanni, dashuria ime, je gjëja më e bukur në jetën time. Do të jesh gjithmonë brenda meje ashtu siҫ unë shpresoj të mbetem e gjallë në zemrën tënde. Francesca!”.

Marrë nga La Repubblica-Përgatiti: Ylli Pata

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy